Në Ditën Ndërkombëtare të Zgjedhjeve, Bashkimi Europian në Tiranë, përcjell një mesazh për politikën shqiptare teksa na ndajnë pak se 3 muaj nga 25 prilli.
Delegacioni i BE-së përmes një postimi në rrjete sociale, thekson se vlerëson punën e deritanishme në vendin tonë për përmirësimin e integritetit të zgjedhjeve siç është miratimi i ligjit të dekriminalizimit apo dhe marrëveshja e 5 Qershorit.
Teksa thuhet se BE-ja i ka mbështetur fuqimisht këto arritje, në reagimin e delegacionit thuhet se drejtuesit e partive kanë përgjegjësinë ligjore dhe morale për të siguruar që listat të përbëhen nga kandidatë me integritet. Një apel të tillë prej ditësh e përsërit edhe ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim e cila u ka bërë thirrje partive politike të përzgjedhin kandidatë të “pastër”.
Sipas delegacionit, qytetarët shqiptarë presin një fushatë cilësore që ofron një debat të informuar dhe propozime politikash, dhe larg sulmeve provokuese.
“Në Ditën Ndërkombëtare të Zgjedhjeve, ne vlerësojmë punën e kryer për të përmirësuar integritetin e zgjedhjeve në Shqipëri. Miratimi i ligjit të dekriminalizimit, marrëveshja e qershorit dhe reforma zgjedhore që zbaton rekomandimet e OSCE/ODIHR kanë qenë piketa të rëndësishme. BE-ja i ka mbështetur fuqimisht këto arritje. Me afrimin e ditës së zgjedhjeve, drejtuesit e partive kanë përgjegjësinë ligjore dhe morale për të siguruar që listat të përbëhen nga kandidatë me integritet. Qytetarët shqiptarë meritojnë ligjvënës të cilët plotësojnë standarde të larta integriteti dhe të cilët do ta çojnë Shqipërinë më pranë BE-së. Qytetarët shqiptarë gjithashtu presin një fushatë cilësore që ofron një debat të informuar dhe propozime politikash, dhe larg sulmeve provokuese”, thuhet në postim.
Po sot, kryetari i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, është takuar me ambasadorin britanik në Shqipëri Duncan Norman, ku në fokus kanë pasur procesin e zgjedhjeve. Në fokus kanë pasur përgatitjet e procesit zgjedhor, kurse Norman i konfirmoi mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për KQZ-në. Celibashi në këtë takim e ka siguruar Norman se KQZ po punon me përgjegjshmëri për siguruar që zgjedhjet e ardhshme të përmbushin standardet e kërkuara.