Emigracioni i shqiptarëve drejt Bashkimit Europian ka mbetur sërish me ritme të larta në 10 vitet e fundit, dhe gradualisht po tejkalon valët e forta të largimeve të dy tre dekadave më parë, kur vendi ishte në një gjendje shumë më të keqe ekonomike, pas kalimit nga ekonomia e centralizuar në atë të tregut në fillim të viteve ’90-2000.
Në 18 vjet, nga 2008-a deri në 2025-n, vendet e BE-së kanë dhënë rreth 1.1 milionë (1,082,224) leje qëndrimi për herë të parë për shtetasit shqiptarë, sipas të dhënave të Eurostat të përpunuara nga “Monitor”.
Për periudhën 2008-2016, u dhanë gjithsej rreth 509.5 mijë leje qëndrimi. Shifra e lartë është e lidhur me periudhën 2008-2010, me rreth 70-100 mijë leje në vit, kur ata që ikën në dekadën e mëparshme filluan të stabilizoheshin dhe të merrnin leje qëndrimi, kryesisht në Itali dhe Greqi. Të dy këto shtete së bashku dhanë gati 90%% të lejeve për periudhën (37% Greqia dhe 53% Italia).
Ndërsa u duk se emigracioni po stabilizohej pas vitit 2012, me numrin e lejeve që u përgjysmuan, një valë tjetër nisi pas 2016-s, që u përshpejtua në dekadën e fundit.
Për periudhën 2017-2025 u dhanë edhe 573 mijë leje të tjera, duke ia kaluar dekadës së mëparshme. Shifrat tregojnë qartë se shqiptarët po vijojnë të ikin me ritme më të larta, sidomos nëse e llogarisim në raport me popullsinë, që sot është ulur në 2.3 milionë banorë, nga 3 milionë banorë në 2006-n. (shiko grafikun).
Ndryshe nga dekada e mëparshme, kur Italia dhe Greqia ishin pritësit kryesorë të emigrantëve shqiptarë, gjeografia është zgjeruar vitet e fundit. Për periudhën 2017-2025, Italia dhe Greqia kanë dhënë së bashku 62% të lejeve totale (41% Italia dhe 21% Greqia).
Në skenë vitet e fundit ka dalë Gjermania, që po tërheq forcën punëtore të kualifikuar dhe ka dhënë 20% të lejeve për periudhën 2017-2025. Në total, që nga viti 2008, Gjermania ka dhënë 124 mijë leje qëndrimi për shtetasit shqiptare, duke u renditur e treta. Kryesimin vijon të mbajë Italia, me 500 mijë leje nga 2008-a, e ndjekur nga Greqia me 311 mijë.
Franca, ndonëse është destinacioni kryesor për azilantët jep shumë pak leje qëndrimi. Nga 2008-a, leje qëndrimi në Francë kanë marrë rreth 28 mijë persona, të ndjekur nga Belgjika me 14.3 mijë dhe Suedia 13 mijë. Shtetet e tjera kanë dhënë nga më pak se 10 mijë leje.
Rreth 20 mijë leje janë dhënë nga Mbretëria e Bashkuar për periudhën 2008-2018, ndërsa më pas të dhënat nuk raportohen. Gjatë dekadës së fundit Mbretëria e Bashkuara ka qenë destinacion i preferuar për shqiptarët, me kërkesat për azil që në 2022-n arritën në mbi 14 mijë, duke ia kaluar totalit të kërkesave në Be prej 13.2 mijë në atë vit.
Viti 2025, Gjermania kalon e dyta për lejet e qëndrimit
Sipas Eurostat, në vitin 2025 u dhanë 68,653 leje qëndrimi për herë të parë për shtetasit shqiptarë, me një rritje prej 4% në krahasim me vitin e mëparshëm. Tendenca është e kundërt me 2024-n, kur lejet ranë me 14%.
Në 2025-n, Gjermania ishte e dyta në total për lejet e qëndrimit, me 17 mijë të tilla, përkundrejt 31.7 mijë Italia dhe 10 mijë Greqia. Pas tyre u rendit Franca me vetëm 2.4 mijë leje dhe Belgjika 1.3 mijë. Shtetet e tjera kanë dhënë më pak se 1000 leje.
Në 2025-m, sipas Eurostat, 46.3% e lejeve u dhanë për arsye familjare, 0.8% për edukim, 29.4% për punësim./Monitor
-
Prandaj ka Rene Evro , shqiptaret vijne pas 20 vitesh investojne ne Tirone
Përgjigju -
Ne, shqiptarët, i jemi shumë mirënjohës Gjermanisë për disa arsye : - Se dijetarët e saj ndërmorën kërkimet e para shkencore e më serioze, lidhur me ne dhe gjuhën tonë; - Se studjuesët gjermanë e austriakë kanë pasur gjithnjë konsideratën më të lartë rreth origjinës, gjuhës dhe cilësive anthropologjike të njeriut shqiptar. - Se, gjatë Luftës së Dytë Botërore, nuk i konsideruan shqiptarët armiq dhe nuk ndërmorën ndaj tyre mizoritë që ndërmorën ndaj disa popujve të tjerë; por mbajtën qendrim miqësor (brenda rrethanave të nfërlikuara të Luftës), dhe, krejt ndryshe nga Italia, njohën Pavarësinë e kushtëzuar të Shqipërisë Etnike të kohës, ngjajshëm me atë të Kroacisë. - Se ishin ndër më të vendosurit ndër forcat e NATO-s në vendimin dhe veprimet për ndëshkimin ushtarakisht të Serbisë, çlirimin e Kosovës dhe garantimin e sovranitetit të saj..! P O R : Ndërkohë, vërejmë se ndihma më e mirë ndaj shqiptarëve nuk është punësimi i shqiptarëve në Gjermani, por ndihma dhe ndikimi i Gjermanisë, si lokomotiva e Evropës, mbi Qeveritë shqiptare, për q e v e r i s j e t ë p a k o r r u p t u a r d h e e f e k t i v e, që nuk imponon braktisjen e vendit nga rinia shqiptare, që është drita e syve dhe e ardhmja e vendit dhe e kombit..! (P.S. Do të donim që shërbimi diplomatik gjerman t'ia përcillte këto konsiderime gjithëshqiptare, Qeverisë gjermane). Petrit Belliu, 14.9.2026.
Përgjigju









Komente
Komento