Ligji anti-LGBTQ+ i Hungarisë që u miratua në vitin 2021 është në shkelje të hapur të vlerave të Bashkimit Evropian. Ky është verdikti i prerë i Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian, e cila e cilëson ligjin diskriminues dhe stigmatizues për komunitetin LGBTQ+.
Në vendimin e saj, Gjykata argumenton se ky ligj bie ndesh drejtpërdrejt me një shoqëri që bazohet te pluralizmi, barazia dhe liria e shprehjes. Bëhet fjalë për ligjin e ashtuquajtur “për mbrojtjen e fëmijëve”, që në praktikë ndalon përmbajtjet LGBTQ+ në shkolla dhe në televizion gjatë orareve kryesore.
Për BE-në kjo nuk është thjesht politikë e brendshme por një shkelje e hapur e të drejtave themelore.
Ligji kufizon përfaqësimin e personave homoseksualë dhe transgjinorë në materiale edukative, filma, reklama dhe programe televizive para orës 22:00. Një qasje që më herët është krahasuar edhe me modele të ngjashme në Rusi.
Gjykata thotë se Hungaria nuk mund të fshihet pas “identitetit kombëtar” për të justifikuar cenimin e lirive bazë. Madje, vendi është urdhëruar të zbatojë menjëherë vendimin dhe të paguajë edhe kostot e procesit, përfshirë ato të Komisioni Evropian.
Në sfond, politika në Budapest është vënë në lëvizje. Peter Magyar ka marrë një fitore të thellë në zgjedhjet e fundit, duke premtuar luftë kundër korrupsionit dhe rritje të standardit të jetesës. Por për çështjen LGBTQ+, ai ende nuk ka folur prerazi nëse do t’i 'çmontojë' këto politika apo jo.
Arkitekti i këtij ligji është pikërisht ish-kryeministri Viktor Orban, i cili qëndroi 16 vite në pushtet.
Reagimet nuk kanë munguar. Eurodeputetja Tineke Strik kërkon që qeveria e re të vendosë në qendër “rivendosjen e plotë të të drejtave” për komunitetin LGBTQ+.
Edhe organizatat e të drejtave të njeriut e quajnë këtë një moment historik. ILGA-Europe thekson se Hungaria nuk mund të hapë një kapitull të ri pa e shfuqizuar këtë ligj.
Komente









