Ish-zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ralf Gjoni i ftuar në studion e Report Tv e cilësoi si mjaft pozitiv vendimin e NATO-s për të ngritur një bazë ajrore në ish-aeroportin e Kuçovës. Gjoni tha se ky vendim i NATO-s është shpërblim për kontributin e Shqipërisë si një prej vendeve anëtare të Aleancës e cila është bërë pjesë misioneve të saj për paqen në botë.
Është modernizimi i një fushe ajrore ekzistente, është një lajm shumë i mirë, e konfirmoi kryeministri, shumë u tallën, pasi e konfirmoi edhe zëdhënësi i NATO-s. Jemi një vend anëtar i NATO-s, kemi kontribuar në Irak, Afganistan. Për shkak se jemi një kontributor pozitiv, kjo na njihet nga NATO dhe është normale që të investojë në modernizimin e bazës së Kuçovës.
Ralf Gjoni, ekspert i politikës së jashtme
Eksperti i politikës së jashtme e ve theksin edhe te modernizimi i ushtrisë shqiptare. Sipas tij, ka ardhur koha që Shqipëria të ketë avionët dhe helikopterët e saj si dhe flotën detare.
Ne na duhet flota ajrore, na duhen avionë, helikopterë, na duhet flota detare. Është domethënëse që NATO do jetë prezente në një bazë ajrore. Por mendoj që edhe për popullsinë e zonës është lajm i mirë, pasi shtimi i kapaciteteve ushtarake në atë bazë do shtojë edhe nevojat për popullsinë. Na duhen sa më shumë projekte që të gjenerojnë vende pune.
Ralf Gjoni, ish-zëdhënës i Ministrisë së Jashtme
Sa i takon tezës së rishikimit të kufijve, Gjoni tha se gjithçka është retorikë politike, pa asnjë propozim konkret mes Kosovës dhe Serbisë.
Personalisht për momentin e shoh si një shkëmbim deklaratash, pa asnjë substancë ligjore dhe propozim konkret sepse nuk kemi të bejmë me një propozim zyrtar konkret te Serbisë ndaj Republikës së Kosovës për të diskutuar për një çështje të tillë. Kemi deklarata të cilat përplasen me njëra-tjetrën në ajër dhe reagimi i Shqipërisë në rastin konkret të z.Berisha të them të drejtën duke ditur që doktori i di mirë çështjet e rajonit, më duket i nxituar, sepse nuk mendoj që është vendi i politikanëve shqiptarë për të folur për një çështje që nuk është hapur ende zyrtarisht nga Beogradi dhe Prishtina.
Për mendimin tim nuk ka asnjë gjë të keqe që të flitet apo të diskutohet për alternativa të ndryshme. Kemi një dialog që vazhdon mes Beogradit dhe Prishtinës i mbështetur dhe nga Bashkimi Europian dhe në kuadër të këtij dialogu unë mendoj që nuk ka asnjë lloj tabuje për të folur për të gjitha çështjet e mundshme pse jo dhe për korrigjimin e kufirit.
Çështjet që kanë të bëjnë më kufrin dhe kufijtë mes shteteve janë një praktikë e njohur në mardhëniet ndërkombëtare. Përsa kohë që çështjet e kufirit zgjidhen përmes praktikave ose marrëveshjeve bilaterale ose trilaterale kur kemi të bëjmë me tre shtete atëherë nuk ka asnjëlloj problemi, kufijtë janë të ndryshueshëm nuk janë statik.Ralf Gjoni, ish-zëdhënës i Ministrisë së Jashtme