Dëshmitari Abdyl Rama, vëllai i bashkëpunëtorit të drejtësisë Arsen Rama që fundosi Fredi Belerin me akuzën për blerjen e votave nuk është gjetur nga policia e shtetit duke u bërë shkak për shtyrjen e seancës së radhës në gjykatën e posaçme.
Të mërkurën në gjyq u referuan të dhëna të ndryshme për shtetasin e kërkuar nga prokuroria dhe avokatët për të dhënë deklarime. Sipas SPAK, Abdyl Rama ndodhet jashtë shtetit, ndërsa policia pretendon se ai është brenda vendit.
“Avdyl Rama, vëllai i Arsen Ramës ndodhet jashtë shtetit. Sipas sistemit tims dhe sipas familjarëve të tij ndodhet jashtë shtetit”- tha Erion Çela, kryesues i trupës gjykuese.
Në këtë situatë, Gjykata urdheroi gjetjen nga policia dhe sjelljen në seancë të dëshmitarit i cili është vëllai i Arsen Ramës, personit që bashkëpunoi me prokurorinë duke kryer veprime të simuluara me Fredi Belerin dhe Pandeli Kokaveshin për blerjen e tetë votave. Avdyl Rama u thirr në seancë për shkak të dijenisë për kërcënimin e bashkëpunëtorit të prokurorisë Arsen Rama.
Madje avokati i Fredi Belerit solli dhe indicie në gjykatë ku tha se Avdyl Rama ka deklaruar një adresë banimi në “lagjen e re” në Vlorë, dhe publikon foto në rrjetet sociale nga ky qytet. Mbrojtësi i Belerit, Edmond Dema deklaroi heqjen dorë nga marrja e dëshmisë së shtetasve Marin Suli e Vangjel Dule të cilët tha se nuk kanë lidhje me çështjen”.
Kërkesa u pranua nga gjykata e cila caktoi datën 5 dhjetor për seancën e radhës. Në një deklaratë të bërë në gjykatë dhe të dorëzuar edhe me shkrim, Fredi Beleri sulmoi bashkëpunëtorin e drejtësisë duke e cilësuar të paligjshme procedurën e marrjes së provave prej tij.
Fredi Beleri ka akuzuar trupën gjykuese të GJKKO për shkelje të kushtetutës sa i takon marrjes së dëshmisë së dëshmitarit Arsen Rama me dyer të mbyllura. Në një shkresë drejtuar Gjykatës së Posaçme, kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës tha se duhej që seanca të ishte publike dhe shtoi se fakti që të dashurës së dëshmitarit i kanë gërvishtur makinën nuk përbën provë që jeta e tij është në rrezik pasi as prokuroria nuk ka marrë hapa për mbrojtjen e tij.
Ai mes të tjerash argumentoi se një shkelje tjetër e kushtetutës është fakti që GJKKO nuk ka lejuar mbrojtjen të marrë në pyetje dëshmitarin Arsen Rama.
Deklarata e plotë e Belerit:
Së pari: Pranuat kërkesën e prokurorisë, për pyetjen e dëshmitarit Arsen Rama me dyer të mbyllura, në shkelje të hapur të nenit 340 të Kodit të Procedurës Penale, duke u shkelur kështu Kushtetuta, që parashikon që seancat gjyqësore janë publike. Prokuroria nuk paraqiti asnjë provë që cënohej siguria e dëshmitarit Arsen Rama. Pretendimet e prokurorisë, se diku në muajin qershor, të dashurës së shtetasit Arsen Rama, në rrugë publike, në Vlorë, i kanë gërvishtur automjetin, nuk provon që siguria e dëshmitarit është në rrezik. Maksimumi, e dashura e shtetasit Arsen Rama, që nuk është as subjekt as objekt në këtë gjykim, mund të ketë ndonjë mosmarrëveshje me servisin, apo me ndonjë automjet tjetër të cilit mund t`i kishte zënë parkimin apo rrugën, etj.
Po ta kishte marrë seriozisht këtë rrezik Prokuroria do të kishte vijuar me sigurimin e provës së dëshmitarit, apo do të kishte marrë masa për mbrojtjen e tij, sipas ligjeve të posaçme, gjë që nuk ka ndodhur. Prokuroria nuk e mbrojti dëshmitarin jashtë sallës së gjyqit për disa muaj, por kërkoi nga Ju që ta mbroni në sallën e gjyqit, dhe kjo kërkesë ndonëse e pabazuar nuk u vu në dyshim nga ana Juaj, duke më cënuar të drejtën e seancës gjyqësore publike. Gjykata e Posaçme u vu jo vetëm në mbrojtje të shtetasit Arsen Rama por edhe të të dashurës së tij, I referohem në këtë cilësim deklarimeve që ky shtetas dhe e dashura e tij kanë dhënë ditën që kanë konstatuar gërvishtjen e automjetit në rrugë.
Po ashtu pranuat kërkesën e prokurorisë për të kundërshtuar thëniet e dëshmitarit Arsen Rama, që ishte dëshmitari i prokurorisë, me dy procesverbale, ku nuk kishte asnjë thënie për ato që donte prokuroria të kundërshtonte. Mjaft që e kërkoi prokuroria, dhe prej Jush, pranohet çdo kërkesë.
Së dyti: Siç jam njoftuar, bazuar në nenin 341 të Kodit të Procedurës Penale, drejtimi i seancës gjyqësore bëhet nga Kryetari i trupit gjykues, i cili disponon me anë të urdhërave, të cilët sipas nenit 112 të Kodit të Procedurës Penale duhet të arsyetohen. Seancën e kaluar, gjatë pyetjes së dëshmitarit Arsen Rama, ndërhyrjet Tuaja, përveçse të paarsyetuara, nuk kanë qënë bazuar në nenin 361/6 të Kodit të Procedurës Penale, sipas të cilit “Gjatë pyetjes së dëshmitarit kryetari mund të bëjë pyetje dhe, kur është rasti, ndërhyn për të siguruar radhën e pyetjeve, vërtetësinë e përgjigjeve, saktësinë e pyetjeve dhe të kundërshtimeve, si dhe për të garantuar respektimin e personit”.
Sipas ligjit, Ju, me cilësinë e Kryetarit, mund të ndërhyni, kur dëshmitari pyetet nga pala që ka kërkuar pyetjen, që në rastin konkret ishte prokuroria, për të penguar pyetjet sugjestive. Prokuroria bëri shumë pyetje të tilla, por nga ana Juaj nuk u bë asnjë ndërhyrje. Ndërkohë, gjatë pyetjeve të mbrojtjes, sipas ligjit Ju mund të ndërhyni, vetëm për të siguruar vërtetësinë e përgjigjeve, saktësinë e pyetjeve dhe garantimin e respektimit të personit që po pyetej. Ndërhyrjet tuaja nuk kanë qënë në asnjë rast të natyrës që ligji Ju ka njohur, por keni penguar mbrojtësit të bëjnë pyetjet që kanë vlerësuar, shpesh duke penguar dëshmitarin të përgjigjet, ose keni dhënë Ju përgjigjen. Duke qënë se me mënyrën e drejtimit të seancës së kaluar, nga ana Juaj, është kufizuar e drejta ime për t`u mbrojtur sipas vlerësimit tim, bëj këtë deklaratë, në ushtrim të të drejtave të mia sipas nenit 358 të Kodit të Procedurës Penale.
Ministri i Jashtëm grek Giorgos Gerapetritis ka kërkuar sërish betimin e Fredi Belerit. Në fjalën e tij në Samitin e 7-të të Selanikut, ministri grek ka thënë se Beleri po mbahet në burg dhe nuk lejohet që të betohet. Ministri grek thotë se ka informuar homologët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe Komisionit Evropian.
Në veçanti, a më lejoni t'i referohem çështjes së marrëdhënieve tona me Shqipërinë, duke iu referuar çështjes së ndalimit të përkohshëm të kryebashkiakut të zgjedhur Fredi Beleri, i cili ndodhet tashmë në këtë regjim që prej muajit maj,u arrestua dy ditë para zgjedhjeve dhe aktualisht ndodhet në burg. Me gjithë respektin për rendin e brendshëm juridik të Shqipërisë, ajo që kërkoi qeveria greke nuk ka të bëjë fare me pavarësinë e drejtësisë dhe as me procedurat e brendshme gjyqësore të vendit fqinj. Greqia kërkoi betimin e kryetarit të zgjedhur në atë mënyrë që vullneti politik i shprehur në zgjedhjet e majit të reflektohej në veprim politik. Nuk bëhet fjalë për veprim gjyqësor dhe as për ndonjë ndërhyrje nga jashtë. Ky është një akt administrativ, i cili duhet të zbatohet dhe është respektimi i duhur i të drejtave civile dhe shtetit të së drejtës. Unë personalisht kam marrë përsipër të informoj homologët e mi të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe Komisionit Evropian. Dhe në shumë raste kam pasur rastin të flas me përfaqësuesit e qeverisë shqiptare në nivelin më të lartë për të shprehur këtë qëndrim të qeverisë greke”, ka thënë ai.
Gjykata dhe policia duhet te merret urgjentisht kush i kercenoi deshmitaret ate dhe familjen
PërgjigjuN.q.s jemi 1%gjak shqiptari ky korofillak duhet te denohet jo per blerje votash por per helenizimin e himares.Greku mbas 30 vitesh pranoi 1 deputet myslyman te Thraqit ne parlament,qeveria mos te luaje me vuajtjet e emigranteve ne greqi.Qeveria duhet te kerkoje gjithashtu dhe trojet e çamerve.
Përgjigju