SHBA- New York Knicks vazhdon marshimin perfekt në finalet play-off të NBA, teksa siguroi edhe fitoren e tretë radhazi në Konferencën e Lindjes ndaj Cleveland Cavaliers me rezultatin 121-108.
Skuadra nga New Yorku dominoi sfidën që nga minuta e parë, duke marrë kontrollin e lojës dhe duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt finales së madhe të NBA. Knicks tashmë kryeson serinë në 3-0 dhe i duhet vetëm një fitore për të siguruar rikthimin në finale pas plot 27 vitesh pritje.
Heroi i vendasve ishte Jalen Brunson me 30 pikë, i mbështetur nga Mikal Bridges që realizoi 22 pikë dhe OG Anunoby me 21 të tjera. Knicks shkëlqeu në aspektin sulmues, duke realizuar 43 gjuajtje nga 77 tentativa, ndërsa tregoi saktësi të lartë edhe nga vija e gjuajtjeve të lira.
Me këtë triumf, skuadra njujorkeze regjistroi fitoren e dhjetë radhazi në play-off, duke hyrë në historinë e NBA-së si ekipi i shtatë që arrin një seri të tillë suksesesh. Për më tepër, diferenca totale prej +225 pikësh gjatë këtyre 10 ndeshjeve përbën një prej statistikave më mbresëlënëse në historinë e elitës së basketbollit amerikan.
Në anën tjetër, për Cavaliers më i dalluari ishte Donovan Mitchell me 23 pikë, ndërsa James Harden shtoi 21 pikë.
Momenti vendimtar i takimit erdhi në fillimin e çerekut të fundit, kur Landry Shamet realizoi tre goditje të shpejta për tre pikë, duke i dhënë Knicks një epërsi të pakapshme dhe duke vulosur një tjetër mbrëmje historike për skuadrën e New Yorku.
Komente








