Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se ka bërë të pamundurën gjatë kohës që ka qenë kryebashkiak i Tiranës dhe kryeministër, për mbrojtjen e mjedisit.

Komentet Rama i bëri nga festa e 35-vjetorit të PS në Tiranë, ku tha se mbi 90% e pemëve në Tiranë, janë mbjellë në kohën kur ai ishte kryetar bashkie.

Rama tha se kur përfundoi detyrën si kryebashkiak i Tiranës, la pas 55 mijë rrënjë pemë dekorative, të mbjella sipas tij me sherr, pasi duheshin prishur kjoskat dhe ndërtimet pa leje.

“E vërteta është se dallimi mes meje dhe kujtdo në atë bashkësi protestuesish që i përket kësaj kategorie, nuk është si duket nga bulevardi. Edhe unë mendoj për jetën e banorëve të tokës, brishtësinë e mjedisit përballë veprimeve të njerëzve me pushtet. Qysh kur kam shkelur në zyrën e parë të shtetit, kam bërë sa kam mundur kundër pisllëkut dhe pastërtisë. Shumë prej atyre që janë në bulevard apo që i mbështesin nga rrjetet sociale, janë shumë të rinj, për ta kujtuar Tiranën e 20 viteve më parë, kur morëm drejtimin e bashkisë së kryeqytetit, ku kishte më shumë pemë të prera, sesa të mbjella. Mbi 90 % e pemëve që shohin në rrugët e Tiranës, i kemi mbjellë sëbashku me disa të tjerë që janë këtu, në kohën që si kryetar bashkie dola nga zyra duke lënë pas 55 mijë rrënjë pemësh dekorative. Shumë prej atyre pemëve të larta kanë qenë fidanë të mbjellë me sherr, pasi duheshin shembur kjoska... Vetëm në skarpatet e Lanës janë hequr 123 mijë ton beton. Që atëherë unë mësova se në këtë vend nuk hedh dot një hap për të ecur përpara, pa bërë një sherr që të kthen pas. Që atëherë më flet në vesh Faik Konica, i cili thotë ‘bëj durim, sepse shqiptari e ka zakon që kundërshton pa marrë vesh’”, tha mes të tjerash Rama.


Lajmi kryesor:

35-vjetori i PS, Rama për Zvërnecin: Xhevahir që duam t'ia vëmë Mesdheut! Ejani verifikoni faktet, po manipuloheni