‘Sëmundjes së vjetër’ të mos shpenzimit të parave publike për investime, në 2025-ën ju bashkua edhe mos realizimi i të ardhurave sipas planit.
Nga tatimet dhe taksat u mblodhën në total gjatë 12 muajve të vitit të kaluar 7.5 miliardë euro (754.6 mld lekë), ndërkohë që plani ishte për të mbledhur 7.7 miliardë euro, pra 200 milionë euro më pak se planifikimi i bërë nga qeveria.
Ministria e Financave thotë se të ardhurat tatimore ishin 2 miliardë 565 milionë euro, në rritje me 12.8% në raport me vitin 2024. Rritja më e madhe e arkëtimeve është regjistruar tek tatimi mbi pagën me 24.7%, pasi në total u mblodhën 825 milionë euro nga ky zë, ose 164 milionë euro më shumë se në 2024-ën.
Si rrjedhojë në rritje janë edhe të ardhurat nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore me 10.7%, dhe në total vjet u mblodhën 1 miliardë 782 milionë euro. Në rritje janë edhe arkëtimet nga TVSH-ja apo tatimi mbi fitimin.
Kurse nga doganat janë mbledhur në total afro 2.4 miliardë euro, ku rritja më e madhe në përqindje ka qenë tek akciza, por më shumë para plot 1 miliardë 587 milionë euro u mblodhën nga TVSH-ja në import.
Tashmë është ‘problem kronik’ mos harxhimi i parave. Janë 300 milionë euro shpenzime të planifikuara dhe të parealizuara. Deri në fund të dhjetorit Ministria e Financave thotë se janë shpenzuar 8 miliardë euro, ndërsa plani ishte që të harxhoheshin pak më shumë se 8.3 miliardë euro.
I gjithë problemi duket se ka ardhur nga mos-realizimi i investimeve pasi shpenzimet kapitale nga më shumë se 1.6 miliardë euro të planifikuara, rezultuan 1.3 miliardë euro në fund të vitit. Ndërsa shpenzimet korrente deri në fund të vitit ishin 6.5 miliardë euro.
Komente










