Në faqen e saj zyrtare, BBC, në profilin për vendin tonë, bën një përmbledhje të zhvillimeve më politike dhe ekonomike në vendin tonë pas rënies së komunizmit, ku theksohet se Shqipëria është vendi më i korruptuar, si dhe një nga vendet më të varfra në Evropë.
“Papunësia mbetet e lartë, dhe infrastruktura dhe korrupsioni vazhdojnë të pengojnë futjen më shumë të investimeve të huaja. Sipas një raporti të publikuar nga mbikëqyrësi i korrupsionit, Transparency International, në vitin 2012, Shqipëria është aktualisht vendi më i korruptuar në Evropë”, thuhet nga BBC në profilin për Shqipërinë.
Sipas analizës së bërë nga BBC edhe pse ka shenja progresi ekonomik, duke mbajtur nën kontroll të rreptë inflacionin me pak rritje, vendi mbetet një nga më të varfrit në Evropë.
“Shqipëria është shndërruar në një ekonomi tregu, por është larg nga standardet e Evropës Perëndimore. Bujqësia është një sektor i rëndësishëm dhe një vend punësimi i madh. Vendi mbetet një nga më të varfrit në Evropë, ku në 2013 borxhi publik arriti në 60% të GDP”, thuhet në analizë.
Më tej, analiza e BBC, ndalet edhe tek aspirata e Shqipërisë për tu bërë pjesë e Bashkimit Evropian. Lidhur me këtë në analizë thuhet se Shqipëria aplikoi për statusin e vendit kandidat në BE në vitin 2009, dhe e mori statusin në qershor të vitit 2014.
Në këtë kontekst, BBC nënvizon reformat e kërkuara nga BE-së të cilat kanë në qendër luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Bashkimi Europian inkurajon reforma të tjera, veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në lirinë e shtypit, të drejtën e pronës dhe të drejtat e minoriteteve”, thotë BBC.
BBC: Edi Rama sfida të vështira përpara
Analiza ndalet edhe tek zgjedhjet e vitit të kaluar, ku theksohet se Partia Socialiste e Edi Ramës, mori një fitore dërrmuese në zgjedhjet parlamentare të 2013-ës, duke i dhënë fund 8 vjetëve të qeverisjes së Partisë Demokratike. Gjithashtu, duke u ndalur tek Kryeministri Rama, ai cilësohet si një folës i mirë i gjuhës angleze, frënge dhe italiane, si një njeri dinamik, me një personalitet të fortë.
“Edi Rama, ka premtuar që Shqipëria do të jetë anëtare e BE brenda 10 vjetësh. Premtimi i tij për të përmirësuar standardet e jetesës, në një vend ku shumë qytetarë varen nga të ardhurat e emigrantëve që jetojnë në BE e SHBA, do të jetë veçanërisht i vështirë për t’u realizuar”, shkruan BBC.
BBC: Vizita e Ramës në Serbi historike, synim rivendosja e urave të komunikimit
Profilit të Shqipërisë në BBC, nuk i ka munguar edhe pikëpamja mbi takimin e kryeministrit Rama me homologun serb Vuçiç. Sipas BBC, një nga sfidat më të mëdha të Shqipërisë, mbetet rivendosja e urave të bashkëpunimit me Beogradin, ndërsa e cilëson vizitën historike të kryeministrit Rama, si një mundësi historike për të përmirësuar marrëdhëniet mes dy vendeve, por që nuk i shpëtuan dot tensioneve sa i përket çështjes së Kosovës.
“Në frontin e potikës së jashtme, një prej sfidave më të mëdha me të cilat ai përballet është rivendosja e urave të bashkëpunimit me Beogradin, që ka qenë shumë dyshues ndaj synimeve të Tiranës drejt Kosovës. Vizita e kryeministrit Rama në Beograd, e parë si një mundësi historike për të përmirësuar marrëdhëniet mes dy vendeve, u shndërrua në një rast të tensionuar, në të cilin kryeministrat e Shqipërisë dhe Serbisë sulmuan njëri-tjetrin teksa folën mbi statusin e Kosovës”, thuhet në vëzhgimin e BBC për Shqipërinë.
Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)