Gjermania dhe tetë vende të tjera të BE duan të zgjerojnë votimin me shumicë të cilësuar në politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë. Për ta bërë këtë, ata krijuan një "grup miqsh". Përveç Gjermanisë, në këtë grup bëjnë pjesë edhe Belgjika, Finlanda, Franca, Italia, Luksemburgu, Holanda, Sllovenia dhe Spanja.
Ministria e Jashtme tha në Berlin se duke pasur parasysh luftën ruse të agresionit në Ukrainë dhe sfidat e tjera ndërkombëtare me të cilat përballet BE, efikasiteti dhe shpejtësia e vendimeve duhet të përmirësohet. BE-ja duhet të forcohet si një lojtar global. Deri tani, vendimet në këtë fushë duhet të merren unanimisht. Sipas nëntë vendeve, BE duhet të veprojë më shpejt dhe më efektivisht në krizat globale.
Në fillim të marsit, Komisioni i Peticioneve i Bundestagut Gjerman vlerësoi se parimi aktual i unanimitetit në politikën e jashtme dhe të sigurisë duhet të zëvendësohet me zbatimin e vendimeve të marra me shumicë të cilësuar. Komisioni miratoi rekomandimin për vendim në Bundestag me votat e grupeve parlamentare të SPD, CDU/CSU, Aleanca 90/Të Gjelbrit dhe FDP - dhe me votën më të lartë të mundshme "për shqyrtim", "për aq sa unanimiteti në Këshillin e Ministrave të BE-së në lidhje me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë (CFSP) shndërrohet në një shumicë të cilësuar".
Në peticionin publik (ID 116383), qeverisë federale i qe kërkuar që të angazhohet brenda BE-së në favor të heqjes së parimit të unanimitetit dhe shtrirjes së vendimeve të shumicës "për të gjitha çështjet”. Në formën e tij aktuale, BE nuk është në gjendje të veprojë në afat të gjatë, shpjegohej në peticion./DW