BE-KiE: Reforma në drejtësi mbi çdo interes privat apo grupi

/ATSH-Arbi Fortuzi/-. Reforma në Drejtësi duhet të jetë mbi çdo interes privat apo politik, tha sot Yngve Engstrom, Shef i Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së gjatë takimit të Komitetit Drejtues të projektit të përbashkët të Bashkimit Evropian (BE) dhe Këshillit të Evropës (KiE) "Mbështetje për Efikasitetin e Drejtësisë" (SEJ).
Takimi mblodhi përfaqësues të Delegacionit të BE-së, KiE-së dhe pushteteve gjyqësore dhe ekzekutive shqiptare për të diskutuar për progresin e projektit, për rezultatet kryesore të arritura në 18 muajt e fundit, si dhe për të ardhmen. Në veprimtari morën pjesë Kryetari i Gjykatës së Lartë Zaganjori, Zëvendësministri i Drejtësisë Peçi, Anëtari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë Mustafaj dhe Drejtori i Shkollës së Magjistraturës Sokol Sadushi, të cilët vunë në dukje një numër çështjesh kyçe për zbatimin e suksesshëm të reformës, përfshirë organizimin e gjykatave dhe të prokurorisë, statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve, si dhe zbatimin e vendimeve të gjykatave, që janë ngritur së fundmi edhe në "Analizën e sistemit gjyqësor në Shqipëri - 2015?.
Yngve Engstrom, (foto Arkiv)
Yngve Engstrom, Shef i Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së, theksoi se "reforma në vazhdim e drejtësisë në Shqipëri duhet të jetë mbi çdo interes privat apo grupi. Ajo duhet të jetë një reformë e udhëhequr nga njohuritë dhe praktikat më të mira, jo një reformë politike", tha ai.
"Një sistem gjyqësor efikas dhe i besueshëm është thelbësor për të fituar besimin e qytetarëve, vijoi Engstrom. Vendimet gjyqësore të parashikueshme, në kohë dhe të zbatueshme kanë një ndikim kyç për ta bërë vendin një vendndodhje tërheqëse për biznes dhe investime. Kjo do të thotë një sistem ku jo vetëm bëhet drejtësi, por ajo është e besueshme për të gjithë", tha ai.
"Gjyqtarët dhe prokurorët janë themelet e kësaj reforme. Ata duhet të demonstrojnë nivelin më të lartë të integritetit dhe të garantojnë që askush as qeveria, as zyrtarët publikë dhe as ndonjë kompani dominuese nuk është mbi ligjin". BE është siguruesi kryesor i ekspertizës në procesin e reformës gjyqësore, përmes projektit të përbashkët BE/KiE "Mbështetje për Efikasitetin e Drejtësisë" dhe projektit "EURALIUS"", pkrfundoi Shefi i Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së
Në fjalën e tij, Sekretari Ekzekutiv i Komisionit Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë (CEPEJ) i KiE-së, Leyenberger, theksoi rëndësinë e respektimit të parimit themelor të pavarësisë së gjyqësorit në procesin e reformës në vazhdim. Duke komentuar mbi bashkëpunimin e KiE-së dhe BE-së në përgjithësi, Leyenberger tha se dy organizatat punojnë në sinergji për të harmonizuar standardet dhe për të përmirësuar funksionimin e përditshëm të sistemeve gjyqësore evropiane dhe projekti SEJ është pikërisht shembulli.
Aktualisht, projekti SEJ punon me 37 gjykata të juridiksioneve dhe niveleve të ndryshme në Shqipëri. Përmes një programi këshillimi projekti mbështet menaxhimin e përditshëm të gjykatave lidhur me Udhëzimet SATURN për menaxhimin e kohës gjyqësore. Analiza e Sistemit Gjyqësor në Shqipëri, një dokument që shërben si bazë e Planit të ri për Strategjinë e Drejtësisë, ka përdorur rezultatet e studimit të thelluar, vlerësimin e sistemit gjyqësor shqiptar nga SEJ.
Informacion mbi projektin:
Projekti BE/KiE Mbështetje për Efikasitetin e Drejtësisë (SEJ), që nisi në janar 2014, synon të forcojë kapacitetin e autoriteteve gjyqësore shqiptare në aspekte të ndryshme të menaxhimit gjyqësor dhe t'i sjellë praktikat e tyre në përputhje të plotë me standardet dhe udhëzimet e vendosura nga Komisioni Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë. BE dhe KiE kanë një bashkëpunim të gjatë në ndihmën e gjyqësorit shqiptar përmes projekteve të përbashkët. Projekti SEJ përmbush nevojat e sistemit gjyqësor shqiptar për përmirësimin e efikasitetit dhe cilësisë së drejtësisë, duke pasur parasysh gjithashtu edhe përparësinë e dytë kyçe të identifikuar nga Komisioni Evropian që duhet përmbushur nga Shqipëria për hapjen e negociatave të anëtarësimit me BE-në. Buxheti i projektit kap shifrën 1,149,865.87 EUR, nga të cilat kontributi i BE-së është 1,000,000 EUR dhe kontributi i parashikuar i KiE-së është 149,865.87 EUR. 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

NJË NGA NE/ Artizania fierake rikthen veshjen myzeqare: Duhet mbrojtur nga UNESCO