BE-OSBE:Reformë transparente
Rama: Do ulet numri komunave

TIRANË - Qeveria shqiptare nis punën për zhvillimin dhe zbatimin e një prej reformave më të rëndësishme, për të cilat është angazhuar, me mbajtjen e Konferencës Kombëtare “Reforma administrativo-territoriale në Shqipëri”.

Kryeministri vlerësoi se duhet formësuar një reformë administrative radikale pasi decentralizimi adminsitrativ dështoi duke fragmentarizuar Shqipërinë. Rama prezantoi dhe tre pikat ku do të bazohet reforma territoriale:1- Dialog me të gjithë aktorët, 2- Kompleksitet në qasje, 3- thjeshtëzim në ndarjen territoriale dhe fuqizimi i hapësirave ekonomike sociale dhe kulturore.

Në fjalën e tij kryeministri Rama tha se "ka dështuar decentralizimi administrativ" dhe shtoi se 150 komuna në Shqipëri janë barrë e buxhetit të shtetit. "Prej tyre 80 komuna janë me më pak se 5 mijë banorë, ndërsa 70 të tjera mbijetojnë vetëm nga buxheti i shtetit pasi nuk sigurojnë dot asnjë lloj vetëfinancimi."

Ambasadorët e BE-së dhe OSBE-së të pranishëm në këtë konferencë mirëpritën reformën territoriale dhe nënvizuan që kjo reformë të jetë gjithpërfshirëse transparente. Ata shtuan se "reforma administrative e territoriale duhet të garantojë pavarësi politike dhe financiare."

"Procesi për reformën administrative dhe territoriale, duhet të shmangë fragmentarizimin e vet si dhe të ketë dialog për këtë reformë. Përfshirja e autoriteteve lokale në ligjin e ri për shërbimin civil është një hap i rëndësishëm", , tha Ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi, ndërsa nënvizoi se legjislacioni mbështetës duhet hartuar tani në konsultim me aktorët dhe palët e interesuara.

RAMA: SHQIPERIA E FRAGMENTARIZUAR, DUHET REFORME 
Kryeministri Rama u shpreh se ka dështuar decentralizimi administrativ dhe reforma territoriale është e domosdoshme.

“Diktatura që izoloi Shqipërinë për gjysëm shekulli, nuk mbante nën kontroll vetëm kufinjtë e shtetit por edhe ata territorialë. Shkrirja e kufijve të dukshëm dhe të padukshëm, me të cilët shteti kishte nën kotroll jetën, sollën dallgëzime shumë të mëdha demografike. Këto dallgëzime që sollën ndryshime të mëdha. Përgjithësisht qeveritë e tranzicionit dështuan në administrimin e territorit.

Dështuan në sfidën e cilësisë për të gërshetuar, efektivitetin për të pasur ndryshime që qytetarët t’i preknin. Fragmentarizimi i njësive vendore përbën një copëzim asfiksues dhe rëndon trupin e Shqipërisë. Nga ky copëzim lindin të vdekura shërbimet publike, njësi vendore të paqëndrueshme ekonomikisht, vazhdojnë të jenë në agoni dhe vazhdojnë agoninë me buxhetin e shtetit dhe janë rreth 50 për qind e tyre. Janë edhe njësi vendore me numër shumë të vogël që nuk bëjnë gjë tjetër por vetëm shpërdorojnë fondet e shtetit. 

Përdorimi i ndarjes së territorit në mënyrë politike, ka sjellë edhe dëshmtimin e të gjitha reformave me bazë decentralizimin. Ky është kthyer në qëllim në vetëvete, por duhet të jetë një proces që përfshin edhe qytetarin.”- tha Rama.

rama

JA KU DO BAZOTE REFORMA TERRITORIALE

Rama tha se “Reforma territoriale është një prioritet i padiskutueshëm i yni.” Kjo do të bazohet në tre pika të ndryshme: 

Së pari: Dialog me të gjithë aktorët. Kjo është një reformë e rëndësishme dhe duhet të jetë gjithëpërfshirës, me të gjithë aktorët, forcat politike, komunitetit, grupet e interesit dhe miqtë tanë ndërkombëtar.

Së dyti: Kompleksitet në qasje, thjeshtëzim në ndarjen territoriale. Konsultimet duhet të intensifikohen si shprehje e qartë vizioni dhe vendosmërie të përbashkët. Nuk ka si të jetë reformë e një qeverisjeje, por duhet të jetë një reformë ku të gjithë të marrin pjesë.

Së treti: Fuqizimi i hapësirave ekonomike sociale dhe kulturore në funksion të zhvillimit të vendit, pasi kjo është edhe thelbi i kësaj reforme. Financimet tona ti përgjigjen njësive vendore, si në aspektin ekonomik, social dhe kulturore.

Kjo reformë synon të bëjë atë që fragmentarizimi i kuptuar si decentralizim, në një decentralizim që çdo qytetar të përfitojë nga qeverisja vendore. Financimet do të transformohen në strukturën dhe fuqinë e tyre si një reformë administrative territoriale me vizion.

rama

REFORMA DO TE SJELLE ZVOGELIM NUMRIT TE KOMUNAVE
Reforma territoriale do të jetë një aksion i drejtuar nga qeveria, pasi e ka të vetëdishme se në dështimin e kësaj reforme nuk qëndron mungesa e kapaciteteve, por shtyrja e saj kohë pas kohe. Reforma do të krijojë njësi të reja më të gjera që do të shërbejnë më mirë në funksionin ekonomik. Na duhet sot kjo reformë në kushtet kur jo vetëm ekonomia është në krizë të thellë, apo kur financat e vendit nuk e përballojnë dot këtë thërrmim të njësive vendore, pasi në numër të madh janë thjeshtë administrata që marrin rrogë e nuk bëjnë dot gjë tjetër.

Kjo reformë na duhet për një rritje të zgjuar të vendit, në pikëpamjen ekonomike, social-kulturore, duke fuqizuar burimet zhvillimore të vendit në këto tre drejtime.
Më lejoni t’ju them se, sot është e papranueshme në kushtet e Shqipërisë, me mundësitë që kemi, që administrata e komunave t’ju kushtojë taksapaguasve 25 milionë dollarë në vit.

Të ketë 80 komuna me më pak se 5 mijë banorë dhe 70 komuna me të ardhura zero dhe qëndrojnë në këmbë vetëm falë pagave të dhëna nga buxheti. Kemi çdo vit një barrë shepnzimesh për të mbajtur në këmbë dhe paguar me rroga një mikrostrukturë që është e paralizuar në këto komunitete. Në këto komuna janë disa qindra që marrin paga dhe mijëra që lëngojnë nga mungesa e projekteve.

REFORMA DO TE SJELLE BARAZI PER QYTETARET NE TE GJITHE VENDIN
Reforma administrative territoriale është e domosdoshme për një qasje të re, territoriale e administrative që ti shërbejë edhe barazisë së shanceve në aksesin në fondet publike në nivelin vendor. Sot kjo barazi është inekzistente dhe kjo ndarje territoriale kthehet në një disbalancë në zonat e ndryshme të vendit dhe sjell një pabarazi në shumë territore të vendit, thjeshtë për faktin se janë anëtarë të njësive të vogla dhe të papërfillshme.

Transformimi thjeshtë i territorit të vendit në një territor të ndarë në mënyrë kompakte do të sjellë rritjen e menjëhershme të barazisë mes, njerëzve që jetojnë në zona periferike në ato qëndrore të vendit. Jam i bindur se sot më shumë se dje janë krijuar të gjitha kushtet dhe për ta kapërcyer murin që kemi përpara e për të kryer këtë reformë.

NDARJA E RE TERRITORIALE DO TE FUQIZOJE EKONOMINE
Një ndarje e re territoriale dhe administrative do të fuqizojë ekonominë, komuniteteve dhe do të japë një shanc më i madh për të jetuar në këtë vend. Me të njëjtin financim do të bëhet shumë më tepër punë. Kjo është tendenca sot. Kompaktësimi i njësive vendore sjell menjëherë përfitime ekonomike dhe financiare pa e rënduar dhe duke e lehtësuar barrën mbi buxhetin e shtetit.


BE-OSBE: REFORMA TË JETË TRANSPARENTE DHE GJITHËPËRFSHIRËSE
BE e OSBE mirëpresin reformën territorial dhe vlerësuan qeverinë që është një prioritet. Ata nënvizuan që kjo reformë të jetë gjithpërfshirëse dhe transparente, tha ambasadori i OSBE-së, Florian Raunging.

“Ndarja territorial rezultoi në njësi shumë të vogla me burime dhe asete shumë të kufizuara që në shumë raste e ka bërë shumë të vështirë për pushtetin vendor të ofrojë shërbime publike cilësore për qytetarët e vet. Pushteti vendor ishte i varur nga transfertat që vijnë nga qeveria qëndrore, apo fonde të huaja dhe pa asnjë mjet vetëfinancimi.
Nevoja për një ndarje të re është identifikuar nga një sërë ekspertësh ndërkombëtare dhe nga organizatat ndërkombëtare. Kjo reform të jetë në përputhje me dispozitat e qeverisjes, dhe të garantojë pavarësinë politike adminsitrative dhe financiare të pushtetit vendor.

Një procesi i sukseshëm kërkon përgatitje të thellë duke mbajtur parasysh situatën speciifike të vendit. Një proces vendimmarrës i hartuar mirë është i nevojshmë dhe për të siguruar të gjkithë aktorët.
Është e domosdoshme që procesi të jetë transparent, gjithëpërfshirës dhe konsensual. Besoj se kjo konferencë sjell të gjithë së bashku aktorët kombëtarë e ndërkombëtarë aktiv në këtë fushë. Është pikënisje për aktorët që të japin kontributin për reformën terriotoriale përmes një përçasje transparente.“- tha ambasadori i i Prezencës së OSBE-së, Florian Rauning i cili e mbylli fjalën e tij duke bërë thirrje të gjithë aktorëve vendas të jenë aktivë e konstruktiv në këtë reformë pasi është kritike sa i takon zhvillimit të vendit”.

rauning
(Foto: Ambasadori i OSBE, Florian Rauning)   Fjala e plote e kreut të OSBE-së në konferencë

Nga ana e tij ambasadori i BE, së Ettore Sequi tha se BE-ja ka dhënë mbi 100 milion euro fonde gjatë programit IPA gjatë viteve 2007-2013 për infrastrukturën, kanalizimet, promovimin e turizmit dhe trashëgimisë kulturore.

“Do të vazhdojmë të përsërsimin këtë takim derisa njësitë vendore të jenë në gjendje të zbatojnë legjislacionin europian. Progres raporti i fundit ishte shumë i qartë sa i takon shqetësimeve të qeverisjes vendore, dhe të ardhurave e menaxhimit të burimeve njerëzore, transparencës dhe numri i lartë i stafeve me kontrata të përkoshme. Reforma dhe decentralizimi kanë evoluar dhe përbëjnë një shqetësim, në këtë kontekst BE e mirëpret konferencën dhe kërkon të arrihen objektivat.”- tha Sequi, duke nënvizuar koordinimin dhe gjithpërfshirjen.

   Ai nënvizoi gjithashtu, se duhet koordinim dhe gjithëpërfshirje, pasi, sipas tij, "ky proces reforme po shqyrton fragmentarizimin dhe duhet të shmangë fragmentarizimin e vet, duhet të ketë dialog për këtë reformë".

   "Ne do të donim të shihnim përgatitjen për draftimin dhe zbatimin e kësaj strategjie për reformën, të shkojë krah për krah me zbatimin e ligjit për shërbimin civil dhe planin për decentralizimin fiskal", theksoi Ambasadori Sequi, ndërsa nënvizoi se "legjislacioni mbështetës duhet hartuar tani në konsultim me aktorët dhe palët e interesuara".

Duke u ndalur tek investimet e BE-së, të cilat kapin shifrën e 100 milionë eurove, Sequi tha:  "Ne duam që të jemi në gjendje që të raportojmë taksapagusve evropian se investimet që kanë bërë,  kanë përmirësuar jetesën e qytetarëve shqiptarë", theksoi ai.  "Është e rëndësishme që Shqipëria të ecë përpara dhe besimi në reform të ndërtohet përmes një fryme partneriteti”, përfundoi fjalën e tij, ambasadori i BE-së, Ettore Sequi.

sequi
(Foto: Ambasadori i BE, Ettore Sequi)

ÇUÇI: NJËSI MË TË MËDHA ADMINISTRATIVE
“Reforma administrative territoriale do të krijojë njësi më të mëdha vendore dhe do të krijojë më shumë shërbime për qytetarët e do të mbledhë më shumë të ardhura. 
Nevoja për rindarjen e territorit është diskutuar shumë gjatë 12 viteve të fundit. Jemi këtu për ta çuar përpara reformën. Të adoptojmë një reformë me njësi më të mëdha para zgjedhjeve lokale të 2015. Do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me miqtë dhe partnerët ndërkombëtar që na kanë mbështetur për këtë reformë.” – tha Ministri i Çështjeve vendore.

cuci
(Ne foto: Bledar Çuçi)

BLUSHI: REFORMA TERRITORIALE E DOMOSDOSHME
Deputeti socialist, Ben Blushi, i cili ka mbajtur më parë edhe postin e ministrit të Pushetit Lokal, gjatë qeverisjes socialiste deri në 2005, ka deklaruar se, kjo reformë duhej bërë prej kohësh.

“Kjo reformë duhej të ishte bërë prej disa vitesh, pasi vendet e BE-së gjatë këtyre 20 viteve kanë bërë reforma të ndryshme territoriale. Kjo reformë territoriale do tu japë mundësi edhe atyre që e shikojnë politikisht që të riformatohen sipas territorit. E për këtë reformë nuk besoj se do të ketë kundështimi. Edhe qeveria duhet ta trajtojë këtë reformë territoriale thellësisht ekonomike”, tha deputeti Ben Blushi.

TE FTUARIT NE KONFERENCE
Konferenca organizohet nga OSBE-ja dhe Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore. Në të marrin pjesë Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Ambasadori i Prezencës së OSBE-së, Florian Rauning dhe Ambasadori i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Ettore Sequi. Gjithashtu janë përfshirë të gjithë aktorët e të interesuar në proces: përfaqësues të të gjithë spektrit politik, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të programeve ndërkombëtare që punojnë në fuqizimin e qeverisjes vendore në Shqipëri.
 
Konferenca do të shërbejë si një forum ku përfaqësues të institucioneve të ndryshme në nivel qendror e lokal dhe ekspertët ndërkombëtare do të paraqesin qëndrimet dhe vizionin e tyre mbi hapat dhe proceset, nëpër të cilat do të kalojë reforma, sfidat dhe afatet kohore që do ta ndiqen deri në realizimin e plotë të saj.

Diskutimet në konferencë do të bazohen edhe mbi prezantime të praktikave më të mira të reformave territoriale në shtete të tjera evropiane. Mbështetja e Konferencës nga programe ndërkombëtare në Shqipëri është hapi i parë në përkrahjen e tyre për këtë nismë të rëndësishme të Qeverisë.

Gjatë punimeve të Konferencës do të prezantohet dhe faqja në internet që do të shoqërojë reformën, www.reformaterritoriale.al, një faqe aktive që do t’u ofrojë publikut dhe të interesuarve mundësi për t’u informuar në kohë reale dhe për të marrë pjesë në hartimin dhe zbatimin e reformës administrativo-territoriale në Shqipëri.

Reforma administrativo-territoriale do të jetë një reformë gjithëpërfshirëse, e cila do të rrisë efikasitetin e njësive vendore përmes mirëqeverisjes, rritjes së efiçencës në menaxhimin e burimeve të këtyre njësive, menaxhimin e kapaciteteve, përmirësimin e shërbimeve që u ofrohen qytetarëve, si dhe fuqizimin e qytetarëve dhe komuniteteve. Reforma do të jetë një gur themeli për organizimin e zgjedhjeve vendore të vitit 2015.

Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Thirrja e Erjonit dhe Belindit në të njëjtën ditë në SPAK, politikë penale dhe jo profesionale

Spahiu: Thirrja e Erjonit dhe Belindit në të njëjtën ditë në SPAK, politikë penale dhe jo profesionale