TIRANË- 14 shoqëri tregtare, dyqane, apartamente e vila me vlerë rreth 50 milionë euro, të cilat zotëroheshin nga Kristian Boçi, Elman Abule, Vladimir Avrami si dhe 4 personave të tjerë të lidhur me ta, janë sekuestruar nga prokuroria e Tiranës.

Sipas prokurorisë së Tiranës nga hetimet dyshohet se Elman Abule në bashkëpunim me Kristian Boçin, janë përfshirë në një skemë të mirëfilltë të pastrimit të parave. Kristian Boçi, i njohur për jetën e tij luksoze në rrjetet sociale, dyshohet se në bashkëpunim me Elman Bulen, Vladimir Avramin dhe Ender Boçi kanë pastruar para duke bërë blerje fiktive me vlera jo reale. 

‘Në kuadër të veprimtarisë së tij të paligjshme, Elman Abule ka themeluar një sërë shoqërish tregtare, me qëllimin të maskojë kryerjen e aktiviteteve të paligjshme nga ana e tij, me veprimtari të konsideruara si të ligjshme. Ky shtetas, nëpërmjet krijimit të një sërë kompanive, disa prej tyre nën administrimin edhe të Kristian Boçi apo Vladimir Avrami, kanë krijuar një skemë të mirëfilltë të pastrimit të produkteve të veprës penale.

Nga hetimi i kryer është konstatuar kryerja e disa veprime fiktive si p.sh.: shitje – blerje automjeti, ku në të njëjtën ditë është kryer anullimi i veprimit juridik, duke u shitur më tej mjeti me çmim shumë të lartë, marrja e kredive nga banka të nivelit të dytë, në nivele të pajustifikuara, ku vetë banka çuditësisht del edhe garant i shumave të dhëna, krijimi i shoqërive fiktive, të cilat është provuar se pavarësisht se nuk kanë kryer aktivitet financiar kanë pasur rritje të dukshme të kapitalit themeltar, dhënia e huave në shuma të konsiderueshme, por duke mos u justifikuar burimi i ligjshëm i krijimit të tyre, krijimi i shoqërivë me kuota të përbashkëta midis shtetasve Elman Abule dhe Kristian Boçi, apo midis Kristian Boçit dhe Ender Boçi, duke u përcaktuar vlera të mëdha të kuotave, por të pashlyera nga ortakët respektivë, blerja e Hec-eve me vlera të konsiderueshme, por të papërligjur burimi i të ardhurave, etj.’- njofton prokuroria.

Vetë Kristian Boçi, në një reagim në rrjetet sociale pas vendimit të sekuestrimit të pasurisë ka reaguar në rrjetet sociale, duke thënë se nuk i ka hyrë në hak vendit as me vjedhje, as me tenderë, as me krime, as me poste.

Zoti nuk na sjelle rastësisht ne një Komb. Për 47 vite i kam dhënë më të mirën time, kam ndarë dhe kafshatën e fundit me atë që s’ka. Kurrë si kam hy ne hak vendit tim, as me vjedhje, as me tenderë, as me krime, as me poste, as edhe me një lloj gjejë që cenon ligjin e vendit tim. E dua Zotin dhe ai thotë respekto ligjin dhe ashtu te respektoj unë ty. Jam kalimtar, në ketë jetë do testohemi me të mirën e të keqen me u përballë Zoti e bekoftë vendin tim dhe për sa të jetoj do bëj veç mirë

Në mesin e pasurive të sekuestruara janë edhe mjete luksoze, si dhe llogaritë bankare që këta shtetas kanë pasur në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri.

Njoftimi i prokurorisë:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë në bashkëpunim me Seksionin e Krimit Ekonimik në Drejtorinë e Përgjithshmë të Policisë së Shtetit dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Doganeve, Tatimeve, kërkoi vendosjen e sekuestros preventive ndaj pasurive në zotërim të shtetasve E. A., M. N., K. B., D.B, E. B., V. A., E.B., dhe pasurive të disa subjekteve tregtare të provuar si në administrimin e shtetasve të lartpërmendur, për veprën penale ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale’, parashikuar nga neni 287, paragrafi i dytë i Kodit Penal. Nga vlerësimi paraprak rezulton se vlera e pasurive të jetë 50 milionë euro.

Nga hetimi i kryer, u siguruan prova të mjaftueshme që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shtetasit Elman Abule në bashkëpunim me shtetasin Kristian Boçi, Ender Boçi etj., kanë konsumuar veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287, paragrafi i dytë i Kodit Penal dhe në këtë skemë dyshohet se janë përfshirë edhe bashkëshortet e tyre. Shtetasi Elman Abule rezulton i dënuar në Belgjikë, ku ka kryer edhe dënimin në kuadër të grupeve kriminale. Gjithashtu nga provat e administruara deri në këtë fazë të hetimit, ekziston dyshimi i arsyeshëm se ky shtetas ka konsumuar edhe veprën penale të “Kontrabanda me mallra të licencuara”, parashikuar nga neni 173 i Kodit Penal.

Në kuadër të veprimtarisë së tij të paligjshme, shtetasi Elman Abule ka themeluar një sërë shoqërish tregtare, me qëllimin të maskojë kryerjen e aktiviteteve të paligjshme nga ana e tij, me veprimtari të konsideruara si të ligjshme. Ky shtetas, nëpërmjet krijimit të një sërë kompanive, disa prej tyre nën administrimin edhe të shtetasve Kristian Boçi apo Vladimir Avrami, kanë krijuar një skemë të mirëfilltë të pastrimit të produkteve të veprës penale.

Nga hetimi i kryer është konstatuar kryerja e disa veprime fiktive si p.sh.: shitje – blerje automjeti, ku në të njëjtën ditë është kryer anullimi i veprimit juridik, duke u shitur më tej mjeti me çmim shumë të lartë, marrja e kredive nga banka të nivelit të dytë, në nivele të pajustifikuara, ku vetë banka çuditësisht del edhe garant i shumave të dhëna, krijimi i shoqërive fiktive, të cilat është provuar se pavarësisht se nuk kanë kryer aktivitet financiar kanë pasur rritje të dukshme të kapitalit themeltar, dhënia e huave në shuma të konsiderueshme, por duke mos u justifikuar burimi i ligjshëm i krijimit të tyre, krijimi i shoqërivë me kuota të përbashkëta midis shtetasve Elman Aabule dhe Kristian Boçit, apo midis Kristian Boçit dhe Ender Boçi, duke u përcaktuar vlera të mëdha të kuotave, por të pashlyera nga ortakët respektivë, blerja e heceve me vlera të konsiderueshme, por të papërligjur burimi i të ardhurave, etj.

Për këto arsye, në bazë të nenit 274 të Kodit të Procedurës Penale Prokuroria kërkoi:

Vendosjen e masës së sigurimit pasuror 'Sekuestro preventive'  në total për 14 shoqëri tregëtare;

Vendosjen e masës së sigurimit pasuror “Sekuestro preventive” tek pasuritë e shoqërisë “F.......” shpk:

- Pasuria e llojit “Arë”, me sipërfaqe totale 820 m2, me adresë Fshati Vrinë;

- Pasuria e llojit “ndërtesë”, me nr. Regjistrimi 00006769 datë 15.07.2021;

- Pasuria e llojit “ndërtesë”, me sip. totale 2,300 m2 ;

- Pasuria me nr. regjistrimi 00006769, datë 15.07.2021;

- Pasuria e llojit “ndërtesë”, me nr. pasurie 264/40ND1, sip. totale 276 m2;

- Pasuria me nr. regjistrimi 00006769, datë 15.07.2021 e llojit “truall”;

- Pasuria e llojit “arë”, me sip. totale 4,900 m2; dhe

- Pasuria e llojit “ndërtesë”, me nr. regjistrimi 00006769, datë 15.07.2021.

Vendosjen e masës së sigurimit pasuror “Sekuestro preventive” tek pasuritë e regjistruar në emër të shtetasit K. B., si më poshtë:

- Pasuria e llojit “Njësi”, me çmim të blerjes 9,300,000 Lekë;

- Pasuria e llojit “Njësi”, me çmim i blerjes 600,000 Euro;

- Pasuria e llojit “Dyqan”, me sipërfaqe 222 m2;

- Pasuria e llojit “Dyqan” me sipërfaqe 220.8 m2 dhe verandë me sipërfaqe 285 m2;

- Pasuria “Apartament”, me sip 201.8 m2;

- Pasuria “Garazh” me sipërfaqe 18.9 m2;

- Pasuria “Garazh” me vlerë totale 25,000 Euro ose 3,425,000 lekë (secili 25,000 Euro); dhe

- Pasuria e llojit “Autoveturë”, të tipit “Mercedez Benz”, në shumën 117,000 Euro.

Vendosjen e masës së sigurimit pasuror “Sekuestro preventive” tek pasuritë e regjistruara në emër të shtetasve E. A. dhe M. N., si më poshtë:

- Pasuria e llojit “Vilë” me sipërfaqe ndërtimi 171.6 m2 dhe sipërfaqe trualli 300.8 m2, me vlerë 370,000 euro;

- Pasuria e llojit “Truall” me çmimi i blerjes 370,000 euro; dhe

- Pasuria e llojit “Vilë Single A2”, sip. ndërtimi 334.2 m2 dhe sipërfaqe parcele 550 m2, me çmim blerje 480,000 euro.

Vendosja e masës së sigurimit pasuror “Sekuestro preventive” ndaj llogarive bankare të subjekteve, pranë bankave të nivelit të dytë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:41
Iu sekuestrua 50 mln euro pasuri, kush është Kristian Boçi, nga jeta e luksit në rrjetet sociale, bamirësitë e te miqësia me Bes Kallakun e Xhensila Myrtezain

 

Plot 50 milionë euro pasuri ka sekuestruar prokuroria e Tiranës, të cilat zotëroheshin nga Kristian Boçi dhe Elman Abule, si dhe 4 njerëzve të lidhur me ta.

Por Kristian Boçi nuk është një personazh jo i njohur në mediat sociale. I përfolur si biznesmen (pa e ditur çfarë zotëron), Kristian Boçi së bashku me bashkëshorten e tij Drilona Boçi, reklamojnë në rrjetet sociale, jetë shumë luksoze, duke tërhequr pas vetes mijëra ndjekësa në mediat sociale. Në Instagram Kristian Boçi ka 95 mijë ndjekës dhe bashkëshortja e tij 85 mijë ndjekës, nga ku tregojnë për udhëtimet, frekuentimin e zonave luksoze e veshjeve të shtrenjta. Kristian Boçi shpesh herë ka reklamuar edhe bamirësi të ndryshme për njerëzit në nevojë.

Kristian Boçi, është përfolur edhe në mediat rozë edhe për lidhjen me çiftin tashmë në proces divorci Bes Kallaku dhe Xhensila Myrtezaj. Ato u panë në rrjetet sociale shpesh herë në shoqërinë e njëri tjetrit pak vite më parë, por kohët e fundit kishin prishur raportet. Megjithëse pas lajmit të divorcit me këngëtaren Xhensila Myrtezaj, Kristjan Boçi publikisht mbështeti aktorin Bes Kallakun, duke i shkruar ‘se ke shpëtuar një herë e mirë nga larg qofti’.