/ATSH-AFP/ - Komisioneri i ri evropian për energjinë, Maros Sefcovic, garantoi sot në Kiev mbi faktin se BE-ja do të qëndrojë në krahun e Ukrainës në marrëveshjet e saj me Rusinë mbi furnizimin me gaz natyral.
"Dua t'ju garantoj se, as për BE-në as për mua, Bashkimi Energjetik Evropian nuk do të ndalohet në kufi", deklaroi Sefcovic, në fillim të takimit të tij me presidentin Petro Poroshenko.
Pas një debatimi të gjatë mbi çmimin e gzit rus mes Kievit dhe Moskës që kishte ndërprerë livrimet e saj në korrik, Ukraina, Rusia dhe BE-ja arritën në fund të tetorit një marrëveshje provizore që garanton furnizimin e Ukrainës me gaz rus, por gjithashtu edhe të Evropës, për periudhën e dimrit.
Por marrëdhëniet mes dy vendeve janë në nivele shumë të ulta pas aneksimit të gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia në mars dhe përplasjeve që filluan një muaj më vonë në rajonet separatiste proruse në lindje të Ukrainës, mbrapa të cilave Kievi sheh dorën e Moskës.
Duke pritur sot Sefcovic, Poroshenko u shpreh i gatshëm për vazhdimin e këtij bashkëpunimi trepalësh, të cilin ai e cilësoi si shumë efikas.
Bëhet fjalë për vizitën e parë të Sefcovic që prej marrjes së funksionit të Komisionit të ri Evropian më 1 nëntor.