TIRANE- Kryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale, Bashkim Fino i bëri dje sërish thirrje kryetarëve të partive parlamentare dhe jo parlamentare që të bëhen pjesë e kësaj reforme. Në mbyllje të mbledhjes së djeshme, Fino theksoi se brenda javës së ardhshme do të përzgjidhet varianti fitues dhe më pas do të vijojë procesi i konsultimeve në të gjithë vendin. “Ne kemi qenë shumë transparent në çdo moment të procesit dhe fakti që sot u paraqitën 5 variante, tregon se asgjë nuk ka qenë e paracaktuar dhe asgjë nuk ka qenë me prapavijë politike, por përkundrazi, ne po i japim edhe një herë mundësinë të gjithëve edhe këtu në sallë, edhe opozitës që të bëhet pjesë e procesit duke vendosur ajo vetë për një nga variantet që u paraqitën.

Përfitoj nga rasti që t’i bëj thirrje edhe një herë opozitës, duke e gjykuar si një moment shumë të rëndësishëm, që të japë edhe ajo pëlqimin për variantin që mendon se është më i miri për vendin dhe që do krijojë një premisë për zhvillim vendor të qëndrueshëm për të paktën në vizionin tim për 50 vitet e ardhshme. Në bazë të propozimeve, Komisioni, do të vendosë për një hartë përfundimtare javën e ardhshme dhe nga mesi i javës së ardhshme do të bëjmë një mbledhje përfundimtare së bashku me Ministrin Çuçi që të zgjedhim një nga variantet më të realizueshme për ndarjen administrative. Pas këtij momenti, do të nisin konsultimet në gjithë Shqipërinë për rreth 2 muaj, përpara se ligji i ri për ndarjen administrative-territoriale të miratohet në Kuvend brenda 31 korrikut të këtij viti”,- tha Fino.

Përzgjedhja
Përcaktimi i hartës përfundimtare për ndarjen e re administrative të Shqipërisë do të bëhet javën që vjen dhe më pas do të vijojë procesi i konsultimeve në terren. Pavarësisht se do të përzgjidhet njëra prej pesë hartave ku varianti më i mundshëm është ai me 47 njësi të qeverisjes vendore, ajo mund të pësoj një ndryshim nga karakteri teknik pas vërejtjeve dhe sugjerimeve që mund të vijnë nga konsultimet. Konkretisht anëtarët e komisioni do të zhvillojnë takime me kryetarët e komunave, bashkive të të gjithë Shqipërisë si edhe organizatat e tjera që veprojnë në të, pasi kjo gjë është e përcaktuar edhe në Kushtetutë ku theksohet se përpara se të miratohet ndarja e re administrative, duhet që të zhvillohen konsultimet për 2 muaj.

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)