I përkufizon iranianët si “bastardë të çmendur”. Përmend edhe Allahun. Donald Trump ka shkuar përtej, madje edhe krahasuar me standardet e tij. Një post vulgar në profilin e tij në Truth, ku ka rikthyer kërcënimet, këtë herë edhe më të ashpra, ndaj Teheranit për hapjen e Ngushticës së Hormuzit. Megjithatë, ai ka shtyrë ultimatumin deri nesër.
Postimi i Trump
Më 7 prill, “në Iran do të jetë dita e centralit elektrik dhe e urës, të gjitha bashkë”, ka shkruar dje Trump në postimin e tij. “Hapeni këtë Ngushticë të mallkuar, bastardë të çmendur, përndryshe do të jetoni në ferr. Do ta shihni! Lavdi Allahut”.
Pak më parë, presidenti amerikan kishte parashikuar (si zakonisht) një marrëveshje të afërt: “Mendoj se do ta arrijmë deri nesër (të hënën). Dhe nëse nuk veprojnë shpejt, po shqyrtoj ta hedh gjithçka në erë dhe të marr kontrollin e naftës. Do të shihni ura dhe centrale elektrike që shemben kudo”. Ai nuk e ka përjashtuar as një pushtim tokësor. Këtë e ka deklaruar në një intervistë për The Hill: kur u pyet nëse përjashtonte dërgimin e trupave tokësore, ai u përgjigj me një “jo” të fortë.
Ultimatumi për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe arritjen e një marrëveshjeje për armëpushim ishte caktuar nga presidenti amerikan për sot, por dje ai e shtyu afatin në “orën 20:00 të së martës”, sipas orës lokale lindore të SHBA-ve.
Kritikat e demokratëve
Postimi ka shkaktuar indinjatë te demokratët në SHBA. Jim McGovern, përfaqësuesi më i lartë demokrat në Komisionin për Rregullat e Dhomës së Përfaqësuesve, i përshkroi kërcënimet si “plotësisht të çekuilibruara dhe jashtëzakonisht të rrezikshme. Është psikozë. Presidenti i Shteteve të Bashkuara ka nevojë për ndihmë”.
Edhe senatori Edward Markey nga Massachusetts shtoi: “Një postim i çoroditur dhe vulgar që kërcënon me krime lufte nëse nuk rihapet Ngushtica e Hormuzit”.
Përgjigjja e Teheranit
Përgjigjja nga Teherani nuk vonoi. Presidenti i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, iu drejtua Trump në X: “Veprimet e tua të pamenduara po i tërheqin Shtetet e Bashkuara në një ferr të vërtetë për çdo familje, dhe i gjithë rajoni ynë do të digjet sepse ti këmbëngul të ndjekësh urdhrat e Netanyahut. Mos u mashtroni: nuk do të arrini asgjë duke kryer krime lufte”.
Edhe Garda Revolucionare duket se e largon mundësinë e një rihapjeje të afërt të Ngushticës. Përkundrazi: “Hormuzi nuk do të kthehet më kurrë në gjendjen e tij të mëparshme”, deklaron marina e trupave të Gardës Revolucionare./Repubblica
Komente











