Bashkurti: Për krizën Shqipëri-Iran: As panik, as eufori, por më shumë vigjilencë dhe siguri

Bashkurti: Për krizën Shqipëri-Iran: As panik, as eufori, por më shumë vigjilencë dhe siguri

Viti 2020 filloi me një krizë komplekse midis ShBA dhe Iranit në qëndër të Lindjes së Mesme. Politika, opinioni publik dhe media shqiptare e kanë ndjekur gjithë këtë teatër krize në Lindjen e Mesme me interes të lartë. Politika shqiptare në unison mbështeti veprimet, qëndrimet dhe deklarimet e ShBA në Lindjen e Mesme dhe në qasjet ndaj Iranit. Gjithashtu, politika shqiptare, njëzëri ka qënë kritike për regjimin e Iranit dhe politikën e tij në Lindjen e Mesme si dhe ka dënuar veprimtarinë e gjeneral Suljemanit, si terrorist i rrezikshmërisë së lartë ndërkombëtare dhe që, për këtë arsye, ekzekutimi i tij ka qënë i drejtë dhe i dobishëm në mbrojtje të interesave të ShBA si dhe të paqes dhe sigurisë në Rajon.

Ndërkohë, në politikën shqiptare, në opinionin publik dhe në media ka pasur qasje të ndryshme, herë-herë edhe kontradiktore lidhur me krizën ShBA-Iran. Pjesa më rëndësishme e këtij debati publik e mediatik është bërë rreth qasjes së Shqipërisë lidhur me konfliktin ShBA-Iran dhe përfshirjen e saj në të, si dhe për shkallën e kërcënimit që mund të sjellë ky qëndrim dhe kjo përfshirje për sigurinë e vëndit.

Ndërkohë, ajo që bie në sy është deklarimi i kreut të Qeverisë Shqiptare, Rama, nga Vjena, sipas të cilës, “Shqipëria nuk është e kërcënuar nga Irani, sepse është e mbrojtur nga NATO”. Mendoj se një deklaratë e tillë e kreut të Qeverisë, Rama, nuk pasqyron qartësisht situatën e krizës ShBA-Iran në Lindjen e Mesme, përfshirjen e Shqipërisë në të, kushtet specifike të Ballkanit dhe të vëndit tonë në aspektin e sigurisë si dhe kërcënimet që rrjedhin prej saj. Deklarata e kreut të Qeverisë, z. Rama, e cila mund të jetë nisur nga dëshira për të mënjanuar panikun, në fakt është e ngarkuar me eufori, që nuk adreson sa dhe si duhet situatën e krizës ShBA-Iran, përfshirjen e Shqipërisë në të, si dhe specifikat e Ballkanit dhe vëndit tonë si dhe kërcënimet e sigurisë kombëtare.

1. Gadishulli Ballkanik i kërcënuar nga kriza

Gadishulli Ballkanik nuk është larg zonës së krizës në Lindjen e Mesme. Gjeografikisht, Ballkani konsiderohet hapsirë e ekspozuar së tepërmi nga kërcënimet e sigurisë. Në tre anët e tij, Jug, Lindje dhe Perëndim, Ballkani laget nga dete, të cilët përbëjnë rrugë me kalime të pakufizuara, për prosperitet në raste paqeje, por edhe për kërcënime në raste krizash, konfliktesh dhe luftrash.

Krizat e fundit, në Ukrainë, në Lindjen e Mesme, në Vëndet e Magrebit kanë goditur direkt Gadishullin Ballkanik. Gadishulli është shndërruar një nga tre rrugë-kalimet e valëve emigrative, refugjatëve të zonave të krizave, trafiqeve të paligjshme, kontrabandave dhe krimit të organizuar. Ngushtica e Gjibraltarit, ishulli Lampeduza dhe Gadishulli i Ballkanit kanë qënë dhe mbeten tre korridoret e transferimit të krizave nga Lindja e Mesme dhe Magrebi drejt Kontinentit Evropian.

Në mënyrë të vecantë, Shqipëria, si një vënd kufiri i së cilët laget në më të shumtën e tij nga Detet Adriatik dhe Jon, është vecanërisht e kërcënuar nga krizat e Lindjes së Mesme dhe të Magrebit. Strukturat e sigurisë mbrojtëse në tokë, në det dhe në ajër të Ballkanit përgjithësisht dhe të Shqipërisë vecanërisht, janë të pamjaftueshme për të përballuar këtë fluks krizash në hapsirat tona sovrane. Prandaj, cdo ngritje tensioni, cdo përshkallëzim konflikti dhe aq më shumë cdo përplasje e armatosur në Lindjen e Mesme dhe në Magreb, në mënyrë të pashmangshme kërcënojnë sigurinë në Ballkan dhe në Shqipëri.

2. NATO, mbrojtje kolektive dhe kontribut individual

Në deklaratën e mësipërme Kryeministri Rama, e shpreh se Shqipëria është e mbrojtur nga NATO. Kjo është e vërtetë. Si anëtare e NATO, Shqipëria përfton siguri e mbrojtje nga NATO, bazuar në Artikullin 5 të Traktatit të Organizatës për mbrojtjen kolektive. Por, ama, është po aq e vërtetë, se koncepti i mbrojtjes kolektive të NATO, definohet si bashkim rolesh dhe kontributesh individuale, si bashkim investimi dhe prodhimi në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes të cdo vëndi anëtarë.

Të konceptuarit e mbrojtjes kolektive të NATO, si një ekskludim të përgjegjësive dhe rolit të cdo vendi anëtarë, për të investuar dhe prodhuar siguri dhe mbrojtje individuale është konceptim jo i saktë. Koncepti i NATO për mbrojtjen kolektive ngrihet mbi tërësinë e rolit dhe kontributit të shteteve individuale. Sa më shumë rol, investim e prodhim sigurie e mbrojtje të kenë shtetet individuale, aq më e fuqishme bëhet mbrojtja kolektive e NATO. Qasja e kundërt do të dobësonte NATO-n dhe do krijonte vrima pasigurie në hapsirën Euro-Atlantike. Koncepti i NATO për mbrojtje kolektive nuk është transferim përgjegjësie nga shtetet anëtare te strukturat e Aleancës, por, është përgjegjësi përfshirjeje e cdo shteti anëtare, me rol, kontribut dhe investim në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Pikërisht, këtë koncept ka lancuar së tepërmi vitet e fundit Presidenti Tramp mbi vëndin dhe rolin e NATO. Ai vazhdimisht ka theksuar që NATO mund të adresojë krizat bashkëkohore dhe t’i shërbejë të ardhmes së paqes e sigurisë në hapsirën Euro-Atlantike vetëm nëse cdo shtet anëtar rritë rolin dhe kontributin e vet individual në strukturat e sigurisë kolektive të Organizatës. Presidenti Tramp ka apeluar që cdo shtete anëtar duhet të paguaj kontributet për Organizatën. Madje, Ai ka theksuar se mbështetja e Aleancës për shtetet individuale do jetë proporcionalisht me kontributin e tyre individual në Organizatë. Në mënyrë specifike, mbas krizës ShBA-Irak të këtij fillim viti, Presidenti Trump ka apeluar për një përfshirje më të madhe të NATO, cka do thotë edhe shteteve individualer të saj, në krizën e Lindjes së Mesme.

Apeli i Presidentit Tramp që cdo vënd anëtar i NATO të paguajë kontributet financiare për Organizatën, nga njëra anë, dhe thirrja e ditëve të fundit që NATO të përfshihet më shumë në krizën e Lindjes së Mesme, lypet të dëgjohet me kujdes nga cdo shtet anëtarë i Organiztës dhe nga Shqipëria vecantërisht.

3. Shqipëria në krizë me Iranin

Kur them se apeli i Presidentit lypet dëgjuar me kujdes nga Shqipëria vecanërisht, kam parasysh se specifikisht marrëdhëniet e Shqipërisë me Iranin janë në gjëndje krize. Marrëdhëniet politike janë tërësisht të ngrira. Marrëdhëniet diplomatike janë në nivelin më të ulët. Marrëdhëniet ekonomike e tregëtare as që llogariten. Ndërkohë, marrëdhëniet kulturore, arsimore e shkencore janë thuajse në rrafshin zero.

Pikun kriza bilaterale diplomatike Shqipëri-Iran e arriti vitin e kaluar. Le të kujtojmë se në vitin 2019, për shkaqe veprimtarie konspirative e kërcënuese të Ambasadës së Iranit në Shqipëri, qeveria e shpalli ‘non grata’ Ambasadorin Iranian, duke e përzënë nga vëndi. Përzënia e ambasadorit është një nga treguesit më të lartë të krizës në marrëdhëniet midis dy vëndeve.

Për këtë situatë krize, prej kohësh diplomacia Iraniane është përpjekur të fajësojë ‘faktorë dhe palë të treta’, midis Iranit dhe Shqipërisë. Kështu në shkurt të vitit të kaluar, 2019, kreu i Misionit të Iranit në Shqipëri, Amir Ali Taghikhani deklaroi me një gjuhë të kamufluar diplomatike se “Shqipëria është një vend i rëndësishëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe Republika Islamike e Iranit e kupton më së miri dhe qartazi këtë rëndësi. Megjithatë faktorë dhe palë të treta janë duke influencuar negativisht në marrëdhëniet midis tyre…”.

Cilët janë faktorët dhe palët e treta që, sipas diplomacisë Iraniane po influencojnë negativisht në marrëdhëniet midis tyre? Qartësimin e kësaj pyetje na e bëri ditët e fundit lideri suprem i Iranit, Khameini, në adresimin pas varrimit të general Suljemanit dhe goditjes kundërvepruese kundër ShBA në Irak.

Aktualisht, niveli i krizës Shqipëri-Iran ka hyrë në fazë të re. Fakti i deklarimit të liderit suprem, Khamenei kundër Shqipërisë, e ngre në shkallë më të lartë kërcenimin per Shqipërinë. Kryefjala e fjalimit të Khameinit ishin akuzat dhe paralajmërimet ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por në të njëjtën kohë edhe ndaj shteteve të tjera aleate të saj. Ali Khamenei, në nëntekst e konsideroi Shqipërinë një prej këtyre shteteve pro Amerikane. Për herë të parë, lideri suprem Iranian foli me nënkuptim, por qartazi për Shqipërinë. Ndonëse nuk e përmendi me emër, Shqipërinë, aludimet ishin shumë të kuptueshme. Ai tha se “Një vend i vogël europian, shumë i vogël dhe djallëzor ka bërë komplot me SHBA dhe tradhëtarët e MEK kundër Iranit”.

Pra, dy janë shkaqet që identifikojnë njëkohësisht edhe ‘palët e treta’, sipas Khameinit, që Shqipëria renditet në shtete armike që komploton kundër Iranit: së pari, është aleanca e fortë ShBA-Shqipëri dhe; së dyti, ekzistenca e muxhahidinëve të MEK në Shqipëri, të cilët punojnë ndërkombëtarisht kundër regjimit aktual autokrat dhe teokratik Iranian. Khameini e përfshiu Shqipërinë në rrathë të dyfishtë armiqësie me Iranin. Shqipëria konsiderohet si komplotues me ShBA kundër interesave të Iranit. Dhe jo vetëm kaq, por Shqipëria konsiderohet edhe si vënd komplotues me MEK kundër regjimit politik të këtij vëndi, duke strehuar dhe mbështetur opozitën politke Iraniane në Shqipëri. Pra, Khamenei e konsideron publikisht Shqipërinë shtet armiqësor kundër Shtetit të Iranit dhe kundër regjimit politik të tij.

Ky vlerësim në rrathë të dyfishtë të Shqipërisë nga Irani, deri kohë më parë, ka qënë i rezervuar nga bërja publike kombëtare dhe ndërkombëtare. Pozicionimi armiqsor i Iranit kundër Shqipërisë, përbën kërcënim maksimal për Shqipërinë, Shtetin dhe qytetarët shqiptarë kudo në botë.

Realisht dhe potencialisht, Irani ka drejtpërdrejtë agresivisht si shtet por, edhe tërthorazi si rrjet terrorist rajonal e më gjërë. Dekaratat armiqësore të Khameinit kundër Shqipërisë, të bëra publike për herë të parë, përbëjnë kërcënim real për Shqipërinë dhe shqiptarët. Për momentin më të rrezikuara janë trupat shqiptare që veprojnë në kuadër të forcave ndërkombëtare kundër terrorizmit, në Irak dhe në Afghanistan. Deklaratat e Khameneit mund të mobilizojnë forca shtetërore Iraniane ose struktura të caktuara terroriste, paramilitare, grupe fanatikësh radikale, elementë xhihadistë, radikalë shiitë në Irak, Afghanistan, në Rajon, por nuk perjashtohen mundësitë edhe në Ballkan dhe në Shqipëri. Irani është potencialisht vënd agresor, por mbi të gjitha për kushtet specifike, më shumë sesa në nivel shtetëror, angazhimi i tij kërcënues është më i mundshëm përmes strukturave terroriste të shpërndara në një hapsirë të gjërë Rajonale.

4. Fushat e kërcenimit Iranian për Shqipërinë

Situatën e sigurisë së Shqipërisë përballë Iranit e kanë pasur në fokus të analizave edhe shumë ekspertë të lartë të sigurisë. Pra, nuk ka fare vënd për eufori. Ekspertët e sigurisë të ShBA, kanë bërë me dije se Shqipëria është në rrathët e kërcënimit Iranian.

Gjenerali amerikan Michael Barbero, në një intervistë të ditëve të fundit, duke folur për Shqipërinë dhe krizën me Iranin, ka theksuar se për fat të keq Shqipëria konsiderohet si një shënjestër e Iranit. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në një takim në Tiranë për sfidat e sigurisë, gjenerali Barbero deklaroi se fatkeqësisht çdo mik i SHBA apo aleat i tyre mund të shikohet si një shënjestër. Shqipëria nuk bën perjashtim. Ai tërhoqi vëmendjen që vigjilenca të jetë e lartë, veçanërisht në përpjekjet kundër terrorizmit dhe në fushën kibernetike, pasi Irani ka disa aftësi mjaft të sofistikuara për sulmet kibernetike.

Pra, në këto dy fusha, terrorizmi dhe kibernetika janë potencialisht kërcënuese për Shqipërinë nga Irani. Ky fakt nuk lëkund dhe as nuk vë në dyshim aleancën strategjike Shqipëri-ShBA. Por Shqipëria, përballë kësaj situate të re sigurie, lypet të mendojë më racionalisht dhe të marrë masa dhe veprime më aktive active, me qëllim që aleancën strategjike Shqipëri-ShBA ta konsiderojë dy dimensione, në përfitimet dhe në koston e saj. Cdo vështrim i njëanshëm nuk i shërben as Shqipërisë, as ShBA dhe aq më pak aleancës strategjike midis tyre.

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sot sondazhi i fundvitit në Report Tv/ Si ndahen mandatet në 5 qarqet më të rëndësishme! Çfarë mendojnë shqiptarët për mbylljen e TikTok-ut

Sot sondazhi i fundvitit në Report Tv/ Si ndahen mandatet në 5 qarqet më të rëndësishme! Çfarë mendojnë shqiptarët për mbylljen e TikTok-ut