Bega: Dhjetë mijë arnautë
që ruajnë gjakun shqipta

TIRANE- Ermal Bega është drejtori Ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Studime Orientale (ACFOS-Albania) i cili mban kontakte të vazhdueshme me shqiptarët në Siri. Në një intervistë ekskluzive për Shqiptarja.com ai tregon për jetën e arnautëve të vendosur në Siri, e cila prej 17 muajsh është përfshirë në revoltë popullore kundër regjimit Asad. Ai tregon se pothuajse të gjithë ata me të cilët ka kontakte tani nëpërmjet internetit janë kundër atij regjimi të egër dhe jo të lirë të Bashar al-Asadit dhe klikës së tij.

Më fol pak për komunitetin shqiptar që jetojnë në Siri. Kur kanë mbërritur në Siri? Sa janë dhe ku jetojnë?
Në Siri jeton një komunitet relativisht i madh shqiptarësh. Ata, si në të gjithë Orientin (Turqi dhe botën arabe) njihen me mbiemrin Arnaut, që simbolizon origjinën e tyre shqiptare. Flitet se janë rreth 10 mijë, por mbase janë më shumë. Kryesisht, ata janë të përqendruar në qytetet më të mëdha të Sirisë, në Damask, Haleb, Lattakia, Hama, Hums, Suvejda etj. Ndërkohë që në Damask ata janë më të përqëndruar në lagjet Divanije, që njihet si Mahalla e Arnautëve, Kadem, Muhaxhirin, Ruknuddin etj. Me sa kemi informacion, shumica e atyre të cilët kanë disi njohuri të sakta mbi origjinën e tyre shqiptare, janë me origjinë nga qytete të ndryshme shqiptare, si p.sh. nga Shkodra, Peja, Podujeva, Vushtria etj.
Mbi historinë se si ata kanë mbërritur në Siri nga trojet shqiptare është e lashtë dhe me ndodhi të shumta. Shumë prej tyre kanë shkuar atje gjatë kohës së Shtetit Osman. Historitë që kam dëgjuar janë të shumta, disa për arsye se kanë qenë ushtarakë dhe shteti i dërgonte me familje në vende të ndryshme. Disa kanë shkuar për një jetë më të mirë, disa për arsye se pas rënies së Shtetit Osman, serbët, malalezët, bullgarët dhe grekët (të gjithë të krishterë) nisën spastrimin dhe dëbimin me dhunë të shqiptarëve muslimanë për në Turqi nga ku disa familje vazhduan drejt Sirisë. Ka pasur raste që shumë familje e kanë lënë atdheun dhe për çështje fetare, për të ruajtur Islamin e tyre.

Kur i keni vendosur për herë të parë kontaktet me komunitetin shqiptar që jetojnë në Siri? Cili ishte motivi?
Kam pasur njohuri për komunitetin shqiptar në Orient. Kontakti i parë ka qenë me një shqiptar shumë të njohur kryesisht në Siri dhe në botën arabe gjithashtu, por edhe në trojet shqiptare, Dr. Muhamed Mufaku-Arnauti nga Damasku. Me të u takova në Prishtinë. Ai konsiderohet si njëri ndër letrarët më të njohur në Siri dhe në botën arabe, i cili ka shkruar dhe përkthyer mbi 40 libra të ndryshëm, në arabisht dhe shqip, të botuara në vende të ndryshme si në Damask, Beirut, Prishtinë, Tiranë etj. Më e veçanta ishte se ai është po ashtu nipi i një nga dijetarët më të mëdhenj muslimanë me origjinë shqiptare, Abdulkadër Arnauti, i cili ka jetuar në Damask. Të dy këta e flisnin gjuhën shqipe qartë. Më vonë, vajtja ime për 1 vit në Damask për të praktikuar më shumë gjuhën arabe (si pjesë të studimeve të mia), bëri që të njihja dhe shumë arnautë të tjerë, të njohur e të thjeshtë, që jetonin në Damask. Gjatë dhe pas studimeve nisa të shkruaja shumë për shqiptarët e Sirisë, si dhe ruaj duke shtuar kontaktet me shqiptarë të tjerë të cilët jetojnë atje.
ermal bega
(ne foto Ermal Bega dhe Dr. Muhamed Mufaku, Arnaut gjatë një takimi në Tiranë, 2006)

Aktualisht si i mbani kontaktet? Çfarë tregojnë? A kanë frikë? Çfarë mendojnë për luftën që po bëhet atje?
Me shqiptarët që kam njohur personalisht në Damask, kam kontakte telefonike, Ndërkohë, jam njohur dhe me shqiptarë të tjerë nga Siria nëpërmjet rrjeteve sociale në internet. Ata që ende jetojnë në Damask e Siri sigurisht që janë të frikësuar dhe të tmerruar. Sidomos vrasja e dy arnautëve nga Damasku në lagjen e njohur të shqiptarëve "Divanije", bëri që ky komunitet të kuptojë se makina vrastare shtetërore ndaj qytetarëve të pafajshëm po vret çdokënd dhe bëri që ata të frikësohen dhe për fatin e tyre. Pothuajse të gjithë ata me të cilët kam kontakte tani nëpërmjet internetit janë kundër atij regjimi të egër dhe jo të lirë të Bashar al-Asadit dhe klikës së tij.

Ky komunitet a mban kontakte me ndonjë përfaqësi zyrtare shqiptare, apo kosovare, a i mbajnë dhe si kontaktet me Shqipërinë, Kosovën?
Ndarja për shkak të sistemit të egër komunist në trojet shqiptare, sidomos në Shqipëri, ndikoi për të keq që ata shqiptarë të kenë kontakte me atdheun e tyre, dhe në këtë mënyrë të mos kontaktojnë dot as me përfaqësitë zyrtare në botë. Di që në Beirut të Libanit (vetëm 2 orë larg nga Damasku) para disa vitesh u hap një konsullatë shqiptare e cila kishte një konsull nderi libanez, por për fat të keq nuk ekziston më. Ambasadat tona shqiptare në Stamboll dhe Kajro janë më larg për ta. Por unë mendoj se vetë qeveritë shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë duhet të bëjnë përpjekjet më të mëdha për ruajtjet me komunitetin jo të paktë shqiptar në Siri. Hapja e një ambasadë shqiptare në Siri është një nevojë e domosdoshme për lidhjet me komunitetin shqiptar jo vetëm në Siri, por në të gjithë zonën e quajtur Sham (ku përfshihet Siria, Jordania, Palestina dhe Libani). Në të gjitha këto shtete ka shumë arnautë, të vetëdijshëm për origjinën e tyre shqiptare, por ndihen si të lënë në mëshirë të fatit, pa një përpjekje nga shtetet tona shqiptare.Ka individë ose familje të veçanta të cilët mbajnë ende dhe sot lidhje me kushërirët dhe farefisin e tyre të largët në Kosovë ose Shqipëri, por të rralla.

A jeni në dijeni nëse ka ndonjë familje shqiptare që është larguar apo ka kërkuar ndihmë të evakuohen?
Po, me sa kam informacion, di që disa familje arnautësh (shqiptarësh) nga Siria, për shkak të gjendjes së vështirë të luftës që është krijuar atje janë shpërngulur në vendet përreth Sirisë, si në Turqi, Liban, Jordani, Dubai etj.

U fol për 2 shtetas shqiptarë me origjinë nga Kosova të vrarë gjatë luftimeve në Siri, a jeni në dijeni a ka të tjerë?
Me sa kam njohuri arnauti (shqiptari) i parë i vrarë në Siri është djaloshi i ri Ubejde Arnaut, i vrarë dhe rënë dëshmor më 4 qershor 2011.Munir dhe Behlul Arnauti (të dy me origjinë shqiptare nga Kosova), ishin shqiptarët të cilët humbën jetën para pak javësh nga regjimi diktatorial i Bashar al-Asadit.
Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Marrëdhëniet Greqi -Shqipëri, avokati Islami: Kanë bërë masakra në vendin tonë, Beleri në PE ishte goditje për ne! Sekretari i OMONIA-s: Jemi urë komunikimi mes vendeve

Marrëdhëniet Greqi -Shqipëri, avokati Islami: Kanë bërë masakra në vendin tonë, Beleri në PE ishte goditje për ne! Sekretari i OMONIA-s: Jemi urë komunikimi mes vendeve