Komisioni Evropian ka reaguar ndaj dorëheqjes së kryeministrit serb, Miloš Vučević, duke bërë thirrje për dialog dhe përmbajtje nga përshkallëzimi i tensioneve.
Zëdhënësi për zgjerimin e BE-së, Guillaume Mercier, deklaroi: Jemi të informuar për dorëheqjen e kryeministrit të Serbisë. Ajo që mund të themi është se inkurajojmë të gjithë aktorët politikë të angazhohen në dialog dhe të shmangin përshkallëzimin e situatës.”
Ai theksoi se liria e tubimit është një e drejtë thelbësore që duhet të mbrohet dhe të ushtrohet paqësisht, në përputhje me ligjin dhe rendin publik.
BE-ja shprehu shqetësimin për incidentet e raportuara ndaj protestuesve dhe përsëriti se autoritetet duhet të sigurojnë mbrojtjen e pjesëmarrësve në tubime nga dhuna apo dëmtimet. Mercier rikujtoi se këto vlera janë në thelb të Bashkimit Evropian dhe janë kërkesa që të gjitha vendet kandidate duhet t’i respektojnë.
Serbia, vend kandidat për anëtarësim në BE që prej vitit 2012, vazhdon të përballet me sfida. Raporti i fundit i progresit thekson se grupet e shoqërisë civile punojnë në një ambient të vështirë, përballen me sulme verbale dhe fushata shpifëse, shpesh edhe nga zyrtarë të nivelit të lartë, ndërsa korrupsioni mbetet një problem i përhapur dhe shqetësues.