I pranishëm në firmosjen e marrëveshjes së bashkëpunimit mes Avokatit të Popullit me organizatat e Shoqërisë Civile për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ambasadori vuri theksin tek të drejtat e njeriut, sidomos të grupeve të njerëzve në nevojë. Ceremonia u zhvillua sot paradite në hotel "Tirana International".
“Plotësimi i kritereve të Kopenhagenit është një nga parakusht që Shqipëria të marrë statusin e vendit. Përfshihen këtu të drejtat ekonomike politike. Kriteri 11 dhe 12 kanë të bëjnë me mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe parandalimin e keqtrajtmit. Ne i kushtojmë vëmendje të madhe të drejtave të grupeve të njerëzve në nevojë. Këto janë 2 nga 12 prioritet kyçe, pse ne jemi sot këtu.”- tha Sequi duke nënvizuar “mbrojtjen e të drejtave të njeriut e grave, të komunitetit rom, parandalimin e diskriminit dhe keqtrajtimit".
HETONI DENONCIMET E AVOKATIT TE POPULLIT
Sequi beson se bashkëpunimi mes Avokatit të Popullit dhe organizatave civile do të japë një kontribut për mbrojtjen e këtyre grupeve dhe hetimin rasteve e kur ka shkelje të të drejtave themelore. Kjo, vuri në dukje ambasadori Sequi, "është arsyeja pse BE është e angazhuar dhe ka dhënë më shumë se 5 milionë euro për të mbështetur shoqërinë civile në vitet e fundit"
“Jemi të mendimit se të gjithë kritikat e Avokatit të Popullit të merrem me kujdes nga institucionet shtetërore”- nënvizoi ambasadori.
KOMISIONI KOMBETAR PER TE DREJTAT E NJERIUT
Nënshkrimi i Marrëveshjeve është hapi i parë në drejtim të krijimit të një Komisioni Kombëtar për të Drejtat e Njeriut me funksione këshillimore pranë Avokatit të Popullit. Komisioni do të ketë në përbërjen e tij 20 anëtarë, nga të cilët 15 përfaqësues të shoqërisë civile dhe 5 personalitete të shquara e ekspertë të fushave me impakt të drejtëpërdrejtë në zbatimin dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Si hap i dytë, organizatave do t’u kërkohet të përzgjedhin 15 përfaqësues të tyre për të bërë pjesë në këtë Komision.
Komisioni do të ketë në fokusin e tij dy detyra kryesore, analizën e projektligjeve që i propozohen parlamentit si dhe të akteve nënligjore e dispozitave administrative (me kërkesën e qeverisë, apo me iniciativën e tij) në dritën e qasjes që mban parasysh të drejtat e njeriut dhe të qytetarit, me qëllim përputhshmërinë e tyre me standardet e të drejtave të njeriut si dhe monitorimin e zbatimit praktik të ligjeve, me qëllim identifikimin e progresit të bërë dhe nevojës për përmirësime. Në çdo rast, zbatimi i ligjeve do të bëhet në raport me kriteret ndërkombëtare e në mënyrë të veçantë, me detyrimet e vendit në proceset e integrimit europian. Të pranishëm në këtë eveniment të rëndësishëm ishin edhe z. Eugen Wollfarth, Ambasador i OSBE në Tiranë, zj. Deborah Jones, zëvendës ambasadore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe zoti Marc Leiddeker, Shefi i Zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë.
(sg/shqiptarja.com)