Kriza në Bjellorusi/ Pas SHBA, edhe BE mbështet propozimin e Ramës për dialog! Borrell: Ia bëmë të qartë dhe Rusisë

TIRANË- Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimi Europian (BE) ka mbështetur propozimin e Edi Ramës, në cilësinë e kreut të OSBE për të ndërmjetësuar zgjidhjen e krizës në Bjellorusi. Përfaqësuesi i Lartë për politikën e jashtme të Bashkimit Europian, Josep Borrell vë theksin se BE mbështet ndërhyrjen e OSBE në Bjellorusi, duke thënë se është gatshme të kontribuojë që palët të arrijnë të dialogojnë.

"Bashkimi Evropian është i gatshëm të kontribuojë në përpjekjet për të lehtësuar një mënyrë paqësore dhe konstruktive për të dalë nga kriza në Bjellorusi pas zgjedhjeve presidenciale. Në këtë drejtim, BE mbështet plotësisht propozimet e OSBE-së për dialog në Bjellorusi dhe është e gatshme të ofrojë ndihmë për t'i çuar më tej ato nëse kërkohet. Si një shtet anëtar i OSBE-së, Përfaqësuesi i Lartë shpreson se Rusia mund të ketë një ndikim pozitiv në mbështetjen e propozimeve të tilla", njofton Borrell.

Borrell ka ripërsëritur qëndrimi e Unionit se BE-ja nuk i njeh zgjedhjet e fundit në Bjellorusi dhe nevojën për një dialog gjithëpërfshirës kombëtar për një zgjidhje konstruktive. Ky qëndrim i është shprehur edhe ministrit të jashtëm rus, Sergey Lavrov në bisedën telefonike që kanë pasur së bashku.

"Të enjten 20 gusht, Përfaqësuesi i Lartë për politikën e jashtme të Bashkimit Europian, Josep Borrell ka folur me Ministrin e Jashtëm të Federatës Ruse, Sergey Lavrov, për situatën në Bjellorusi pas zgjedhjeve presidenciale të 9 gushtit. Në cilësinë e tij si koordinator i Komisionit të Përbashkët JCPOA, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së ka komunikuar me Ministrin Lavrov për propozimet e fundit të SHBA-së në Këshillin e Sigurimit të OKB.

Borrell shprehu qëndrimin e Unionit se i konsideron zgjedhjet e fundit në Bjellorusi jo të lira dhe as të drejta, dhe se BE-ja pra nuk i njeh rezultatet e këtyre zgjedhjeve. Përfaqësuesi i Lartë Borrell theksoi gjithashtu se situata në Bjellorusi është në vëmendjen e Bashkimit Europian, siç reflektohet nga takimet e fundit të Ministrave të Jashtëm të BE-së më 14 gusht dhe Kryetarëve të Shteteve ose Qeverive të BE-së më 19 gusht. Pas dy telefonatave midis Presidentit të Këshillit Evropian Charles Michel dhe Presidentit Rus Vladimir Putin të martën 18 gusht dhe të enjten 20 gusht, Përfaqësuesi i Lartë Borrell përsëriti nevojën për një dialog gjithëpërfshirës kombëtar në Bjellorusi që çon në një zgjidhje konstruktive dhe paqësore në lidhje me Bjellorusinë dhe se i takon popullit bjellorus që të përcaktojnë të ardhmen e vendit të tyre", njofton Borrell.

Ndërhyrja e OSBE në Bjellorusi për të zgjidhur krizën e krijuar pas zgjedhjeve u mbështet edhe nga presidenti francez Emmanuel Macron i cili tha dje se 'kemi pasur disa biseda me Putinin, kemi sugjeruar ndërmjetësimin e OSBE-së, Putin është në favor, por Lukashenko nguron'. 

Propozimi i Ramës në cilësinë e kreut të OSBE për të vizituar Bjellorusinë për të ndërmjetësuar për zgjidhjen e krizës pas zgjedhjeve që nxorën fitues diktatorin Lukashenko, por që sollën valën e protestave masive duke u përshkallëzuar, erdhi më 17 gusht. Megjithatë, mësohet se për realizimin e këtij pritet konfirmimi i presidentit vendas Lukashenko.

Liderët e Europës vendosën që të mos njihnin zgjedhjet presidenciale në Bjellorusi, të cilat nxjerrin fitues Alexandër Lukashenko, duke iu përgjigjur kështu thirrjes së opozitës në Bjellorusi. Kancelaria Gjermane, Angela Merkel  i quajti zgjedhjet në Bjellorusi “as të lira e as të drejta”. 

Ndërkaq, Presidenti rus Vladimir Putin ka zhvilluar sot një takim virtual, përmes një video Konference, me anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit në vend për të diskutuar mbi situatën në Bjellorusi. Putin theksoi papranueshmërinë e çdo ndërhyrjeje të jashtme në punët e brendshme të Bjellorusisë.

Nga ana tjetër, autoritetet bjelloruse vazhdojnë të kërcënojnë protestuesit me kallëzime penale në përpjekje për të penguar protesta masive popullore, pas zgjedhjeve presidenciale të zhvilluara në vend.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

‘Giro d’Italia 2025’ nis nga Shqipëria, jehonë në mediat e huaja

‘Giro d’Italia 2025’ nis nga Shqipëria, jehonë në mediat e huaja