BRUKSEL - Bashkimi Evropian kërkoi sot mbajtjen e armëpushimit në Libi dhe rifillimin e dialogut politik, ndërkohë që vendi është nën kontrollin e milicive që prej përmbysjes në vitin 2011 të ish-diktatorit Mouammar Kadhafi.
"Ne dënojmë sulmet e fundit vetëvrasëse, vrasjet e shënjestruara dhe përplasjet mes grupeve të armatosura. Kjo përbën një kërcënim serioz për sigurinë dhe stabilitetin e vendit si dhe të rajonit", njoftoi një zëdhënës i shërbimeve diplomatike të BE-së.
BE-ja është veçanërisht e shqetësuar nga numri në rritje i viktimave të Bengazit, ku me dhjetëra ushtarë besnikë ndaj një ish-gjenerali të ushtrisë libiane vdiqën të enjten./ATSH/