TIRANE - Edhe pse jemi në muajin e dytë të vitit 2013, ende nëpër gjendjet civile të njësive bashkiake ne kryeqytet nuk është dhënë shpërblimi prej 5 mijë lekësh, për fëmijët e lindur në vitin 2012. Për t’u uruar mirëseardhjen foshnjave të sapolindura, me vendim të qeverisë numër 9929, datë 09.06.2008 u vendos që çdo fëmijë të marrë një shpërblim prej 5 mijë lekësh.

Por, ky vendim duket që ka pasur probleme të shumta për t’u zbatuar. Shkak për mos marrjen e këtij shpërblimi nga prindërit e foshnjave është, se Ministria e Brendshme ende nuk ka dhënë fondet për këta fëmijë. Kjo gjë konfirmohet edhe nga drejtuesit e njësive bashkiake në kryeqytet. Sipas Jeta Seitaj, kryetares së njësisë nr.5 në Tiranë, shpërblimi për fëmijët e lindur në vitin 2012, nuk është dhënë ende. “Shpërblimi për fëmijët e lindur në vitin 2012, nuk është shpërndarë ende. Shkak për këtë është se ne nuk na janë dhënë fondet nga Ministria e Brendshme, për t;u dhënë këtë shpërblim fëmijëve”.

Edhe drejtuesi i njësisë numër 6 në kryeqytet Krenar Cenollari na jep të njëjtën arsye për mosdhënien e bonusit, madje ai shton se ky shpërblim nuk është dhënë as për fëmijët e lindur në vitin 2011. “ Bonusi që duhet t’u jepet fëmijëve sipas vendimit të qeverisë numër 9929, datë 09.06.2008.  Nuk është shpërndarë jo vetëm për fëmijët e viti 2012, por edhe për ata të vitit 2011. Arsyeja e vetme që ky bonus nuk u jepet prindërve të fëmijëvë është se Ministria e Brendshme, nuk na ka akorduar fondet ne si njësi” shprehet Cenollari. Por, problem nuk është vetëm te njësitë e majta, edhe të njësia numër 11 ky problem është i dukshëm, sipas Haki Mustafai, drejtuesit të kësaj njësie, ky shpërblim nuk është dhënë për të gjithë, por vetëm për një pjesë. “ Shpërblimi prej 5 mijë lekësh është shpërndarë, por vetëm për disa. Sepse shumë e dhënë nga Ministria e Brendshme nuk ka qënë e mjaftueshme për të gjithë. Ka shumë fëmijë që nuk e kanë marrë këtë bonus, jo vetëm nga 2012, por edhe nga vitet e mëparshme” thotë Mustafai. Sipas rregullit fëmija e merr shpërblimin vetëm nëse regjistrohet në zyrën e gjendjes civile brenda 60 ditësh. Përfitues të këtij vendimi janë edhe fëmijët e emigrantëve. Por për këtë kategori kërkohet që ata të regjistrohen brenda një periudhe prej 90 ditësh në Shqipëri.

(Shkrimi u publikua ne gazeten Shqiptarja.com)

Redaksia online

(sg/shqiptarja.com)