BE urdhëron ngrirjen e të dhënave të TikTok-ut pas akuzave për ndërhyrje ruse në zgjedhjet rumune

Foto ilustruese

Bashkimi Evropian ka urdhëruar TikTok-un që të ngrijë të gjitha të dhënat, pas raportimeve se platforma e rrjeteve sociale, në pronësi kineze, ka qenë instrumentale në zbatimin e një fushate të orkestruar nga Moska për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të Rumanisë.

Këshilli Suprem i Mbrojtjes Kombëtare i Rumanisë (CSAT) më 4 dhjetor ka deklasifikuar dokumente që thanë se shteti ishte cak i një “veprimi agresiv hibrid rus” që çoi në fitoren befasuese muajin e kaluar të kandidatit prorus të së djathtës ekstreme, Calin Georgescu, në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale.

CSAT tha se dokumentet treguan se Rumania, anëtare e BE-së dhe NATO-s, ishte cak i disa veprimeve të koordinuara, që me gjasë u orkestruan nga një “aktor shtetëror” që çuan në fitoren e Georgescut në zgjedhjet e 24 nëntorit, i cili garoi si i pavarur.

Komisioni Evropian – krahu ekzekutiv i BE-së – tha më 5 dhjetor se ka lëshuar “urdhër mbajtjeje” për TikTok-un në bazë të Aktit për shërbime digjitale, që të ruhen të dhënat “në lidhje me rreziqet aktuale apo të parashikueshme që shërbimi i tij mund të paraqesë ndaj proceseve zgjedhore dhe diskursin qytetar në BE”, tha KE-ja përmes një deklarate.

KE-ja shtoi se ky urdhër ishte i nevojshëm për të hetuar nëse TikTok-u po i përmbahet obligimeve që dalin nga Akti për shërbime digjitale.

Sipas dokumenteve të publikuara, shërbimet e inteligjencës rumune besojnë se Georgescu u promovua në mënyrë masive në TikTok, me mbështetjen e Rusisë përmes metodave të ndryshme, përfshirë llogarive të koordinuara, algoritmeve që rritën praninë e tij në platformë dhe reklamave me pagesë.

Dokumentet po ashtu pretendojnë se shpjegojnë se si popullariteti i Georgescut u rrit nga 1 për qind pak para garës zgjedhore në 22 për qind, përmes një operacioni të madh të manipulimit që përfshinte influencues, duke futur në gracë institucionet rumune, por edhe votuesit e zakonshëm.

Zgjedhjet parlamentare, që u mbajtën një javë më vonë, po ashtu rezultuan me rritjen e tri partive proruse të ekstremit të djathtë, që morën një të tretën e votave, edhe pse partitë proevropiane duket se kanë votat e mjaftueshme për të formuar një koalicion qeverisës.

Më 8 dhjetor, votuesit do të vendosin për fituesin e zgjedhjeve presidenciale dhe në rundin e balotazhit, Georgescu do të përballet me kandidaten proevropiane, Elena Lasconi.

Para rundit të balotazhit, Shtetet e Bashkuara bënë thirrje për hetim të veprimeve të Moskës në zgjedhjet në Rumani./ REL

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 6 Janar, 20:03

    Si iu duket trafiku rrugor në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Virusi në rrjetin Whatsapp infekton përdoruesit, mes tyre edhe efektivë të Policisë së Shtetit! Dyshime për sulm kibernetik, po punohet për të fshirë linkun (MESAZHI)

Virusi në rrjetin Whatsapp infekton përdoruesit, mes tyre edhe efektivë të Policisë së Shtetit! Dyshime për sulm kibernetik, po punohet për të fshirë linkun (MESAZHI)