A ju ndodh të vini re mavijosje në trup, edhe pse nuk jeni përplasur apo dëmtuar? Njolla të nxira që shfaqen papritur, pa një shkak të dukshëm, mund të jenë më shumë sesa një shqetësim estetik. A po na sinjalizon trupi mungesën e vitaminave, një problem me qarkullimin e gjakut apo diçka që kërkon vëmendje më të specializuar? Pse shfaqen mavijosjet e shpeshta dhe cilat janë shkaqet që fshihen pas tyre? Kur duhet të shqetësohemi dhe çfarë roli mund të kenë bimët medicinale në kujdesin ndaj trupit?

Për të marrë më shumë informacion mbi këtë problematikë, në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV, së bashku me specialistin e bimëve medicinale, Ylli Merja, diskutojmë për shkaqet e mundshme të mavijosjeve, mënyrat natyrale të kujdesit dhe përdorimin e bimëve mjekësore.

“Mavijosja pa një goditje është një gjakderdhje nën lëkurë. Gjaku del nga enët e vogla dhe grumbullohet në inde”, thekson Merja.

Shkaktarët mund të jenë të ndryshëm:

  • Brishtësia e lëkurës dhe e enëve të vogla arteriale, sidomos tek të moshuarit.
  • Goditje të lehta, për të cilat nuk jemi të vetëdijshëm.
  • Mavijosjet e mëdha duhet të lidhen me trombocitet e ulëta ose me çrregullime të trombociteve dhe të mpiksjes.
  • Sëmundje të mëlçisë ose veshkave. Mëlçia nuk prodhon faktorë mpiksjeje; insuficienca e veshkave mund të dëmtojë funksionin e trombociteve.
  • Anemia ushqimore: kryesisht mungesa e vitaminave C dhe K.
  • Vaskuliti dhe sëmundje të tjera sistemike: inflamacion ose dëmtim i enëve të gjakut.

Sipas specialistit Merja, është shumë e rëndësishme që mavijosjet në trup pa shkak të mos neglizhohen, por të ndiqen dhe të kryhen analizat e duhura.

Analizat klinike

Hemogramë e plotë: trombocitet në gjak.

PT/INR dhe aPTT – për të vlerësuar çrregullimet e mpiksjes.

Fibrinogjeni: pakësimi i fibrinogjenit tregon mungesë të proteinës kryesore të mpiksjes.

Provat e heparit, azotemia dhe kreatinemia.

 

Kur duhet të shkoni me urgjencë te mjeku?

  • Kur ka gjakderdhje që nuk ndalon, të vjella me gjak ose feçe me ngjyrë të zezë (melena).
  • Marramendje të fortë, të fikët ose dobësi.
  • Dhimbje koke të fortë dhe shenja neurologjike.
  • Temperaturë dhe pika të kuqe-vjollcë që shtohen me shpejtësi.

“Nëse njollat janë vetëm mavijosje, pa gjakderdhje dhe pa shqetësime të tjera, kjo është më pak shqetësuese. Nëse analizat dalin në normë dhe njollat janë të pakta, mjafton vetëm ndjekja në dinamikë dhe mbrojtja e murit të brendshëm të arterieve”, thekson Merja.

Çfarë duhet të bëhet prioritetet për trajtimin?

Përcaktimi i shkakut

Në rastin e trombociteve të ulëta

  • Çaj bimor me tërfilin e kuq, lulebasanin, hithrën, panxharin, moringën dhe susamin.
  • Perime jeshile, bishtajore dhe brokoli.
  • Fruta pylli, boronica, shegë dhe shegë e egër.
  • Vaj i lulebasanit, për t'u pirë dy lugë çaji në ditë. Gjithashtu, lyhen vatrat e mavijosura të lëkurës.

Sëmundje të mëlçisë

Çaj detoks, gjembi i gomarit, shafrani i verdhë dhe vaj i lulebasanit.

Sëmundje të veshkave

Çaj Uromer, hithra, bishtamith, gjembaç, vaj i lulebasanit dhe limoni.

Bimë për forcimin e endotelit, murit të brendshëm të arterieve

Limoni, hithra, basani, bishtamithi, shega, boronica, vaj i lulebasanit, çaji i gjelbër dhe hibiskusi. Këto mbështesin tensionin arterial. Gjethet e ullirit, të pasura me acid oleanolik, ndikojnë në stabilizimin e tensionit dhe kolesterolit.

 

Shënim i redaksisë: Informacioni mbi bimët medicinale ka karakter informues dhe nuk përbën këshillë mjekësore. Përdorimi i tyre nuk zëvendëson trajtimin e rekomanduar nga mjeku dhe çdo shqetësim shëndetësor duhet të vlerësohet nga specialisti përkatës.