TIRANË, 17 Dhjetor /ATSH-Gjergji Mima/ - Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian ka miratuar një rezolute, ku i kërkon qeverisë dhe opozitës të arrijnë në një dialog konstruktiv.
Sipas rezolutës, ai duhet të zhvillohet në parlament dhe të shoqërohet me reforma në sistemin e drejtësisë dhe luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Dhe kjo, sipas rezolutës, është përgjegjësi e të dyja palëve. Vendosja e dialogut do të jetë jetike për progresin e Shqipërisë drejt BE-së.
Në rekomandimet e këshillit përpos arritjeve që e çuan Shqipërinë në marrjen e statusit të vendit kandidat këtë vit, ajo duhet të përmbushe disa prioritete kyçe për hapjen e negociatave për anëtarësim.
Dhe zbatimi i reformave është thelbi i tyre. Administrata publike është në qendër të këshillave të ndërkombëtarëve, për të rritur profesionalizmin dhe depolitizimin e saj. Në rezolutë theksohet se duhet forcuar pavarësia e gjyqësorit, të intensifikohet lufta kundër krimeve, duke përfshirë edhe kultivimin e drogës dhe trafikimin e saj.
Sipas ndërkombëtarëve, ky proces duhet të shoqërohet me ndjekje penale dhe dënime të të inkriminuarve. Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian risjell në vëmendje nevojën për angazhim konstruktiv për ndërtimin dhe mbajtjen e një fqinjësie të mirë.
Konkluzionet e Këshillit për Procesin e Zgjerimit dhe Stabilizim Asocimit
Këshilli ka mirëpritur progresin e bërë nga Shqipëria, të cilat çuan në dhënien e statusit të vendit kandidat në qershor 2014. Këshilli vë në dukje hapat pozitive të ndërmarra në luftën kundër krimit të organizuar, dhe një intensifikim të veprimtarive të zbatimit të ligjit, sidomos në kapjen e drogës dhe reformën e gjyqësorit
Megjithatë, Këshilli vëren se sfida të rëndësishme shtrihen përpara. Këshilli rithekson se, Shqipëria do të duhet të përmbushë prioritetet kyçe për hapjen e negociatave për anëtarësim.
Këshilli fton Shqipërinë të intensifikojë përpjekjet e saj për reformat dhe të veprojë me vendosmëri për të adresuar prioritetet kryesore. Këshilli nënvizon në veçanti nevojën e Shqipërisë për vazhdimin e reformës në administratën publike me synimin për të rritur profesionalizmin e saj dhe depolitizimin.
Të ndjekë një reformë gjithëpërfshirëse për të përforcuar pavarësinë, efikasitetin dhe llogaridhënien e gjyqësorit, përmes një procesi gjithëpërfshirës dhe përmes një konsultimi të ngushtë me Komisionin e Venecias.
Të intensifikojë përpjekjet e saj kundër korrupsionit dhe të vijojë me hapat e përcaktuara në luftën kundër krimit të organizuar, duke përfshirë edhe kultivimin e drogës dhe trafikimit, me qëllim krijimin e një sërë hetimesh proactive të ndjekjeve penale dhe dënimeve në të dyja fushat.
Të marrë masa efektive legjislative dhe politike për të përforcuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe politikat anti-diskriminuese, duke përfshirë edhe trajtimin e barabartë të të gjitha pakicave, si dhe për zbatimin e të drejtave pronësore.
Këshilli i bën thirrje Shqipërisë që urgjentisht të adresojë mangësitë e identifikuara në lidhje me lirinë e shprehjes dhe mediave, veçanërisht për të forcuar pavarësinë e autoritetit rregullator të medias dhe transmetuesit të shërbimit publik.
Këshilli gjithashtu i bën thirrje autoriteteve të sigurojnë zbatimin e qëndrueshëm të reformave të ndërmarra tashmë. Shqipëria duhet të vazhdojë reformat ekonomike që synojnë rritjen e konkurrencës, përmirësimin e mjedisit për investim nga ana e biznesit dhe të arrijë konsolidimin fiskal.
Këshilli nënvizon se dialogu konstruktiv dhe i qëndrueshëm mes Qeverisë dhe opozitës në reformat lidhur me BE, do të jetë jetike për progresin drejt BE-së. Kjo është përgjegjësi e përbashkët e të dyve, qeverisë dhe opozitës për të siguruar që debati politik të zhvillohet në parlament.
Këshilli i kërkon Shqipërisë të ecë përpara me planet e saj për krijimin e një Këshilli Kombëtar për Integrimin Europian, duke i bashkuar të gjitha palët e interesuara, të cilat duhet të ndihmojnë më tej në zgjerimin e përfshirjes në procesin e reformave.
Këshilli gjithashtu mirëpret angazhimin konstruktiv të Shqipërisë në bashkëpunimin rajonal dhe në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, të cilat mbeten thelbësore, si dhe përafrimi i tij i plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme të BE-së. /a.ke/








