Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti këtë të hënë në Tiranë Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, në një takim ku në fokus ishte ecuria e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Gjatë bisedës, u vlerësua progresi i Shqipërisë në procesin e negociatave me BE-në, përfshirë zhvillimin e Konferencës së 8-të Ndërqeveritare BE-Shqipëri, e cila konfirmoi përmbushjen e kritereve ndërmjetëse për Kapitullin 1 “Themeloret”.

Begaj i përcolli Costës vendosmërinë e Shqipërisë për të përmbushur objektivat për mbylljen e grupkapitujve brenda vitit 2027.

“Reforma në drejtësi, forcimi i shtetit të së drejtës, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe përputhja e plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së dëshmojnë se Shqipëria është një partner i besueshëm dhe vullnetplotë për të qenë pjesë e familjes evropiane”, u shpreh Presidenti.

Kreu i Shtetit theksoi se zgjerimi i Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor është një investim strategjik për paqen, sigurinë dhe stabilitetin e kontinentit, ndërsa falënderoi Antonio Costan për prioritizimin e procesit të zgjerimit gjatë mandatit të tij.

“Shqipëria është mirënjohëse për mbështetjen e fuqishme që Këshilli dhe Komisioni po i japin vendit tonë në këtë rrugëtim. Shqipëria do të vijojë me ritëm të shpejtë dhe rezultate konkrete në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Jemi të bindur se reformat nuk i bëjmë vetëm si kërkesa të BE-së, por mbi të gjitha për qytetarët tanë”, deklaroi Begaj.


Lajmi kryesor:

Turi në Ballkan/ Presidenti i Këshillit të Europës në Tiranë! Rama: Kemi dakordësi çdo çështje, s’kemi shqetësime që na ndajnë, por vetëm që na bashkojnë