Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj priti sot Shefin e Shtabit të Pergjithshëm të Ushtrisë Turke, Gjeneral  Selçuk Bayraktaroğlu!

Gjatë takimit u theksua se Shqipëria dhe Turqia janë aleate në NATO dhe partnere strategjike, me marrëdhënie të shkëlqyera politike, ekonomike dhe në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes ndërmjet dy vendeve u vlerësua nga Presidenti i Republikës si i konsoliduar dhe në nivele shumë të mira.

Presidenti shprehu mirënjohje për kontributin e Turqisë në modernizimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, përmes mbështetjes në arsimim, trajnim, zhvillim kapaciteteve të mbrojtjes, të emergjencave civile dhe mbështetje mjekësore.

Kryetari i Shtetit shprehu gjithashtu falënderim për ndihmën e ofruar nga Turqia gjatë tërmetit të vitit 2019 dhe pandemisë COVID-19.

Presidenti Begaj vlerësoi gjithashtu kontributin e Turqisë në misionin e KFOR-it  i cili është  një faktor kyç për paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon.