Investimet publike po bëhen por shpesh privatët nuk paguhen, ndërsa plaga e vjetër e largimeve të padrejta nga puna të punonjësve të administratës vijon të rëndojë në buxhet.

Raporti i fundit i Ministrisë së Financave tregon se detyrimet e prapambetura të ministrive dhe të bashkive janë ulur vjet, por problemet e vjetra mbeten. Në total borxhet e pushtetit qendror dhe atij vendor ishin 5.8 miliardë lekë në fund të vitit 2025, nga rreth 7.3 miliardë lekë në 2024-ën. Pra janë tkurrur me 1.4 miliardë lekë detyrimet e prapambetura.

DETYRIMET E PRAPAMBETURA
Dhjetor 2024   7,327 mln lekë
Dhjetor 2025   5,847 mln lekë
Diferenca       -1,480 mln lekë

Pushteti qendror ka në total 1.5 miliardë lekë borxhe, ku kryesojnë ministritë e Infrastrukturës, Shëndetësia, Bujqësia dhe më pas Mbrojtja.

BORXHET SIPAS MINISTRIVE
Ministria e Infrastrukturës      332 mln lekë
Ministria e Shëndetësisë         260 mln lekë
Ministria e Bujqësisë              256 mln lekë
Ministria e Mbrojtjes              244 mln lekë

Kurse bashkitë kanë 2.9 miliardë lekë detyrime, lista kryesohet nga Kavaja, Tirana, dhe më pas vjen Pogradeci, Vora e Rrogozhina.

BORXHET SIPAS BASHKIVE
Bashkia  Kavajë            755 mln lekë
Bashkia  Tiranë             570 mln lekë
Bashkia  Pogradec         220 mln lekë
Bashkia Vorë                 184 mln lekë
Bashkia Rrogozhinë      140 mln lekë

Po i njëjti raport evidenton investimet, si shkaku kryesor për krijimin e detyrimeve. Afro 1.6 miliardë lekë borxhe janë vetëm për investime të bëra nga privati por janë të palikujduara nga shteti. Këtë problematikë më së shumti e ka Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministria e Bujqësisë, ndërsa tek pushteti vendor, investimet e papaguara dominojnë tek bashkia Vorë.

BORXHET SIPAS KATEGORISË
Investime                      1,621 mln lekë
Vendime gjyqësore          712 mln lekë
Shërbime                         658 mln lekë

Kategoria e tjetër me vlerën më të lartë të borxheve është ajo e vendimeve gjyqësore që lidhen kryesisht me largimet e padrejta nga puna të punonjësve të administratës. Afro 712 milionë lekë detyrime i përkasin kësaj kategorie, ku pjesa më e madhe është e përqendruar tek Ministria Shëndetësisë dhe Ministria e Brendshme.

Për shkak se situata është më problematike tek pushteti vendor me borxhe edhe të trashëguara që nga reforma territoriale e 2015-ës, qeveria dha në fund të vitit të kaluar 1.2 miliardë lekë për shlyerjen e një pjese të borxheve të bashkive.