Foto: Flamuj të BE-së

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian ranë dakord për një raund të ri sanksionesh ndaj pushtuesve izraelitë dhe organizatave të akuzuara për mbështetje të aktiviteteve të paligjshme të vendbanimeve në Bregun Perëndimor.

Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot, njoftoi se BE-ja po vendos masa ndëshkuese ndaj organizatave izraelite që, sipas tij, mbështesin “kolonizimin ekstremist dhe të dhunshëm” në Bregun Perëndimor, si dhe ndaj drejtuesve të tyre.

“Bashkimi Evropian po vendos sanksione sot ndaj organizatave kryesore izraelite, fajtore për mbështetjen e kolonizimit ekstremist dhe të dhunshëm të Bregut Perëndimor. Këto akte shumë serioze dhe të patolerueshme duhet të ndalen pa vonesë”, shkroi Barrot në platformën sociale X.

Ai shtoi se BE-ja ka miratuar gjithashtu sanksione ndaj “udhëheqësve kryesorë të Hamasit”.

Sipas Barrot, Franca dhe partnerët evropianë synojnë të mbështesin zgjidhjen me dy shtete, ku Izraeli dhe Palestina të jetojnë “krah për krah në paqe dhe siguri”.

Vendimin e konfirmoi edhe shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, e cila deklaroi se ministrat e jashtëm “miratuan sanksione ndaj kolonëve izraelitë për dhunën kundër palestinezëve”.

“Ishte koha e duhur që të kalonim nga bllokimi në arritjen e qëllimit. Ekstremizmi dhe dhuna kanë pasoja”, shkroi Kallas në X.


Lajmi kryesor:

Irani refuzon propozimin amerikan, reagon presidenti Trump: Përgjigja e tyre është e papranueshme