Juristi Kreshnik Spahiu ka bërë thirrje që Shqipëria t’i japë shtetësinë çdokujt që ka kombësi shqiptare.

I ftuar në emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, Spahiu tha se ka qenë pjesë e lobimit të projektligjit ‘pasaport për çdo shqiptar’ dhe ka diskutuar nga afër për këtë çështje me kryeministrin Edi Rama, por edhe me Sali Berishën kur ka qenë kryeministër.

“Unë kam një rezervë edhe për shtetin shqiptar, por edhe për diasporën, të cilët kanë neglizhuar me një padrejtësi shumë të madhe dhe asnjëra nga palët, qoftë shteti, qoftë përfaqësuesit e diasporës, nuk e kanë as në agjendën e diskutimit. Shqipëria është rast sui generis në të gjithë planetin, që nuk i jep pasaportën, shtetësinë Shqiptare, një individi që ka dy prindër shqiptar. Kjo nuk ndodh me asnjë komb në planet. Nuk ndodh me asnjë komb në planet. Nuk ndodh me italianët, grekët, britanikët, gjermanët, francezët, amerikanët, nuk ndodh askund. Kam qenë pjesë e lobimit të projektligjit ‘pasaport për çdo shqiptar’, kam diskutuar me Ramën dhe Berishën personalisht dhe në atë moment kur unë kam lobuar, nxirrnin vetëm një pretekst. Pretekst që sot ka rënë”, tha mes të tjerash Spahiu.

Spahiu tha se preteskti që nxirrte politika shqiptare për mos-dhënien e pasaportave për çdo shtetas shqiptar, ishte i bazuar kryesisht te çështja e Kosovës. Juristi Spahiu shtoi se Rama dhe Berisha pretendonin se meqë Kosova nuk ishte asokohe në Shengen, BE nuk do të pranonte që Shqipëria t’u jepte shtetasve të Kosovës pasaportën shqiptare.

Por sot që Kosova është pjesë e zonës Shengen, ky pretekst sipas Spahiut ka rënë, prandaj shteti duhet të marrë masa që të pajisë me pasaporta çdo shqiptar, kudo ku jeton në botë.

"Ata kishin pretendimin që nuk mund t’ja japim përshembull pasaportën shqiptarëve të Kosovës, sepse BE është kundër, sepse Kosova nuk ishte në Shengen. Por sot që Kosova është në Shengen, ka rënë ky si pretekst dhe ende nuk është në agjendë”, tha mes të tjerash Spahiu.