Sa më poshtë, vijon artikulli i Carlos Elbirt
Shqipëria nën hijen e piramidave
Nga Carlos Elbirt
Fati i Shqipërisë duket se është i lidhur me piramidat. Ismail Kadare, shkrimtari i famshëm bashkëkohor dhe i kandiduar disa herë për çmimin Nobel, ka shkruar një libër me titullin "Piramida". Por shqiptarët gjithashtu mësuan se ç'ishin piramidat e fajdeve kur depozitimi i parave me shpresën e marrjes së interesave rekord u kthye në një lloj sporti kombëtar.
Pas rënies së komunizmit, sektori i ri privat solli një rritje të depozitave, sëbashku me prurjet nga 400 mijë shqiptarë që punonin kryesisht në Greqi e Itali. Në vitin 1995, kursimet e privatëve ishin sa 15 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto, rreth 350 milionë dollarë, duke u nisur nga gati zero dy ose tre vite më parë. Këto para, të kombinuara me remitancat nga jashtë, arritën në më se 600 milionë dollarë në vitin 1995 dhe më shumë se 700 milionë ne vitin 1996.
Klasa e re e njerëzve me para por pa përvojë u bë një objektiv i lehtë për mashtrues,që premtuan norma të jashtëzakonshme interesi për ta, në rast se hynin në skemat e tyre. Në fillim, ata i mbajtën premtimet, duke paguar detyrimet me valën e re të parave nga investues të tjerë. Për këtë arsye, këto skema quhen piramida: që të mbahet në këmbë sistemi, duhet që të rritet sa më shpejt baza e depozituesve. Një grua u ofroi interesa 20-30 për qind në muaj investitorëve dhe askush nuk e pyeste se si e përballonte, në një kohë kur inflacioni vjetor ishte vetëm 13 për qind. Para se ta arrestonin, ajo mblodhi nga depozituesit naivë 50 milionë dollarë dhe nuk e vrau mendjen t'i investonte paratë, duke krijuar një piramidë "të pastër". Ndërkohë, disa piramida të tjera kryen investime reale, duke ndërtuar supermarkete, komplekse zyrash apo pika karburanti.
Dy piramida çuan paratë në llogari të bankave tregtare, ku, në vitin 1996, në kuadrin e etheve të pramidave, grumbulluan 250 milionë dollarë dhe i mbajtën aty, ndoshta duke marrë masat në rast se dyndeshin qytetarë nga të katër anët e vendit duke kërkuar paratë e humbura. Në fillim të vitit 1997, kur shpërtheu kriza, banka qendrore ngriu këto 250 milionë dollarë, për të mbrojtur jo vetëm qytetarët por edhe vetë sistemin, që nuk do të mbijetonte në rast të një tërheqjeje të shpejtë të tyre. Më pas, qeveria u ktheu këto 250 milionë USD depozituesve, pa interesa, po ata merrnin deri në 50 për qind të shumave, në para ose në certifikata depozitash. Një piramide, që mblodhi 100 milionë dollarë në Jug dhe i investoi në disa hotele e në një pikë karburanti, këto prona iu kthyen realisht në tym, pasi ja dogjën turmat e irrituara.
Një kompani tjetër - më e madhja - mund të ketë grumbulluar rreth 500 milionë dollarë, që i investoi në supermarkete, agjenci udhëtimi, prona të patundshme, madje edhe në një stacion televiziv. Asetet e saj arritën në 6 miliardë dollarë, të paktën sipas faturave. Një tjetër mblodhi 50 milionë që i investoi në miniera. Askush nuk i gjeti ndonjëherë këto miniera, por u tha se gjithshka ishte bërë më mbështetjen e zyrtarëve të lartë të ministrisë që mbulonte sektorin minerar. Të tjerat ishin kompani të vogla.
Vlera totale e depozitave në 16 piramida ishte 1.2 miliardë dollarë para se të shpërthente revolta, sa gjysma e PBB-së së vendit.
Për fat të keq, paratë nuk rriten në pemë. Për mua nuk ishte e vështirë të parashikoja që në tetor të vitit 1996 se piramidat do të përjetonin një kolaps. Banka Botërore paralajmëroi autoritetet më të lartë për rrezikun e piramidave që në mes të vitit 1996. Madje edhe më herët, punonjës të BB që e njihnin këtë fenomen u treguan zyrtarëve qeveritarë pasojat që priteshin. Guvernatori i bankës qendrore i kërkoi qeverisë dhe presidentit Berisha të nxirrte jashtë ligjit operacionet piramidale për mbledhjen e depozitave. Kjo ishte e mundur, të paktën ligjërisht, duke qenë se vetëm bankat ishin të licensuara dhe piramidat nuk ishin. Por, në fund të vitit 1996 gjyqtarë të emëruar nga presidenti vendosën se paraja e grumbulluar nga piramidat mund të quhej "kredi dypalëshe", që ishin subjekt i kodit civil, por jo i ligjit mbi bankat.
Në tremujorin e fundit të vitit 1996 interesat e paguara nga piramidat filluan të rriten shumë - 30%, 40% dhe madje 50% në muaj. Inflacioni vjetor ishte ende nën 20 për qind, por dukej qartë se kolapsi ishte i pashmangshëm. Më në fund, në fillim të 1997-ës të gjitha piramidat deklaruan se nuk mund të shlyenin detyrimet. Qytetarët fajësuan për këtë qeverinë dhe kolapsi përfundimtar i piramidave provokoi një kryengritje antiqeveritare dhe një kaos civil në shkurt dhe mars. Kjo do të sillte rënien e presidentit dhe të qeverisë.
Pse populli fajësoi qeverinë? Qeveria as nuk kërkoi dhe as nuk këshilloi publikun që të investonte në piramidat. Por ajo toleroi, madje legjitimoi, këto aktivitete, sipas kritikëve të saj. Me të vërtetë ministri i Financave bëri një paralajmërim të ndrojtur dhe formal ndaj rrezikut të investimit në piramida (që, më tepër, u duk se bëhej për të kënaqur FMN dhe BB, se sa për të ndaluar piramidat). Por publiku nuk mund të besonte se një skemë që kishte hyrë në të gjitha familjet shqiptare të mos ishte e garantuar nga qeveria. Për më tepër, menaxherët e piramidave shiheshin në pritje zyrtare, intervistoheshin çdo ditë në televizionin e kontrolluar nga qeveria. Bashkëpunimi i tyre më Partinë Demokratike të presidentit Berisha ishte i qartë (më vonë edhe i pranuar). Shumë protestues madje deklaronin se piramidat ishin krijesë e qeverisë ose, më qartë akoma, e presidentit. Por piramidat morën përkrahje edhe nga parti të tjera dhe nga grupe të tjera të interesit. Në fund të fundit, qëllimi i tyre ishte të përfitonin të gjithë.
Pasi të gjitha piramidat ju nënshtruan administrimit nga jashtë, sikurse vendosi një ligj i miratuar nga parlamenti i vendit, asetet e tyre u mblodhën, aq sa mundej, llogaritë e tyre iu nënshtruan auditit, emrat e kreditorëve u identifikuan dhe kapitali u rishpërnda në bazë të një formule. Deri në këtë fazë, fati i Shqipërisë mbeti i lidhur me atë të piramidave.
Shqipëria ekonomikisht po ecte mirë deri sa shpërtheu kriza, të paktën kështu dukej në sipërfaqe. Prodhimi i Brendshëm Bruto i vendit po rritej shpejt, inflacioni u ul në nivele njëshifrore dhe, megjithëse u rrit mbi këtë kuotë në vitin 1996, sërish mbeti relativisht i ulët, në nivelin 17 për qind. Monedha kombëtare, leku, ishte e qendrueshme. Investimet e huaja, në përputhje me madhësinë dhe pasurinë e këtij vendi, filluan të rriten në mënyrë të dukshme. Por institucionet ishin jashtëzakonisht të dobta dhe ato nuk u përmirësuan dhe as fituan forcë. Shoqëria civile kryesisht ishte inekzistente, me përjashtim të disa fondacioneve të huaja. Sektori privat ishte shumë i suksesshëm, por sektori publik ishte i paaftë të jepte atë që pritej prej tij. Nuk duhet habitur pse Shqipëria ka probleme të jashtëzakonshme, duke qenë se fati i një shoqërie varet, në fund të fundit, nga fuqia e institucioneve të saj, sektorit publik dhe shoqërisë civile.
Vendi do të vijojë të ketë probleme në rast se institucione të tilla si gjyqësori apo burokracia mbeten të dobët. Nuk është e vërtetë se zhvillimi është një problem institucionesh në rradhë të parë; jo, ai është problem institucionesh në rradhë të parë, të dytë dhe të tretë…!
Shkrimi u publikua dje ne gazeten Shqiptarja.com, 10 tetor 2012
(sg/shqiptarja.com)