Edhe pse ka qeverinë më të re nga të tre vendet, brenda pesë muajve të parë vendi ynë ka arritur të vërë në kontroll skemën e mbrojtjes sociale shkaktuar nga deficiti i trashëguar, të sigurojë qëndrueshmërinë e pagesave për skemën e ndihmës ekonomike dhe Aftësisë së Kufizuar, si dhe të modernizojë skemën përmes përdorimit të teknologjisë së informacionit dhe përfshirjes së shtresave më vulnerable në skemë.
"Ndihem krenar për vlerësimin që mori Shqipëria. Kemi pasur vetëm pesë muaj kohë për të kthyer në binarë një situatë të dalë jashtë kontrolli, ku fondet e dedikuara për shtresat më vulnerabël u shpërndaheshin militantëve politikë. Në tre qarqe të vendit ka nisur projekti i informatizimit të skemës së ndihmës ekonomike, ku aplikantët kontrollohen me databazat e pronave, regjistrimit të automjeteve, QKR, Gjendjen Civile etj. Më saktë, sistemi i ri shënjestron qytetarët më në nevojë dhe mundëson lidhjen me Zyrat e Punës për t'u dhënë prioritet në punësim e kurset profesionale personave më në nevojë. Jemi ende larg ambicies tonë, por ndihemi mirë që Shqipëria po vlerësohet më në fund si histori suksesi, e jo dështimi, prej një dekade", u shpreh ministri Veliaj.
Shqipëria u vlerësua për konceptet inovatore të kalimit të ndihmës ekonomike në duart e grave të familjes; si dhe bonusin për frekuentimin e rregullt të shkollës nga fëmijët. "Skema nuk sjell veç modernizim, por dhe emancipim, duke fuqizuar gratë dhe vajzat, duke i fokusuar financat tek ushqimi i fëmijëve dhe duke synuar vajtjen në shkollë dhe shëndetin e të miturve", tha z. Veliaj në konferencën e Bankës Botërore në Brazil.
MMSR është në qendër të reformave sociale në vend. Fondi i Mbrojtjes Sociale është rreth 210 milionë dollarë në vit dhe përfshin pagesat e Ndihmës Ekonomike dhe Aftësisë së Kufizuar. E përballur me mungesën e pagesave prej disa muajsh, si rrjedhojë e përdorimit politik të skemës dhe abuzimeve masive, që nga ardhja në detyrë 5 muaj më parë, qeveria mundi të sigurojë qëndrueshmërinë e pagesave të fondit dhe të ndërmarrë hapa të rëndësishëm drejt transparencës së përdorimit të fondeve dhe modernizimit të skemës.
Reforma të tjera të ndërmarra nga MMSR përfshijnë hapjen e Zyrave të reja të Punës, ku qeveria ka hapur 4 të parat në Tiranë, Durrës, Vlorë e Kavajë, si dhe Reforma e Pensioneve, ndoshta më e rëndësishmja dhe me më shumë impakt për publikun dhe financat e vendit.
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)