BBC i ka kushtuar një artikull kulinarisë shqiptare. Përmes BBC Travel, rrjeti mediatik britanik vë theksin te roli i gjysheve shqiptare, të cilat kanë arritur që të ruajnë dhe trashëgojnë ndër breza recetat tradicionale. 

BBC thekson se Shqipëria ka përjetuar dy periudha “amnezie kulinare” gjatë 80 viteve të fundit. E para lidhet me regjimin komunist, kur vendi u izolua plotësisht. Librat e gatimit u dogjën, importet u ndaluan, dhe mungesat ushqimore qenë të shumta, faktorë që ndikuan në vijimësinë e traditës gastronomike shqiptare.

Periudha e dytë nisi pas rënies së komunizmit. BBC shkruan se midis viteve 1989 dhe 2001, rreth 710 mijë shqiptarë, afro 20% e popullsisë, emigruan drejt vendeve të tjera. Duke u integruar në kultura të reja, shumë prej tyre humbën gradualisht lidhjen me recetat e vendlindjes. Kështu, një pjesë e madhe e kuzhinës tradicionale rrezikonte të humbiste, por ishin gratë e moshuara që të ruanin identitetin kulinar.

Për këtë artikull ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama, i cili ka shkruar:  "Rrjeti i njohur mediatik BBC i ka kushtuar një artikull agroturizmit dhe kulinarisë shqiptare, përmes seksionit BBC Travel, duke veçuar recetat tradicionale të gjysheve shqiptare që po trashëgohen brez pas brezi dhe që janë një pikë e fortë e sipërmarrjeve të reja të agroturizmit të hapura në vendin tonë".

Artikulli i BBC Travel: 

Shqipëria po i rikthehet gjithnjë e më shumë rrënjëve të saj kulinare me ndihmën e gjysheve kuzhiniere, të cilat po u mësojnë disa brezave se si të gatuajnë receta shekullore. Kjo sepse vendi ballkanik ka përjetuar jo një, por dy periudha “amnezie kulinare” gjatë 80 viteve të fundit.⁣

Së pari, nga viti 1946 deri në 1991, Shqipëria u sundua nga komunistë të vijës së ashpër, të cilët në mënyrë efektive e izoluan plotësisht këtë vend të vogël dhe malor nga pjesa tjetër e botës. Gjatë kësaj periudhe, librat e gatimit u dogjën, importet u ndaluan, udhëtimet jashtë vendit u ndaluan, ushqimi u kolektivizua dhe mungesat ishin të përhapura.⁣

Më pas, në vitet që pasuan rënien e komunizmit në vitet ’90, 710.000 qytetarë – 20% e popullsisë – u larguan nga Shqipëria midis viteve 1989 dhe 2001, në kërkim të punës në vende të tjera. Me kalimin e kohës, shumë prej këtyre emigrantëve harruan recetat e vendlindjes teksa u përshtatën me kultura dhe vende të reja. Midis mungesave të mëdha të ushqimit gjatë komunizmit dhe emigracionit masiv pas tij, shumë shqiptarë brenda dhe jashtë vendit kishin harruar si të përgatisnin gatimet tradicionale shqiptare në fillim të shekullit XXI – përveç grave të një moshe të caktuar.⁣