BE: Kosova dhe Serbia të ulin tensionet, ose do të përballen me pasoja negative! Sa më shpejt zgjedhje të parakohshme

BE: Kosova dhe Serbia të ulin tensionet, ose do të përballen me pasoja negative! Sa më shpejt zgjedhje të parakohshme

Foto ilustruese

Bashkimi Evropian u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që menjëherë dhe pa kushte të marrin masa për të ulur tensionet dhe të punojnë për vendosjen e qetësisë në veriun e trazuar të Kosovës, duke paralajmëruar se dështimi për të bërë një gjë të tillë do të ketë pasoja negative për të dyja palët.

Në deklaratën e përbashkët në emër të 27 vendeve anëtare të bllokut dënohen “aktet e dhunshme kundër qytetarëve, trupave të KFOR-it, forcave të rendit dhe mediave në veri të Kosovës. Dhuna mund të ishte shmangur dhe duhet shmangur në të ardhmen” 

Më tej theksohet se BE qëndron fuqishëm në mbështetje të misionit të NATO-s dhe atij të BE-së për sundimin e ligjit në përmbushjen e mandateve të tyre.

“Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që menjëherë dhe pa kushte të marrin masa për të shtensionuar situatën, t’i japin fund retorikës përçarëse dhe të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm i pa bashkërenduar. Qetësia duhet të rivendoset urgjentisht. Bashkimi Evropian është i gatshëm të zbatojë masa të vendosura. Dështimi për të ulur tensionet do të çojë në pasoja negative”, thuhet në deklaratë.

Bashkimi Evropian i përsërit Kosovës 3 kërkesat dhe të organizojë sa më parë zgjedhjet e  parakohshme  ku presim që serbët e Kosovës të marrin pjesë në to.

“Presim që Kosova të veprojë në mënyrë që nuk e përshkallëzon situatën, dhe të pezullojë menjëherë operacionet policore në afërsi të ndërtesave komunale në veri të Kosovës. Kryetarët e komunave duhet t'i kryejnë përkohësisht detyrat e tyre në objekte të ndryshme nga ndërtesat komunale. Zgjedhjet e parakohshme duhet të shpallen sa më shpejt në të katër komunat dhe të organizohen në mënyrë gjithëpërfshirëse. Presim që serbët e Kosovës të marrin pjesë në këto zgjedhje” theksohet më tej në deklaratë

Më tej në deklaratë shprehet dhe “shqetësimi për shkallën e gatishmërisë më të lartë të Forcave të Armatosura Serbe”.

Bashkimi Evropian po ashtu kërkon që Kosova dhe Serbia “të veprojnë me përgjegjësi dhe të angazhohen menjëherë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për situatën në veri të Kosovës, e cila garanton siguri, dhe demokraci për të gjithë qytetarët dhe hap rrugën për zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit. Kjo përfshin fillimin pa vonesë apo parakusht të mëtejshëm të punës për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, thuhet në deklaratën e zotit Borrell.

E njëjta thirrje u bë pak orë më parë edhe nga Shtëpia e Bardhë.  

Zyra e shtypit e Shtëpisë së Bardhë tha se zoti Finer kishte biseduar të enjten (1 qershor) me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe të premten me Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç, duke shprehur shqetësimin e Shteteve të Bashkuara për situatën në veri. Ai i kërkoi Kurtit që t'u mundësojë kryetarëve të sapozgjedhur të komunave që t'i kryejnë detyrat e tyre nga vend-ndodhje alternative, ndërsa Vuçiç të tërheqë forcat e saj të armatosura të stacionuara afër kufirit dhe të ulë gjendjen e gatishmërisë. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:25
Tensionet në veri, OSBE sugjeron 9 hapa për zgjidhjen e situatës: 4 kryetarët e komunave të japin dorëheqje në verë, zgjedhjet e reja brenda vitit

1685791156_kfornekosove.JPG

Kreu i diplomacisë së Maqedonisë së Veriut që është duke kryesuar edhe me presidencën e OSBE-së, Bujar Osmani ka treguar 9 hapat që duhet të ndërmerren për të qetësuar situatën në veri të Kosovës.

  • 1.Kosova dhe Serbia riafirmojnë përkushtimin ndaj marrëveshjes bazë dhe Protokollit të Ohrit
  • 2. Kosova tërheq forcat e Policisë Speciale, ndërsa Serbia ul gatishmërinë luftarake të Forcave të Armatosura.
  • 3.Policia me ndihmën e KFOR-it dhe EULEX-it të merret me sigurinë tokësore.
  • 4. Protestat anulohen, funksionet dhe shërbimet bashkiake rikthehen. Të rifillojë jeta normale dhe t'u jepet akses punonjësve komunalë.
  • 5.Kryetarët e Bashkive japin dorëheqjen në verën e vitit 2023, duke i hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme komunale.
  • 6.Zgjedhjet e parakohshme të komunave të mbahen këtë vit.
  • 7.OSBE mbështet procesin zgjedhor, duke rritur besimin midis komuniteteve.
  • 8.OSBE angazhon të rinjtë në programet dhe proceset e pajtimit.
  • 9.OSBE mbështet zbatimin me mirëbesim të dispozitave të dakorduara dhe rifillimin e dialogut kuptimplotë.
Ora 07:25
Shtëpia e Bardhë, thirrje Kosovës dhe Serbisë të ulin tensionet: Kryetarët të punojnë në godina të tjera! Vuçiç të tërheqë ushtrinë e vendosur në kufi

Shtëpia e Bardhë njoftoi të premten se zëvendës këshilltari amerikan për siguri kombëtare, Jon Finer u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ndërmarrin hapa për çtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

Zyra e shtypit e Shtëpisë së Bardhë tha se zoti Finer kishte biseduar të enjten me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe të premten me Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç, duke shprehur shqetësimin e Shteteve të Bashkuara për situatën në veri.

“Ai kërkoi nga Qeveria e Kosovës që t'u mundësojë kryetarëve të sapozgjedhur të komunave që t'i kryejnë detyrat e tyre nga vend-ndodhje alternative dhe të tërheqë forcat policore nga ndërtesat komunale. Ai gjithashtu përshëndeti gatishmërinë e kryeministrit Kurti për të punuar për krijimin e kushteve për zgjedhje të reja”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë për bisedën me kryeministrin e Kosovës.

Zoti Finer gjithashtu i bëri thirrje presidentit serb për marrjen e masave për qetësimin e gjendjes.

“Ai i kërkoi Qeverisë së Serbisë që të tërheqë forcat e saj të armatosura të stacionuara afër kufirit dhe të ulë gjendjen e gatishmërisë, si dhe t'u bëjë thirrje protestuesve që të ruajnë qetësinë në veri të Kosovës”, thuhet në njoftimin për telefonatën e së premtes.

Dy ditët e fundit si kryeministri Kurti, ashtu edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani kanë shprehur vullnetin për zgjedhjet e reja.

Kryetari i komunës së Leposaviçit, Lulzim Hetemi, që nga e hëna është në zyrën e tij, pa dalë asnjëherë. Ndërkaq kryetarët e komunave të Zveçanit dhe Zubin Potokut, nuk janë në zyrat e tyre.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti u kritikua të premten nga opozita e vendit në parlament për veprimet në veri pa bashkërendim me aleatët kryesorë, në radhë të parë Shtetet e Bashkuara, që kundërshtuan hyrjen me forcë ne komunat veriore, por ai këmbënguli se përgjegjësia është e Serbisë.

Serbia nga ana tjetër ka akuzuar qeverinë e Kosovës për acarimin e situatës.

Tensionet pasuan zgjedhjet e 23 prillit në Kosovë, të cilat u bojkotuan nga partitë serbe. Kryetarë komunash u zgjodhën kandidatët e partive shqiptare dhe dërgimi i tyre në zyrat komunale nxiti reagimin e palës serbe që u hodh në protesta. Të hënën protestuesit u përplasën me forcat paqeruajtëse të NATO-s. Përplasjet shkaktuan plagosjen e 30 ushtarëve dhe nxitën shqetësimin për ripërtëritje të konfliktit në rajonin e trazuar.

Perëndimi ka ushtruar trysni për uljen e tensioneve dhe gjetjen e zgjidhjeve, përfshirë zgjedhje të reja lokale në veri të Kosovës, uljen e gatishmërisë së trupave serbe në kufi dhe riangazhimin për procesin e normalizimit.

“Zoti Finer përsëriti se Shtetet e Bashkuara presin që të dyja palët të riangazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE dhe të zbatojnë plotësisht marrëveshjen e normalizimit të arritur në Bruksel dhe Ohër në fillim të këtij viti”, thuhet në njoftimet e Shtëpisë së Bardhë për telefonatat e Zëvendës Këshilltarit amerikan për Siguri Kombëtare me kryeministrin Kurti dhe Presidentin Vuçiç./ VOA

S.G//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Vapa: 03/06/2023 14:48

    Ulini tensionet se sdo hani akullore pastaj…eshte e rrepte evropa , ( nese egziston evropa, se eshte nje I nstitucion me 27 koka)

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

'Varri i Enverit dridhej nga demonët! Ushtarët që e ruanin përfunduan në çmendinë', Visar Zhiti: Pse Ramizi dhe Nexhmija e çuan Nënë Terezën te ish-diktatori?

'Varri i Enverit dridhej nga demonët! Ushtarët që e ruanin përfunduan në çmendinë', Visar Zhiti: Pse Ramizi dhe Nexhmija e çuan Nënë Terezën te ish-diktatori?