SHKUP- Tensionohet edhe më shumë situata politike në Maqedoni. Një ditë pasi njoftoi bojkotimin e zgjedhjeve presidenciale, BDI, partneri në koalicionin qeverisës me VMNRO-DPMNE e Nikolla Gruevskit ka paraqitur nismën për shpërbërjen e Parlamentit dhe shkuarjen në zgjedhje të parakohshme, ndërsa vendosi edhe bojkotimin e zgjedhjeve presidenciale.

Kjo u bë e ditur nga sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, Abdilaqim Ademi pas mbledhjes së kryesisë qendrore. 

“BDI vendosi të mos garojë me kandidatët të saj në zgjedhjet presidenciale, dhe t'i ftojë shqiptarët të mos përkrahin asnjërin nga kandidatët me çka do i jepnin legjitimitetin e rrejshëm kryetarit të ardhshëm të vendit. Njëkohësisht BDI vendosi që të bëjë fushatë aktive ku do të promovojë idenë dhe konceptin për president konsensual deri në realizimin përfundimtar të saj. Grupi i ynë parlamentar do të dorëzojë në Kuvend iniciativën për shpërndarjen e kësaj legjislature dhe të organizohen zgjedhje të parakohëshme parlamentare”, theksoi sekretari i Përgjithshëm i BDI-së, njëherësh edhe shefi i shtabit zgjedhor sot në një dalje para mediave në Shkup.
 
Por, ndërkohë Partia Demokratike Shqiptare në opozitë, e drejtuar nga Menduh Thaçi, ka vendosur të marrë pjesë në zgjedhje, përmes kandidatit për president Iljaz Halimi, zyrtar i lartë i kësaj partie dhe ish-nënkryetar i Kuvendit të Maqedonisë.
 
Kandidati Iljaz Halimi u shpreh se do të japë maksimumin për faktorizimin e shqiptarëve të Maqedonisë.

Redaksia online
(esh/shqiptarja.com)