Kush do t’i paguajë faturat e qirasë për partitë politike parlamentare që nuk kanë një godinë shtetërore në dispozicion?
Kjo pyetje ka vënë në lëvizje dy institucione kyçe: Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe Ministrinë e Financave, të cilat kanë shkëmbyer një korrespondencë zyrtare gjatë muajit shkurt të këtij viti.
Në qendër të këtij komunikimi është kërkesa e KQZ-së për të siguruar mbulimin financiar të selive për ato subjekte politike që kanë përfaqësim në Kuvend, por që nuk janë akomoduar në prona publike.
Përmes një shkrese të siguruar nga Report TV, më datë 12 shkurt 2024, KQZ i është drejtuar zyrtarisht dikasterit të Financave ku kërkohet fond për partitë për vitet 2025 dhe 2026.
“Për vitin 2025 vlera për tu kompensuar për 8 parti parlamentare është 9 600 000 lekë dhe për vitin 2026 vlera për 13 parti parlamentare është 15 600 000 lekë”.-thotë KQZ.
Nga ana tjetër, Ministria e Financave ka refuzuar të japë fondin shtesë 250 mijë eurosh. Më datë 21 shkurt 2024, ky institucion ka kthyer një përgjigje duke i kërkuar KQZ-së që partitë t’i mbulojnë qiratë e tyre të zyrave me financimin vjetor që ju jep shteti.
“Fondi publik i miratuar në buxhetin e shtetit si ndihmë financiare, përdoret nga partia edhe për qiranë. Në këto kushte, nga ana e partive politike parlamentare, për mbulimin e shpenzimeve të qirasë duhet të përdoren fondet e miratuara tashmë”,-thotë qeveria.
Për vitin 2026, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpërndarë fondin total prej 3.6 milionë eurosh.


Komente










