BE pret një proces që të sigurojë
pranim e respektim të rezultatit

BE pret një proces që të sigurojë<br />pranim e respektim të rezultatit
TIRANE- Në prag të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Ettore Sequi, ka folur për ecurinë e procesit parazgjedhor dhe rëndësinë e zhvillimit të këtij procesi sipas standardeve. Në një intervistë për “Deutche Welle”, ambasadori Sequi, theksoi rëndësinë e zhvillimit të një procesi zgjedhor të pranueshëm dhe të besueshëm, në mënyrë që të ketë respektim të rezultatit.
 
Më tej, Ambasadori Sequi u ndal tek problematikat që sjell në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor KQZ me 4 anëtarë, pasi sipas tij “ky institucion duhet të marrë vendime me shumicë prej 5 votash, por nuk i ka”.
 
Edhe pse sipas ambasadorit të BE në Tiranë, ende nuk ka sinjale nga palët për plotësimin e KQZ, Sequi shprehet se ka “pritshmëri, pasi nuk është kurrë vonë që KQZ të funksionojë e kompletuar”.
 
Duke u ndalur tek situata parazgjedhore në vend, ambasadori Sequi theksoi se “ky proces po ndiqet nga ndërkombëtarët, dhe do të vijojë të monitorohet edhe ditën e zgjedhjeve si dhe pas procesit”.
 
Presim që procesi zgjedhor të kryhet sipas standardeve, pasi zgjedhjet në Shqipëri përbëjnë një pikë kyçe për demokracinë dhe integrimin e vendit”, u shpreh ambasadori Sequi.
 
DW: Z. Ambasador çfarë mesazhesh do t'u drejtonit ju votuesve, qytetarëve të Shqipërisë për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit?
 
Ettore Sequi: Mesazhet janë shumë të qarta dhe mbështeten në konkluzionet e Këshillit Europian në Dhjetor 2012 deklaratën më të fundit të Përfaqësueses së lartë Catherine Ashton dhe komisionerit Stefan Fyle. Besojmë se zgjedhjet parlamentare në Shqipëri përbëjnë një test kyç për institucionet demokratike të Shqipërisë dhe natyrisht për progresin e Shqipërisë drejt BE. Ne po vazhdojmë të monitorojmë nga shumë afër përgatitjet për zgjedhjet parlamentare të së dielës ashtu si do të monitorojmë situatën post- zgjedhore. Presim që zgjedhjet të kryhen sipas standardeve europiane dhe ndërkombëtare. Dëshirojmë që t'u drejtojmë një mesazh votuesve të Shqipërisë: Votoni, nëse doni që zëri juaj të dëgjohet. Në fund të fundit , demokracia është pjesëmarrje. Zgjedhjet janë një mënyrë e drejtpërdrejtë për të siguruar pikërisht këtë: demokracinë. Këto janë mesazhet e BE së bashku me partnerët e tij ndërkombëtarë.
 
DW: Ka një njësim mesazhesh për zgjedhjet e kësaj të diele mes BE dhe partnerëve të tij ndërkombëtare, arsyeja?
 
Ettore Sequi: Njësimi i mesazheve vjen nga synimi i njëjtë lidhur me këto zgjedhje, që mbështetet tek vlerat e përbashkëta. Dhe vlerat janë në thelb, do të thoja, të “ndërtesës europiane dhe euro- atlantike”. Unë e kam zakon te them që Europa është një sistem vlerash të përbashkëta. Mesazhet e BE, të përbashkëta me vendet e tij anëtare dhe partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA, mbështeten pikërisht në këto vlera: demokracia, të drejtat themelore, pjesëmarrje në jetën demokratike të vendit. Ashtu si thashë pak më parë, zgjedhjet janë “përkthimi më i mirë” i vënies në jete të këtyre parimeve.
 
DW: Cilat janë pritshmëritë tuaja nga administrata zgjedhore, partitë politike, shoqëria civile?
 
Ettore Sequi: Kemi pritshmëri të larta kundrejt partive politike, shoqërisë civile e kështu me radhë. Pritshmëritë tona janë në radhë të parë për një proces të qetë, që nga njëra anë të sigurojë besimin e qytetarëve të Shqipërisë tek institucionet e tyre demokratike dhe nga ana tjetër të sigurojë një bazë të shëndoshë për pranimin dhe respektimin e rezultatit. Në këtë kuptim, roli i administratës zgjedhore, i partive politike, i shoqërisë civile është jashtëzakonisht i rëndësishëm, është kyç. Presim një pjesëmarrje të lartë në votime, pjesëmarrje të lartë të shoqërisë civile në monitorimin e procesit elektoral,presim një administratë zgjedhore të pavarur, profesionale, të shpejtë, presim që politikanët të marrin përgjegjësinë dhe të sigurojnë që qytetarët e Shqipërisë të kenë besim tek procesi dhe të respektojnë rezultatin e këtyre zgjedhjeve. Natyrisht, që BE pret që gjithë aktorët politikë dhe mbështetësit e tyre të sigurojnë zhvillimin paqësor të zgjedhjeve.
 
DW: Ambasador Sequi, ju po flisni për besim të zgjedhësve, të qytetarëve tek institucionet demokratike të procesit zgjedhor. Ndër më kryesorët mes tyre është KQZ, që vazhdon të jetë në krizë nga mosfunksionimi i tij me gjithë anëtarët por vetëm me 4 në vend të 7 syresh. A ka ndonjë shpresë, sado të vogël, që deri të dielën, mosbesimi që gjeneron tek votuesit funksionim i mangët i KQZ te mund të rikuperohet nga kompletim me gjithë anëtarët e tij, të paktën për sa i përket pikërisht besimit të votuesve pa u ndalur tek respektim i ligji, Kodit etj?
 
Ettore Sequi: Faleminderit shumë, kjo është një pyetje shumë e rëndësishme, thelbësore. KQZ duhet të marrë vendime me shumicë të cilësuar prej 5 votash q ë nuk i ka. Nuk është kurrë vonë që KQZ të funksionojë i kompletuar , me gjithë anëtarët e saj. Dhe besoj se kjo çështje duhet zgjidhur pikërisht për të siguruar më tepër besim tek procesi. Ndërkohë duhet të pranojmë që situata aktuale përmban në vetvete disa sfida lidhur me vendimet që kërkojnë një shumicë të cilësuar. Plotësimi KQZ me të gjithë anëtarët e saj është në mënyrë shumë të qartë thelbësor përkundrejt besimit dhe mirëbesimit të votuesve ndaj institucioneve zgjedhore. Gjithsesi, përsëris: nuk është kurrë vonë të zgjidhet ky problem.
 
DW: Keni shpresë, keni ndonjë sinjal nga palët?
 
Ettore Sequi: Më tepër se sinjale kam pritshmëri.
 
DW: A mund të arrijë amplituda e mosbesimit të votuesve deri në mospranim të rezultatit, në kontestim të tij nga njëra apo tjetra palë, në fakt nga ajo që do të humbasë zgjedhjet?
 
Ettore Sequi: Ashtu si thashë pak më parë situata në fjalë paraqet disa sfida. Ashtu si deklaroi para disa ditësh Zv.Ndihmës Sekretari Amerikan i shtetit, Philip Reeke, deklaratë me të cilën jam plotësisht dakord se “mënyra si partitë politike po zhvillojnë fushatën elektorale, si KQZ menaxhon dhe administron procesin, si do të regjistrohen votat, si do të zgjidhin mosmarrëveshjet dhe ankesat, si do të bëhet numërimi, si partitë politike dhe publiku do të presin rezultatin final – të gjitha këto do të dërgojnë një mesazh shumë të rëndësishëm për të ardhmen e Shqipërisë, unë do të thoja për të ardhmen europiane të Shqipërisë. Jam shumë i sigurt se të gjithë e dinë, e kuptojnë këtë.
 
DW: E diela, dita e zgjedhjeve është shumë afër. Më falni që po këmbëngul: a ka ndonjë gjasë që BE të ushtrojë ndikim që ky mesazh të përkthehet në veprime konkrete. Çfarë do të bëjë delegacioni i BE të dielën?
 
Ettore Sequi: Para së gjithash ne po monitorojmë nga shumë afër procesin zgjedhor, përgatitjet për ditën e votimit dhe do të vazhdojmë të monitorojmë. Kemi qenë shumë të qartë për nevojën që zgjedhjet e së dielës të jenë në përputhje me standardet europiane dhe ndërkombëtare. Kemi vepruar dhe po veprojmë edhe tani me deklaratat, zotimet tona, kontributin në misionin vëzhgues të ODIHR-it, BE ka vënë në dispozicion fonde për të financuar 32 vëzhgues afatshkurtër dhe 6 afatgjatë. Do të mbulojmë edhe një numër shumë të madh qendrash të numërimit të votës, do të marrim pjesë aktivisht në procesin e vëzhgimit, në procesin e votimit dhe të regjistrimit, të dyja këto segmente të procesit të votimit jashtëzakonisht të rëndësishme. Kjo do të injektojë më shumë besim dhe mirëbesim tek procesi. Sinqerisht , besimi dhe mirëbesimi në Shqipëri nganjëherë është “një mall që mungon”. Nga ana tjetër, besojmë që besimi dhe mirëbesimi tek procesi është një përgjegjësi e drejtuesve politikë dhe partive politike të Shqipërisë. Do të doja të shtoja për të rinjtë dhe të rejat që votojnë për herë të parë se këto zgjedhje janë një mundësi shumë e mirë për ta që zërat e tyre të dëgjohen, është fjala për të ardhmen e tyre. Pres një pjesëmarrje të madhe në votime por sidomos nga rinia. Nga përvoja e qëndrimit tim në Shqipëri- tani më bëhen 8 vjet- admiroj vitalitetin, entuziazmin, madje edhe idealizmin e rinisë. Rinia e Shqipërisë meriton shumë. Nëse jemi dakord që zgjedhjet e mira do ta ndihmojnë Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt Europës, mendoj që të rinjtë dhe të rejat janë ata qe do të përfitojnë më shumë nga procesi i integrimit europian, prandaj duhet të marrin pjesë aktivisht në zgjedhjet e të dielës, pasi është fjala për të ardhmen europiane të vendit të tyre.
 
Marrë nga "DW", Intervistoi: Ani Ruci

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës