Damian Gjiknuri i ka dorëzuar këtë të enjte detyrën ministres së re të Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku. Në prezantimin përpara administratës së MIE, dikaster të cilin ai e drejtoi për pesë vite me radhë, Gjiknuri nuk i kurseu fjalët e mira për pasardhësen e tij, duke iu drejtuar me konfidencë me emrin Bela apo kur iu vetëofrua si këshilltar i saj në kapërcimin me sukses të atyre sfidave që sipas tij ndeshet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

"Bela, do i thërras shkurt sepse e kemi pasur kolege në këtë Ministri, është ministrja e re e Infrastrukturës dhe Energjisë. I uroj shumë suksese në këtë punë të vështirë, sfiduese dhe interesante. Kaluam vite, me shumë nga ju, një rrugëtim interesant, sfidues dhe me rezultate. Jam i bindur se edhe Bela me një pjesë tuajën njihet sepse ka punuar me ju brenda Ministrisë dhe i njeh aftësitë tuaja profesionale. Këto vite kemi arritur shumë rezultate. Kanë qenë shumë sfida, por sfidat sjellin sfida të reja. Bela do çojë përpara këto reforma të nisura. I kam thënë se do jem këshilltar të mirë të jashtëm nëse do ma ketë nevojën. Kyçi i punës këtu është të inkurajojë stafin për të kaluar me sukses ato sfida që do vijnë përpara. Këto i kishim pa përgatitje, ishin fjalë zemre", tha Gjiknuri duke shtuar më tej me humor: "Ju uroj gjithë të mirat, do shihemi në okazione të tjera. Kur të organizosh ndonjë festë neve do na ftosh? Kalofshi mirë".

Nga e saj, ministrja e re e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u shpreh se kjo ministri me në krye Gjiknurin ka bërë një punë të jashtëzakonshme dhe sipas saj, kjo punë do vazhdojë me të njëjtin ritëm edhe nën drejtimin e saj.