Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një konferencë të përbashkët me përfaqësesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell dhe komisionerin Oliver Varhelyi ka theksuar sërish se destinacioni i Kosovës është Bashkimi Evropian dhe se BE-ja është kontinenti ynë. Kurti sërish përsëriti që BE-ja duhet të tregohet e drejtë me Kosovën dhe të heq vizat për qytetarët e saj.
“Është e rëndësishme që të kemi liberalizmin e vizave, dhe janë bërë 3 vite që kur Komisioni Evropian rekomandoj liberalizimin e vizave, e qytetarët tanë vazhdojnë të përballen ende me regjimin e vizave”, u shpreh Kurti.
Nga ana tjetër kryeministri Kurti dhe kryediplomati evropian, Josep Borell s’janë pajtuar për zbatimin e marrëveshjes së Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe. Kryeministri Kurti tha se Asociacioni do t’i shërbejë Beogradit më shumë se sa qytetarëve serbë.
“Të gjitha zgjidhjet që vijnë nga lart për të kënaqur politikanët e caktuar s’janë demokratike e unë jam demokrat dhe besoj se kapitujt e ardhshëm mes Kosovës dhe Serbisë s’duhet të jenë për të shpëtuar lëkurën e një politikani por t’i shërbejnë popullit dhe kam frikë se ky Asociacion është në shërbim të Beogradit shumë më shumë se sa ndonjë qytetari serb të Kosovës të cilëve u shërbej poaq si kryeministër i kësaj republike”, tha Kurti, shkruan Express.
Borell tha se s’pajtohet me kryeministrin Kurti se Gjykata Kushtetuese e pamundëson zbatimin e Asociacionit, duke thënë se Asociacioni duhet të zbatohet sepse është marrëveshja më e rëndësishme.
“Nuk pajtohem me juve kur thoni se Gjykata Kushtetuese e bën të pamundshme implementimin e marrëveshjes së Asociacionit që është lidhur nga përfaqësuesit e të dy palëve në pajtim me normat ndërkombëtare për lidhjen e marrëveshjeve dhe në kuadër të dialogut dhe më vjen keq kryeministër më duhet t’ju kërkojë për implementimin e kësaj marrëveshje. E di se ka marrëveshje të pa implementuara nga të dyja palët por kjo është më e rëndësishmja”, tha ai.