Është ndarë nga jeta një nga gazetarët më të njohur të shtypit shqiptar të viteve 90 të shekullit të shkuar, Behlul Jashari.

Lajmin e ka bërë të ditur Dema, i vëllai, i cili jeton prej kohësh jashtë vendit të tij. Më pas kanë shprehur homazh për të kolegë të kohës së tij, por edhe të rinj, si dhe disa organizata të gazetarëve. Dje ka ngushëlluar për ikjen e tij, edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një postim të tij në facebook.

Behlul Jashari i përket asaj plejade të gazetarëve shqiptarë të Kosovës, të cilët e kanë provuar në lëkurën e tyre dhe familjes, dhunën dhe persekutimin e regjimit serb, pikërisht se bënte detyrën e raportimit.

Një përfaqësues i plejadës së talenteve letrarë të viteve 70, kur ishte koha e artë e intelegjencës shqiptare në Kosovë, Luli, siç e thërrisnin miqtë e të njohurit e tij u thirr në gazetën historike më të rëndësishme të shqiptarëve në Kosovë-Rilindja.

Ku punoi për një kohë të gjatë deri në mbylljen e saj pas suprimimit të autonomisë së Kosovës dhe institucioneve të saj nga Sllobodan Milosheviçi.

Rilindja, me një pjesë të gazetarëve dhe punonjësve të tjerë të saj u zhvendos në Tiranë për tu botuar në vijëmësi, ndërkohë Behlul Jashari mbeti në Prishtinë. Rihapja e një gazete në gjuhën shqipe pas dhunës së egër të 1989-s ishte një sfidë shumë e vështirë, që sillte pasoja të mëdha për jetën personale e të familjes.

Por Behlul Jashari pranoi të drejtojë të përditshmen „Bujku”, një titull mediatik që vetëm logon e kishte të fshehur nën një organ agrar, pasi ishte një gazetë totalisht informative e politike. Për një kohë të gjatë, Bujku i drejtuar nga Behlul Jashari mbeti media që raportoi të gjithë rezistencën e shqiptarëve të Kosovës në Republikën e parë të Ibrahim Rugovës.

Të cilën, Luli e përcillte ditë për ditë në azhanset e Agjencisë Telegrafike Shqiptare, të cilat përktheheshin menjëherë në së paku dy gjuhë të huaja: anglisht e frëngjisht, e përcilleshin në të gjithë botën.

Këto kronika që gjenden rëndom në arkivat e internetit, janë një arkiv konvencional e i plotë i historisë së rezistencës së Kosovës, të shkruara në një profesionalizëm perëndimor, ku mungonte çdo ngjyrë emocionale apo mbajtje ane.

Behlul Jashari, ishte gazetari i vetëm që raportoi nga Prishtina, natën e 24 marsit 1999 kur NATO bombardoi caqet ushtarake të makinerisë së Sllobodan Millosheviqit.

Disa nga këto caqe ndodheshin në zemër të Prishtinës: ku më të rëndësishmet ishin selia e Ministrisë së Brendshme të Jugosllavesë, Komanda e Policisë së Republikës së Serbisë, Selia e shërbimit sekret dhe Komanda e Armatës Popullore Jugosllave.

Me një fjalë, në Prishtinë u hodhën një arsenal i madh bombash, që ndryshe nga Beogradi ku njerëzit u tmerruan, në kryeqytetin e Kosovës shpërtheu gëzimi e enuziazmi. Pikërisht këto momente u përcollën me një saktësi e detaje të plota nga Behlul Jashari për ATSH-në.

Raportimi është një odise në vete, pasi i fshehur në një banesë që të mos ndiqet nga shërbimi sekret serb, Behluli dërgon fletën ku kishte shkruar raportimit në Zvicër, me faks tek vëllai i tij. i cili e përcjell në Tiranë, në Agjencinë Telegrafike Shqiptare. i cili në kohë rrufe publikohet nga një prej gazetarëve më të njohur, i ndjeri Maksi Sinemati, i cili gjithashtu e përkthen po në kohë rrufe në anglisht e frëngjisht. Lajmi i Lulit, ka shumë gjasa që të jetë raportimi i parë nga vendngjarja mbi bombardimet e 24 marsit 1999. Duke shënuar kështu një rekord mjaft të rëndësishëm historik qoftë për Kosovën ashtu edhe Shqipërinë.

Behlul Jashari, ishte një personazh i butë, humanist, një hedonist si tip që nuk u ankua për vuajtjet e regjimit dhe të jetës. Ishte një rugovian qoftë si tip qoftë edhe si filozofii. Nuk është rastësi që me Ibrahim Rugovën kishin një kimi qoftë politike qoftë njerëzore.

Pas çlirimit të Kosovës, Rilindja rihapet në Prishtinë, e drejtuar e administruar nga njerëzit afër UÇK-së, të cilët vendosën në krye një gazetar të njohur e burgosur politik. Behlul Jashari vijoi pa ndalim sa Rilindja vijoi, pa pasur asnjë problem me shefat e rinj, duke mos pasur asnjë problem në bashkëpunimin me ta. Vijoi deri në mbylljen e gazetës si pasojë e falimentit, por që prej atëherë askush prem mediave qoftë publikę qoftë private të Kosovës, askush nuk e pa të udhës që të afronte një prej gazetarëve më të mirë e të njohur të vendit.

Pasi kohët e reja nuk kërkonin kronistin korekt e profesional, por gazetarin „mistrec” që i përshtatet polarizimit të ri që hyri Kosova në luftën e ashpër politike, duke imituar për keq Shqipërinë.

ATSH-ja, në të ashtuquajturat reforma që bëri për të zvogëluar stafin e saj, zyrën e parë që shkurtonte ishte Prishtina dhe Behlul Jashari. Edhe pse ishte korespondenti i vetëm jashtë vendit dhe firma më e njohur ndërkombëtarisht.

Tirana e Prishtina zyrtare, dy kancelaritë që Behlul Jashari ju shërbeu dhe rriti reputacionin e tyre në raportimet e tij e harruan dhe e larguan. Por Luli nuk e çau shumë kokën, pasi shkrimet e tij nuk i kishte bërë as me shpërblim as për medalje. Ato raportime me vlerë të madhe janë aty, duke qenë kujtesa e një periudhe të artë për Shqiptarët, që kanë firmën e Behlul Jasharit. i cili, nuk ka për tu harruar kurrë, sepse është kronikani i historisë…./TemA