Bashkim me Greqinë? Marrëveshjet
shqiptaro greke në kohën e Luftës

Bashkim me Greqinë? Marrëveshjet <br />shqiptaro greke në kohën e Luftës
Pas kapitullimit të Italisë më 8 shtator 1943 dhe, veçanërisht pas pushtimit gjerman të Shqipërisë disa ditë më vonë, rezistencës kundër pushtuesit të ri iu shtua dhe forcimi i ambicieve për pushtet politik. Në Konferencën e Labinotit, më 4-9 shtator 1943, Kryesia e FNÇ-së denoncoi marrëveshjen e bashkëpunimit të arritur në Mukje, duke i hapur rrugë acarimit të marrëdhënieve midis LNÇ-it, Ballit Kombëtar dhe nacionalistëve të tjerë që nuk pranonin këtë politikë të re të Frontit. Duke hedhur parullën "Gjithë pushteti këshillave nacionalçlirimtare", në të njëjtën konferencë u diskutua sërish mbi zgjerimin e Frontit duke përfshirë në të dhe "rryma të tjera". Në mënyrë paradoksale dhe të pakuptimshme, Enver Hoxha e konsideronte dhe minoritetin grek si një rrymë të veçantë që PKSH-ja kishte arritur ta përfshinte në FNÇ. Politika e adaptuar nga PKSHja në Konferencën e Labinotit nën mbulesën e Frontit Nacionalçlirimtar, u diktua sidomos nga PKJja, me anë të të dërguarit të saj Zvetozar Vukmanoviç - Tempo, i cili ushtroi një presion të fortë mbi udhëheqjen e lartë shqiptare për të mos e ndarë pushtetin me Ballin Kombëtar. Ky qëndrim ishte pjesë e një projekti më të gjerë për krijimin e Shtabit të Përbashkët Ballkanik, ku do të përfshiheshin forcat e majta të rezistencës në Jugosllavi, Shqipëri, Bullgari dhe Greqi.

Ky Shtab do të ishte hapi i parë drejt Federatës komuniste Ballkanike, në të cilën mendohej të përfshihej dhe Greqia. Në këtë kuadër, filloi koordinimi i veprimeve midis EAM/ELAS dhe FNÇ/ UNÇ. Bashkëpunimi synonte aksione të përbashkëta ndaj pushtuesit, por dhe neutralizim. dhe eliminim të grupeve të rezistencës, që nuk pranonin të viheshin nën udhëheqjen e partive të majta të vendeve të tyre. Ky qëndrim ishte thelbësor për komunistët, pasi do t'u siguronte monopolin e pushtetit. Minoritetet u konsideruan pika nevralgjike ku do të mbështetej bashkëpunimi, por dhe si parakusht për suksesin e rezistencës. Reflektim i menjëhershëm për realizimin e projektit të bashkëpunimit ballkanik ishte mbledhja e zhvilluar midis përfaqësuesve të EAM-it, të FNÇ-it dhe të minoritetit grek, në shtator të vitit 1943 në fshatin Poliçan të Gjirokastrës, të banuar nga minoritarë grekë. Ashtu siç kishte vepruar me marrëveshjen e Mukjes, PKSH-ja e denoncoi marrëveshjen e Memoraqit, duke e konsideruar atë të organizuar nga reaksionarë. Në takimin e Poliçanit u vendos që minoriteti grek në Shqipëri dhe ai shqiptar në Greqi të aktivizoheshin në luftën e përbashkët kundër pushtuesit. Për këtë arsye do të krijohej në çdo minoritet nga një "shtab miks", që do të drejtohej nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së vendit përkatës. Shtabi miks i minoritetit grek do të drejtohej nga ai i Ushtrisë Nacionalçlirimtare shqiptare dhe anasjelltas. Mbledhja e Poliçanit synonte jo vetëm mobilizimin e minoritetit grek në rezistencën kundër pushtuesve, por dhe largimin e tij nga ndikimi i EDESit. Në shtabin miks minoritar merrnin pjesë Miltiadh Kirojanis pseudonimi i të cilit ishte Aleks Janjari], i dërguar nga EAM-i, Tahir Demi i FNÇ-it dhe Teli Tërbaçi, përfaqësues i minoritetit grek. Për një rastësi të çuditshme, më 9 shtator 1943, pikërisht ditën kur PKSH-ja i kishte thënë jo bashkëpunimit me Ballin Kombëtar, nga zyra e Epirit të PKG-së arriti një letër, e cila ishte përgjigjja ndaj propozimit të bërë nga Tempoja për të rritur bashkëpunimin midis lëvizjeve të majta të rezistencës ballkanike. PKGja e shihte të domosdoshme një bashkëpunim më të madh midis dy partive, por, në të njëjtën kohë, mendonte se "nuk është koha akoma që të ngrehim kryesira dhe shtatmadhorira të përbashkëta greko-shqiptare... ". Në po të njëjtën letër, PKG-ja shprehej se ishte dakord për veprime të koordinuara për "organizimin e punës me minoritetet".

Ajo ishte e kënaqur me vendimet e Poliçanit dhe premtonte që do dërgonte dhe njerëz të tjerë për ta ndihmuar PKSH-në në punën me minoritetin grek. Letra nuk i kushtonte shumë rëndësi luftës së përbashkët kundër pushtuesit gjerman, por theksonte se bashkëpunimi duhej të shërbente që "të mos mundet reaksioni [kupto: kundërshtarët politikë] të kthejë një popull kundra tjetrit". PKG-ja pranonte propozimin e PKSH-së që të dërguarit e të dyja partive të mos i përfaqësonin zyrtarisht ato, por të trajtoheshin si "njerëz të minoritetit të atjeshëm për me ndihmue përgjithësisht në punë". Për çështjen e së ardhmes të të dyja minoriteteve, PKG-ja binte dakord që popullsia "do të shprehej lirshëm pas luftës". Ndërkohë, si në Shqipëri, ashtu dhe në Greqi kishin filluar përplasjet e armatosura midis grupeve të rezistencës që ditë pas dite po ktheheshin në formacione të armatosura rivale. Në qarkun e Gjirokastrës, ku si çetat e Ballit, ashtu dhe të FNÇ-it ishin të fuqishme, incidentet e para të asaj që më vonë do të shndërrohej në luftë civile kishin filluar që në verën e vitit 1943. Minoriteti grek ishte gjithashtu i ndarë midis EAM/FNÇ dhe EDES. Zona e Dropullit, mbështeste më shumë ELAS-in, pasi kufizohej me zonën e kontrolluar nga ai në Greqi, ndërsa minoriteti grek që jetonte në fshatrat e Sarandës, mbështeste më shumë EDES-in. Incidentet e para ndërmjet Ballit Kombëtar dhe Ushtrisë Nacionalçlirimtare, ndonëse nuk drejtoheshin ndaj minoritetit, patën pasoja dhe për të. Pushtimi gjerman i Shqipërisë e bëri të domosdoshëm bashkimin e të gjitha grupeve të rezistencës në luftë kundër tij. Në kundërshtim me interesat kombëtarë, forcat politike shqiptare u angazhuan në një konflikt civil.

Më 1 tetor të vitit 1943, Komiteti Qendror i PKSH-së u dërgoi një udhëzim të gjitha komiteteve qarkore të PKSH-së në të gjitha qarqet në të cilën, ndër të tjera thuhej: "Puna politike kundër Ballit nuk duhet të jetë e vetme në këto raste, ajo duhet të ndihmojë veprimet ushtarake, të cilat duhet të jenë decizive; nuk mjaftojnë mitingje dhe konferenca, por duhet menjëherë të merret pushteti, të organizohen komandat dhe të stabilizohet pushteti i këshillave duke mbajtur disiplinën, rregullin, duke organizuar jetën në qytet dhe duke luftuar me ashpërsinë më të madhe dhe me pushkë në dorë të gjitha padrejtësitë dhe vjedhjet që i bëhen popullit nga kushdo që të jetë". Ky urdhër shënoi nga pikëpamja formale fillimin e luftës civile në Shqipëri. Për të plotësuar tablonë, më 7 tetor 1943 Mit'hat Frashëri, kreu i Ballit Kombëtar, u dërgoi dy qarkore të gjitha komiteteve krahinore të Ballit. Në të parën porosiste se, meqenëse vendi kishte nevojë të ngutshme për rregull dhe disiplinë, "gjithë komitetet, komandat dhe çetat e Ballit Kombëtar porositen qi me t'arrijtë kjo qarkore, të pezullojnë çdo operacion luftarak kundra forcave gjermane tash për tash". Në tjetrën ai porosiste që "çdo sulmi e çdo atentati komunist t'i përgjigjeni menjëherë dhe po në atë mënyrë". E njëjta situatë paraqitej dhe në Greqi. Po në tetor të vitit 1943, forcat e ELAS-it, pas dështimit të mbledhjes së Kajros në gusht 1943, filluan sulmin e ri ndaj të gjitha grupeve të rezistencës, duke përfshirë këtu edhe EDES-in. FNÇ-i dhe PKSH-ja, forcuan bashkëpunimin me EAM-in dhe bënë lëvizjen tjetër në minoritetin grek. Në nëntor të vitit 1943 në Konispol u zhvillua një mbledhje e përfaqësuesve të minoritetit grek. Mbledhja ritheksoi vendimet e marra në Poliçan. Në fund të vitit 1943, sipas direktivave të PKSH-së u thirr Konferenca e Arsimtarëve të minoritetit, e cila afirmoi të drejtën e minoritetit grek për të përdorur gjuhën greke në jetën e përditshme, në arsim dhe në administratë. Kjo ishte një lëvizje e zgjuar e PKSH-së dhe kishte qëllim të bënte për vete "arsimtarët e minoritetit që janë shumica zervista". Nga ana tjetër, Konferenca lejoi që "në shkollat grekofone do të këndohet si himn i përgjithshëm vetëm ai i Këshillit të Përgjithshëm të EAM-it".

Ky vendim synonte t'i shkëpuste minoritarët grekë nga idetë separatiste që përhapnin njerëzit e Zervasit dhe, nga ana tjetër, t'i afronte ata ideologjikisht me komunistët. Vendimet e marra në Konferencën e Arsimtarëve të minoritetit krijuan një klimë besimi midis Frontit Nacionalçlirimtar dhe minoritetit grek. Rezultati më i qartë i kësaj klime ishte krijimi më 26 nëntor të vitit 1943, i batalionit "Thanas Ziko", i përbërë nga minoritarë grekë. Në dhjetor të vitit 1943, në zonën jugore dhe qendrore të Shqipërisë pushtuesit gjermanë organizuan një operacion në shkallë të gjerë. Ky operacioni shkaktoi shpërndarjen e përkohshme të formacioneve ushtarake partizane. Disfata e Ushtrisë Nacional- çlirimtare zbehu mbështetjen e popullit për të. Popullsia e Delvinës dhe e fshatrave përreth, edhe ajo minoritare që deri atëherë kishin mbështetur Lëvizjen Nacionalçlirimtare, ishte bashkuar me Ballin Kombëtar. Në shkurt të vitit 1944, nën presionin britanik, EAM-i dhe EDES-i në Greqi u detyruan të nënshkruajnë një marrëveshje bashkëpunimi. EAM-i, nën presionin e opinionit publik grek, u detyrua të përfshijë në programin e tij çështjen e kufijve. Këto ngjarje patën reflektim të menjëhershëm në rezistencën e minoritetit grek. EDES-i dhe EAM-i u bënë thirrje përkrahësve të tyre në minoritet që "të bashkoheshin me partinë më të fortë dhe të mos luftonin". Ndryshimi i politikës së EAM-it solli si rezultat të menjëhershëm kërkesën që shtabi miks i krijuar për minoritetin, të zëvendësohej me një shtab plotësisht minoritar, që vepronte i pavarur. Duke përfituar nga konfuzioni që krijoi operacioni i pushtuesve dhe mungesa e vëmendjes së shtabit shqiptar të Zonës I Operative, të dërguarit e EAM-it për të organizuar rezistencën e minoritetit grek, krijuan një situatë të rrezikshme për integritetin territorial të shtetit shqiptar. Komiteti qarkor i qarkut të Gjirokastrës ankohej për veprimtarinë e të dërguarit të PKG-së, Aleks Janjarit në krahinat minoritare. Ata theksonin se ai punonte "në formë bajraktarllëku" dhe se e kishte bërë minoritetin t'i drejtonte sytë nga Greqia. Peço Kagjini, anëtar i komitetit qarkor të Gjirokastrës, shprehte shqetësimin se veprimtaria e përfaqësuesve të EAM-it kishte bërë që minoriteti grek të kërkonte bashkim me Greqinë. Në një miting në krahinën e Dhrovjanit, "u ngrit një dhe tha se ne pranojmë të jemi në një Greqi qoftë komuniste, qoftë djalliste, por vetëm në Greqi të jemi". Kjo politikë e re shkëputëse dhe pritëse e emisarëve të EAM-it kishte shkaktuar pasivitet në rezistencën e minoritetit grek.

Koço Tashko, i dërguari i KQ të PKShsë në Zonën I Operative, ngrinte me forcë shqetësimin se gjatë dimrit 1943-1944, formacionet ushtarake të minoritetit jo vetëm nuk luftonin kundër pushtuesit, por dhe ishin "bërë barrë në kurriz të popullsisë së thjeshtë". Koço Tashko, krahas veprimtarisë së emisarëve të EAM-it, ngarkonte me përgjegjësi dhe shtabin shqiptar, i cili "nuk ishte interesuar për të batalionin Thanas Ziko]". Pasi Koço Tashko ia kishte raportuar çështjen Bedri Spahiut, komandantit të Zonës I Operative, ai shkarkoi anëtarët e shtabit të batalionit Thanas Ziko dhe e bashkoi atë me batalionin shqiptar Thoma Lulo. Më 2 prill 1944, Enver Hoxha i shqetësuar edhe nga gjendja në minoritetin grek i dërgoi një letër PKGsë. Ai mendonte se kishte ardhur koha që të bëhej një takim ndërmjet përfaqësuesve të dy partive. Sipas E. Hoxhës takimi ishte i "nevojshëm dhe urgjent për të diskutuar mbi çështje të ndryshme që na përkasin dhe sidomos çështjen e minoriteteve".

Enver Hoxha kërkoi të dërgohen njerëz të cilët të punojnë për "vëllazërimin e popujve tanë" dhe pranoi që ishin bërë gabime si "nga shokët tanë, ashtu dhe nga shokët grekë që punonin së bashku me minoritetin grek në Shqipëri". Duke pasur frikë se marrëveshja midis EAM-it dhe EDES-it mund të shkaktonte ndërhyrjen e kësaj të fundit në zonën e minoritetit, PKSH-ja u shpreh fare qartë se nuk do të lejonte që marrëveshja e bashkëpunimit midis EAM-it dhe EDES-it të shtrihej dhe në minoritetin grek. Pas kësaj, PKG-ja tërhoqi Aleks Janjarin nga zona e minoritetit dhe dërgoi përfaqësues të tjerë për të ndihmuar në organizimin e rezistencës në këtë zonë. Gjithashtu, u dërguan dy oficerë të EAM-it për batalionin "Thanas Ziko", që vazhdonte të ruante mëvetësinë e tij në bashkimin që kishte bërë me batalionin "Thoma Lulo". Në fillim të vitit 1944, Balli Kombëtar ndryshoi politikën në lidhje me rezistencën ndaj pushtuesit. Pas Kongresit të Beratit, më 3 janar 1944, ai vlerësoi komunizmin si një rrezik real dhe të madh për kombin dhe çështjen kombëtare. Nacionalistët mendonin se komunistët shqiptarë, për shkak të lidhjeve të tyre me komunistët jugosllavë, nuk do të mbështesnin bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Për të parandaluar këtë gjë, Balli Kombëtar zbuti qëndrimin edhe ndaj grupeve politike jokomuniste greke dhe u përpoq të vendoste kontakte dhe të arrinte një marrëveshje me forcat e djathta politike greke. Në fillim të vitit 1944, kryetari i Ballit Kombëtar, Mit'hat Frashëri dërgoi në Greqi gazetarin Dhimitër Fallo për t'i propozuar palës greke një marrëveshje. Dokumentacioni dhe literatura e deritanishme japin të dhëna të fragmentarizuara për këtë marrëveshje. Ka një mospërputhje midis dokumentacionit dhe literaturës në lidhje me iniciatorët e marrëveshjes. Ministri i Jashtëm i qeverisë shqiptare në kohën e pushtimit gjerman, Bahri Omari, pohon se qeveria e tij i ishte përgjigjur një propozimi të palës greke për krijimin e një federate greko-shqiptare.

Në kujtimet e Athanasios Krisohut, përfaqësuesit të qeverisë së Athinës në Maqedoninë greke, jepen të dhëna më të plota për bisedimet midis tij dhe Dhimitër Fallos, por është e vështirë të vërtetohet autenticiteti i të gjitha pohimeve të tij. Sipas Krisohut, propozimi për një marrëveshje shqiptaro-greke ishte bërë nga pala shqiptare. Nacionalistët shqiptarë, sipas tij, ishin më të interesuar për të. Krijimi i një federate apo konfederate greko-turko-shqiptare, në këndvështrimin e tyre, do ta parandalonte rrezikun komunist apo pansllavizmin në Ballkan. Kjo vërtetohet dhe nga fakti që në të njëjtën kohë kur Dhimitër Fallo raportohet të ketë marrë kontaktet e para me personalitetet lokale greke, Rakip Frashëri, djali i Mehdi Frashërit, u dërgua në Turqi me një propozim të ngjashëm. Misioni i Dh. Fallos filloi në shkurt të vitit 1944. Sipas kujtimeve të Krisohut, menjëherë pas mbërritjes në Selanik, Dh. Fallo u takua me Aleksandër Orolloganë, një gazetar grek, i cili kishte pranuar të bëhej ndërmjetësi midis tij dhe Fallos. Në javën e parë të shkurtit të vitit 1944, u zhvillua takimi i parë jozyrtar mes Krisohut dhe Fallos. Ky i fundit i paraqiti A. Krisohut një dokument të hartuar në shqip dhe të përkthyer në frëngjisht, sipas të cilit Dhimitër Falloja paraqitej si i dërguari zyrtar i qeverisë shqiptare. Ai e njoftoi Krisohun se në Tiranë ishte krijuar tashmë një Shoqatë Shqiptaro-Greke, ku merrnin pjesë "shqiptarët më të njohur", të cilët kishin pranuar idenë e një shteti dualist greko-shqiptar me të drejta të barabarta.

Arsyetimi i Fallos ishte se një federatë e tillë ishte e dobishme si për Shqipërinë, ashtu dhe për Greqinë. Shqipëria, në opinionin e tij, ishte një shtet i vogël dhe i paaftë të vetekzistonte pa ndihmën e një shteti tjetër. Në mënyrën se si po rridhnin punët, dukej se fronti pansllav në Ballkan po rritej, i vetmi shpëtim ishte që Greqia, Shqipëria dhe Turqia, si shtetet josllave të Ballkanit, duhet të bashkoheshin. Projekti shqiptar pranonte si kufij jugorë ato të 1939-ës, ndërsa kërkonte mbështetjen greke për përfshirjen e Kosovës dhe tokave shqiptare në zonën e Dibrës në shtetin shqiptar të Pasluftës. Në lidhje me çështjen e minoriteteve në projekt parashikohej që ato të shiheshin "si mjet afrimi mes dy palëve dhe jo mjet largimi". "Ta kini ndërmend, - thuhej midis të tjerave në projekt, - se minoritetet duhen t'i kqyrin mirë të dyja palët dhe të kenë të drejtat e tyre". Për Krisohun, pala shqiptare duhet të plotësonte dy kushte paraprake, në mënyrë që ai t'ia paraqiste këtë propozim qeverisë së tij. Kushti i parë ishte që pala shqiptare të pranonte "dorëzimin e Vorio Epirit". Kushti i dytë lidhej me ndalimin, sipas Krisohut, të persekutimit të minoritetit grek. Për kushtin e parë, Falloja premtoi se do ta diskutonte çështjen me anëtarë të komitetit shqiptaro-grek dhe qeverinë shqiptare.

Në lidhje me çështjen e persekutimit të minoritetit grek, ai sqaroi se minoriteti grek në Shqipëri nuk pësonte asnjë persekutim. I dërguari shqiptar i sqaroi gjerë e gjatë Krisohut situatën politike në Shqipërinë e Jugut. Lufta civile midis komunistëve dhe nacionalistëve e kishte përfshirë jugun e vendit dhe popullsia po pësonte dëme të shumta për shkak të saj. Minoriteti grek ishte gjithashtu i ndarë mes komunisteve dhe nacionalistëve dhe po pësonte dëme si pasojë e përfshirjes në luftën civile shqiptare. Më 7 shkurt 1944, ish-kryeministri shqiptar i mbretit Zog, Koço Kota, shkoi në Selanik nga Athina, ku ishte vendosur pas pushtimit italian të Shqipërisë. Sipas kujtimeve të Krisohut, ai ishte caktuar nga qeveria shqiptare si kryetar i komitetit greko-shqiptar dhe një nga negociuesit e bashkimit shqiptaro-grek. Në deponimet e tij në gjyqin special, Koço Kota, nuk pranoi të ketë qenë kryetar i delegacionit, por një pjesëmarrës në bisedime si person privat, madje ai ka mohuar të ketë përfaqësuar në bisedime Partinë e Legalitetit. Më 8 shkurt 1944, Koço Kota, Dhimitër Fallo, Kostandin Godi, Selim Mborja u takuan në shtëpinë e këtij të fundit, me Krisohun dhe Aleksandër Orolloganë. Të nesërmen Athanasios Krisohu, përpiloi një raport të hollësishëm për bisedimet e zhvilluara dhe ia dërgoi atë qeverisë kuislinge greke të kryesuar nga Joan Ralisi. Ai njoftonte qeverinë e tij se kërkesat e përfaqësuesve shqiptarë ishin: "Kombi shqiptar mund të drejtohej drejt këtij bashkimi për sa kohë që dinjiteti dhe krenaria e tij nuk prekeshin. Në këtë mënyrë, dispozitat e mundshme për bashkimin ishin këto: a) Një komb i unifikuar me pavarësi lokale në lidhje me administratën, drejtësinë, edukimin dhe autoritetin politik. b) Politikë të jashtme të unifikuar me atë të Greqisë. c) Mbrojtje kombëtare të unifikuar me një ushtri nën Ministrinë e Luftës së Athinës. d) Një politikë ekonomike të unifikuar me atë të Greqisë dhe heqjen e tatimeve doganore midis dy vendeve".

Përfaqësia shqiptare kishte kujtuar gjithashtu se të dyja shtetet janë nën të njëjtin pushtim gjerman dhe që të ketë sukses bashkimi duhet të ndërmarrin aksione të përbashkëta kundër gjermanëve. Të bën përshtypje që në raportin e dërguar nga Krisohu për qeverinë greke të J. Ralisit, nuk është përmendur çështja e "Vorio Epirit". Kjo të bën të mendosh që, në këtë takim të dytë, kjo çështje nuk është trajtuar. Pjesëmarrësit në takim kanë diskutuar për modalitetet e krijimit të Federatës greko-shqiptare. Nëse Federata arrihej të krijohej, çështja e minoriteteve mes dy vendeve gjente natyrshëm zgjidhje. Raporti i Krisohut iu shpërnda dhe partive të tjera greke, si dhe qeverisë greke në mërgim. Kryeministri Ralis, sipas Krisohut, u shpreh i gatshëm për të vazhduar bisedimet, ndërsa forcat e tjera politike të Greqisë, si dhe qeveria greke në mërgim u treguan shumë skeptike ndaj propozimit shqiptar. Për t'u dhënë bisedimeve karakter zyrtar, në mes të majit të vitit 1944, nga qeveria e Tiranës dërgohet si anëtar i delegacionit Xhavit Leskoviku, ish-ministri shqiptar në Athinë dhe Berlin. Ai dhe shqiptarët e tjerë bënë bisedime me disa nga drejtuesit e partive greke, në të cilat nuk morën pjesë as përfaqësues të EDES-it, as ata të EAM-it. Për çështjet e trajtuara në këto bisedime në arkivat shqiptare ende nuk kemi gjetur informacion të mjaftueshëm. Në "Gjyqin Special për Kriminelët e Luftës" thuhet se më 17 qershor 1944, Xhavit Leskoviku i ka dërguar Bahri Omarit një raport për t'i shpjeguar fazën e bisedimeve dhe kërkonte instruksione brenda 41 ditëve për çfarë duhet bërë me partitë greke, në lidhje me zhvillimet e bisedimeve greko-shqiptare.

Ky raport, megjithëse përmendet shkarazi në procesverbalet e gjyqit, nuk gjendet së bashku me dokumentet e tjera në dosjen gjyqësore. Nga deponimet e Xhavit Leskovikut, kuptohet se në letrën e tij është përmendur Vorio-Epiri, gjë që të bën të mendosh se bisedimet kanë ngecur pikërisht në këtë pikë. Pas takimeve të majit, çështja mbeti pezull në pritje të miratimit të bisedimeve nga përfaqësuesit e ndryshëm të politikës greke. Presioni i palës greke ishte t'u merrnin premtimin shqiptarëve se në shtetin dualist territoret e Shqipërisë së Jugut, të kërkuara nga grekët, do të bashkoheshin me njësinë greke, gjë që ishte e papranueshme për palën shqiptare. Nga ana tjetër, dëshira e shqiptarëve për të bërë pjesë të kësaj federate dhe Turqinë, sado që fliste për një lëvizje e zgjuar, ishte utopike. Bashkërendimi i qëndrimeve ndërmjet Greqisë dhe Turqisë për një (kon)federatë të përbashkët Shqipëri-Greqi-Turqi ishte një kapitull më vete po aq i ndërlikuar (në mos më shumë) sa ai shqiptaro-grek. Gjithashtu, bashkimi i Shqipërisë me Turqinë paralajmëronte më tepër një dobësi të pozitës së Greqisë brenda (kon)federatës se sa forcim të saj, gjë që e bënte të pamundur pranimin e idesë nga Greqia. Por ngjarjet e ndodhura në të dyja vendet në pranverë- verë të vitit 1944, ndikuan përfundimisht në dështimin e bisedimeve.

Shënim: shkrimi i mësiperm është shkëputur nga libri me i ri minoritet midis indentitetit dhe integrimi 1939-1949

(Shkrimi u botua në suplementin RILINDASI)

(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë