Presidenti Bajram Begaj, pranoi Letrat Kredenciale të Ambasadorit të ri të Republikës së Turqisë në Shqipëri, Barış Ceyhun Erciyes.

Gjatë takimit u diskutua për bashkëpunimin dypalësh, atë rajonal, për partneritetin e ngushtë në NATO dhe zgjerimin e Bashkimit Evropian.

Kreu i Shtetit shprehu vlerësim për intensifikimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, dialogun politik dinamik dhe intensiv, ndërsa theksoi me rëndësi në këtë aspekt edhe thirrjen e Këshillit të tretë të Nivelit të Lartë të Bashkëpunimit brenda këtij viti.

Shqipëria dhe Turqia kanë bashkëpunimin në fusha, si: siguria, mbrojtja, energjia e rinovueshme, ekonomia dhe tregtia, infrastruktura, turizmi e mjedisi, dhe synojnë t’i zgjerojnë ato në të gjitha fushat me rëndësi për të dyja vendet.

Ky bashkëpunim ka ardhur në rritje dhe në takimin e zhvilluar me Ambasadorin turk Presidenti i Republikës theksoi se rezultatet konkrete të marrëdhënieve mes dy vendeve kanë shumë rëndësi për të dy shtetet dhe popujt.