BB: Pro aksionit kundër evazionit 
por të mos preken shtresat e varfra

BB: Pro aksionit kundër evazionit <br />por të mos preken shtresat e varfra
TIRANE- Banka Botërore është shprehur pro aksionit masiv të qeverisë kundër evazionit, por sipas saj masat nuk duhet të preknin shtresat e varfra të popullsisë. Gjatë prezantimit të raportit për situatën ekonomike në rajonin tonë, kreu i përfaqësisë së Bankës Botërore Tahseen Sayed, nenvizoi faktin se aksioni nuk duhet të jetë selektiv.

Dy gjëra që dua t’i theksoj. Së pari lufta kundër informalitetit duhet të jetë e vazhdueshme dhe së dyti duhet të zbatohet ndershmërisht në të gjitha segmentet e ekonomisë dhe biznesit, çka krijon besueshmëri në sytë e publikut, që reformat janë të ndershme dhe zbatimi i ligjit është i barabartë për të gjithë”, tha Tahseen Sayed gjatë komunikimit me gazetarët.

Të varfërit
Kreu i përfaqësisë së BB në Shqipëri theksoi gjithashtu se qeveria do duhet të sigurojë mekanizma të mjaftueshëm sociale për të adresuar pasojat apo çështjet afatshkurtra që mund të dalin mbi segmentet më të varfëra të shoqërisë. Në këtë pikë, roli i paketave të mbrojtjes sociale, përshtatja e tyre për t’ju përgjigjur direkt çdo pasoje që këto reforma kanë mbi shtresat në nevojë, është kritik.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme qe çdo mase qe merret, duhet komunikuar me publikun dhe biznesin gjithashtu. Niveli i ashpërsimit te gjobave lidhet me planin e qeverise për te ulur informalitetin. Ajo që vlen të theksohet është që të bëhet kujdes me zbatimin e tyre në praktikë, pasi të gjithë duhet të jenë të barabartë përpara ligjit. Reformat janë të rëndësishme, pasi duhet krijuar besim në publik për mënyrën se si ato zbatohen”, tha Sayed.

Konsumi 
Ndërsa prezantoi treguesit e raportit për shqipërinë, Sayed vërejti se pritet një rënie e konsumit gjatë muajve në vazhdim. Spas Bankës Botërore, treguesit e konsumit priten të jenë në ulje gjatë vitit 2015 dhe në vazhdim, për t’u përmirësuar me kalimin e kohës, me ndyrshimin e situatës ekonomike në vendet nga të cilat vijnë remitancat në Shqipëri.

“E dyta është besimi konsumator që duket se nuk po kthehet në nivelet mesatare afatgjatë. Kjo mund të lidhet me shumë arsye dhe situatën ende problematike të tregut të punës. Pavarësisht përmirësimeve të fundit, papunësia është e lartë, pjesëmarrja në forcën e punës është tepër e ulët dhe nga ana tjetër mund të ndikojnë përpjekjet për formalizimin e ekonomisë. Ndoshta për një kohë të shkurtër mund të jetë ndonjë goditje në konsum”, tha Ilda Shijaku, ekonomiste pranë degës shqiptare të Bankës Botërore.

CEZ
Ndërsa Shqipëria ndodhet në kulmin e debateve për skandalin e CEZ, e madje politika kërkon përfshirjen në hetime edhe të prokurorëve ndërkombëtare, Banka Botërore, institucioni që pati rol garantues në procesin e privatizimit, thotë se BB ishte vetëm këshilluese ndaj qeverisë shqiptare, dhe se afera me CEZ është çështje që i takon vendit tonë.

“Unë nuk kam asnjë koment zyrtar lidhur me çfarë po diskutohet ne vend për çështjen e CEZ-it, pasi është diçka e brendshme e juaja. Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, kane dale si një garant për te thjeshtuar procesin e privatizimit te sistemit te Shpërndarjes se Energjisë. Sa i përket bashkëpunimit dhe përfshirjes tone ne këtë proces, mund te them se ne dhamë ndihmën tone për përgatitjen e kuadrit ligjor, tani debati është shume i brendshëm. Ne ishim këshillues ne procesin e privatizimit, ndaj s’kemi koment për këtë çështje" tha Sayed.

Përfaqësuesja e BB-së, Tahseen Sayed, tha se qeveria duhet t’i shoqërojë me politika sociale reformat si ajo kundër informalitetit dhe në sektorin e energjisë për mbledhjen e faturave të prapambetura.
 
Raporti/ Emigracioni në mendjen e Ballkanit

BB: 45% e të rinjve në rajon të papunë
 
 
Aktiviteti ekonomik në të gjashtë shtetet e Europës Juglindore(EJL6) po shkon përpara, dhe rritja në rajon pritet që të arrijë mesataren e 1.8 përqind në vitin 2015, e krahasuar me vetëm 0.3 përqind në vitin 2014, sipas Raportit të fundit të rregullt ekonomik të Bankës Botërore. Investimet private janë bërë shtysë kryesore e rritjes rajonale në të gjashtë shtetet e Europës Juglindore.

Sipas raportit, gjatë vitit 2015, rritja ekonomike në të gjithë rajonin është nxitur nga rimëkëmbja e kërkesës së brendshme dhe zhvillimet në ekonominë globale. “Përqindjet e rritjeve më të mëdha të parashikuara për 2015 janë 3.4 përqind për Malin e Zi dhe 3.2 përqind për Ish Rep. Jugosllave të Maqedonisë; më e ulëta është ajo e Serbisë me 0.5 përqind. Megjithëse, Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina janë pas shteteve të tjera të EJL6, ato po ecin më shpejt nga çfarë pritej pas përmbytjeve të 2014” theksoi në komunikatën për shtyp Banka Botërore.

Ndërsa rimëkëmbja ka nxitur hapjen e vendeve të punës, dhe ndërkohë që niveli i punësimit në mbarë rajonin po rritet me ngadalë, Serbia dhe Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë kanë arritur nivelet më të larta të punësimit që prej mesit të 2009. Megjithatë, papunësia vazhdon të ngelet një sfidë strukturore kyçe, sidomos për të rinjtë.

Papunësia e të rinjve në rajon është ende shumë e lartë me rreth 45 përqind, e cila ka jo vetëm kosto ekonomike të larta në periudha të afërta dhe afatgjata, por edhe pasoja sociale.

”Për këtë arsye, ndërsa stabiliteti makroekonomik është i nevojshëm për rritjen e qëndrueshme të të ardhurave, kjo nuk është e mjaftueshme.

Do të duhet të trajtohen çështje strukturore si tregu i punës, konkurrueshmëria, financat publike, në mënyrë që vendet e EJL6 të përshpejtojnë rritjen dhe të vazhdojnë procesin e tyre të integrimit në BE, që ka ngecur që prej krizës globale financiare të 2008. Do të duhet vijimi i reformave strukturore që të vazhdojë stabiliteti ekonomik, të cilat do të sigurojnë stimujt e nevojshëm për rritjen e pritshme” thekson Banka Botërore. 

Banka Botërore prezantoi Raportin e Rregullt Ekonomik për Europën Juglindore, ku u paraqitën mesazhet kryesore:

1. Rritja ekonomike përshpejtohet gjatë 2015-ës por mbetet poshtë potencialit
2. Zhvillimet ndërkombëtare ndikojnë në shfaqen e rreziqeve të ndryshme me afat të shkurtër dhe të mesëm
3. Reformat strukturore ndikojnë në shpejtësinë e rimëkëmbjes në afatmesëm
4. Pavarësisht përmirësimeve të fundit, tregu i punës mbetet i dobët
5. Përshpejtimi i rritjes pritet të reduktojë varfërinë megjithatë papunësia e vazhduar dhe pjesëmarrja e ulët në forcën e punës përbëjnë pengesë
6. Konsolidimi fiskal duhet të vijojë për të reduktuar peshën e borxhit në afatmesëm
7. Politika për rritjen e të ardhurave dhe konkurrueshmërisë
 
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A mund të zhvillojë Shqipëria turizmin elitar?



×

Lajmi i fundit

Erion Veliaj: SPAK të ecë vetëm para, kush ka gabuar të mbajë përgjegjësi! Llumi e fundërrinat kundër meje (FJALA E PLOTE)

Erion Veliaj: SPAK të ecë vetëm para, kush ka gabuar të mbajë përgjegjësi! Llumi e fundërrinat kundër meje (FJALA E PLOTE)