Këshilli i BE-së ndryshoi rregulloren e vizave ku bën pjesë mekanizmi rregullues dhe ai i reciprocitetit. Ky ndryshim u jep të drejtën vendeve anëtare që përballen me një situatë emergjente të shkaktuar nga qytetatë të vendeve të treta dhe që është e pakontrollueshme, t’i kërkojë Komisionit pezullimin e lëvizjes së lirë për qytetarët e këtij vendi problematik.

Vendimi për raste të tilla do të merret vetëm kur komisioni do të konstatojë: Rritjen e menjëhershme dhe domethënëse të numrit të emigrantëve të paligjshëm, të kërkesave të pabazuara për azil, apo të refuzimit të kërkesave për riatdhesim, të një periudhe 6-mujore krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ky mekanizëm pezullues do të përdoret si “mundësia e fundit” vetëm pasi të vlerësohet situata e vendit anëtar që ka drejtuar kërkesën. Ndërsa mekanizmi i reciprocitetit ka të bëjë kryesisht me SHBA-në dhe Kanadanë, në rast se këto të fundit aplikojnë viza ndaj një apo disa vendeve anëtare të BE-së.

Ndryshimet e bëra në rregullore do të hyjnë në fuqi vetëm 20 ditë pas publikimit në fletoren zyrtare të BE-së dhe do të zbatohet në të gjitha vendet Shengen, me përjashtim të Britanisë së Madhe dhe Irlandës.


(v.gj/shqiptarja.com)