BRUKSEL, 13 nëntor /ATSH-AFP/ - Komisioni Evropian do të rishikojë propozimin e tij prej direktive në çështjen e harmonizimit të taksave mbi kompanitë në Evropë, një dosje e mbetur pezull për shumë vite por që Komisioni përpiqet ta risjellë sërish.
Dje, presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, i goditur nga publikimet mbi një sistem të gjerë evazioni fiskal të ngritur kur ai ishte kryeministër i Luksemburugt, doli nga heshtja e tij dhe premtoi fillimin e luftës kundër këtij fenomeni.
Ai i ka kërkuar kryesisht shteteve anëtare të BE-së që të bien dakort mbi projektin direktivë mbi një sistem të përbashkët të konsoliduar për taksat mbi kompanitë. Ky tekst nuk është paraqitur më që kur ai iu propozua vendeve anëtare në mars 2011.
"Komisioneri evropian i ngarkuar me Fiskalitetin, Pierre Moscovici, do të kërkojë debatimin", njoftoi sot në një konferencë për shtyp një zëdhënës i Komisionit, Daniel Rosario.
Niveli i taksave mbi kompanitë përdoret nga vendet evropiane që kanë filluar një konkurencë fiskale të shfrenuar për të tërhequr sa më shumë kompani.
Moscovici është ngarkuar gjithashtu nga Juncker që të punojë mbi një direktivë mbi shkëmbimin automatik të informacioneve për sa i përket deklarimeve paraprake. Është kjo praktikë, që akuzohet se favorizon evazionin fiskal të multikombëtareve, që është në qendër të publikimeve të agjencisë investigative gazetareske "LuxLeaks" që ka vendosur Juncker-in në bankën e të akuzuarve./
/G.S/