Belgjikë- Gazeta belge Provinciale Zeeuwse Courant (PZC) ka raportuar se në Belgjikë është zhvilluar sot senca gjyqësore për dy grupet, njëri shqiptarë dhe tjetri belg, të cilët u përfshinë në një shkëmbim zjarri, ngjarje e ndodhur më 16 tetor 2024. PZC shkruan se atë ditë një breshëri plumbash u derdhën në mes të ditës në rrugën Meir në Anversë të Belgjikës, ku tre persona mbetën të plagosur rëndë.

Po atë ditë dymbëdhjetë kg kokainë u zhduken pa gjurmë në stacionin e metrosë dhe pikërisht shit-blerja e drogës ishte arsyeja që çoi në shkëmbim zjarri. Lidhur me ngjarjen kryebashkiaku De Wever, deklaroi atëherë se shyqyr që qëlluan njëri-tjetrin dhe nuk u vranë kalimtarë të rastit.

Prokurori akuzon shumicën e të dyshuarve për trafik droge dhe tentativë vrasjeje. Prokurori tha gjithashtu se janë qëlluar gjashtëmbëdhjetë herë, por nuk mund të përcaktonte se kush ka hapur zjarr i pari dhe kush ka qëlluar kë. Gjatë shkëmbimit të zjarrit të dyshuarit ishin shumë afër njëri-tjetrit dhe të gjithëve u janë gjetur shenja baruti.

Për gjashtë personat e përfshirë, prokurori kërkoi dënime nga 4 deri në 7 vjet. Dënimi më i ulët ishte për shqiptarin Fabio X., që pretendoi se vetëm kishte organizuar vendin e takimit. Edhe Ardak G. rrezikon vetëm 4 vjet burg, sepse mbërriti vetëm pas të shtënave për të ndihmuar shokët e tij të plagosur. Edhe shqiptari tjetër, Eno G., mohoi kategorikisht se kishte qëlluar. Megjithatë, policia gjeti një pistoletë FN Browning 7.65 nën vithet e tij, por pa gjurmë ADN-je.

Eno G., që kishte marrë plumba në mushkëri dhe gojë, ishte i lumtur që fatmirësisht shpëtoi, ai ka deklaruar se falë ndërhyrjes së policisë dhe shërbimeve emergjente ka mbijetuar. Ndërkohë, shqiptari i tretë, Niko M., nuk u paraqit në gjyq. Ndërsa, grupi nga Brukseli, ku përfshiheshin Salvatore P. dhe Arsen D ka deklaruar se shqiptarët nuk kishin ndërmend të paguanin për drogën.

Artikulli i plotë:

Shit-blerja e zakonshme e drogës duhej të ishte kjo: 12 blloqe kokainë me çmim 22,000 euro për bllok (= 1 kg). Kështu e përshkruan Arsen D. momentin kur më 16 tetor 2024 takohet me disa shqiptarë. Ai parkon makinën në parkingun Opera në orën 15:04 dhe shkon me një çantë sportive me drogën në një apartament në Jezusstraat, një rrugicë pranë Meir. Miku i tij nga Brukseli, Salvatore P., i shoqëron.

Por papritmas lagjja e zënë me dyqane tronditet nga plumbat. Krismat vijnë nga një apartament mbi një lokal në Jezusstraat. Katër minuta më vonë, në orën 15:08, Arsen D. dhe Salvatore P. dalin jashtë. Një mik i pret në parkingun Opera në fund të Jezusstraat dhe njofton shërbimet e emergjencës. Arsen D. ka plagë nga plumbi në bark, këmbë dhe krah. Edhe Salvatore P. është qëlluar dhe ka mbetur i plagosur në krahë dhe këmbë.

Policia gjen në apartament shqiptarin Eno G. të plagosur rëndë. Një plumb i ka kaluar përmes faqes dhe ka dalë nga ana tjetër e gojës së tij. Të dyja mushkëritë i janë dëmtuar nga plumbat. Në tarracë gjendet i fshehur shqiptari tjetër, Fabio X., i paprekur. Aty gjendet edhe një bllok kokainë.

Policia federale arreston pesë të dyshuar. I gjashti, Niko M., zhduket menjëherë pas të shtënave. Në kamerat e sigurisë shihet duke zbritur në stacionin e metrosë në Groenplaats me një çantë sportive, ndoshta me blloqet e kokainës. Gjithsej janë qëlluar gjashtëmbëdhjetë plumba. Se kush ka qëlluar i pari dhe kush ka qëlluar kë, kjo nuk mund të dihet.

Sot u zhvillua gjyqi. Pesë të dyshuar ishin prezentë. Niko M. mungonte. Prokurori e akuzon shumicën e të dyshuarve për trafik droge dhe tentativë vrasjeje. Prokurori tha: “Janë qëlluar gjashtëmbëdhjetë herë. Nuk mund të përcaktoj se kush ka hapur zjarr i pari dhe kush ka qëlluar kë. Të dyshuarit ishin shumë afër njëri-tjetrit dhe të gjithëve u janë gjetur shenja baruti”.

Për gjashtë të përfshirët, prokurori kërkoi dënime nga 4 deri në 7 vjet. Dënimi më i ulët ishte për Fabio X., që pretendoi se vetëm kishte organizuar vendin e takimit. Edhe Ardak G. rrezikon vetëm 4 vjet burg, sepse mbërriti vetëm pas të shtënave për të ndihmuar shokët e tij të plagosur.

Avokatët e grupit shqiptar dhe atij nga Brukseli nuk kontestojnë akuzat për drogën. Të gjithë ishin aty për një arsye: shitjen e 12 blloqeve të kokainës. Si u bë kaq e dhunshme shit-blerja, kjo ishte çështje tjetër. Avokati Koen Vaneecke tha se shqiptarët nuk kishin ndërmend të përplaseshin me grupin nga Brukseli.

“Nëse do bësh një përplasje, nuk takohesh mesditën në një apartament ku je regjistruar vetë,” tha avokati Vaneecke, që mbron Fabio X.

Edhe shqiptari tjetër, Eno G., mohoi kategorikisht se kishte qëlluar. Megjithatë, policia gjeti një pistoletë FN Browning 7.65 nën vithet e tij, por pa gjurmë ADN-je. Eno G., që kishte plumba në mushkëri dhe gojë, ishte i lumtur që jeton akoma: “Falë ndërhyrjes së policisë dhe shërbimeve emergjente, mbijetova. Zjarrfikësit më ulën me shkallë”.

Shqiptari i tretë, Niko M., nuk u paraqit në gjyq. Grupi nga Brukseli me Salvatore P. dhe Arsen D. tha se shqiptarët nuk kishin ndërmend të paguanin për drogën.

“Duhet të kesh guxim të thuash se nuk ishte përplasje,” tha avokatja Julie Crowet për shqiptarët. Klienti i saj, Salvatore P., nuk pa asnjëherë para nga shqiptarët. Ai është gjallë falë shokut të tij Arsen D., që fatmirësisht kishte marrë një pistoletë me vete.

Avokatët Len Augustijns dhe Axelle Windey, që mbrojtën Arsen D., argumentuan: “Nuk është tentativë vrasjeje, por vetëmbrojtje. Arsen D. qëlloi vetëm pasi shqiptarët kishin hapur zjarr. Gjuajti në panik dhe jo me qëllim. Fakti që plagosi edhe mikun e tij, Salvatore P., e tregon këtë. Ai ndali së qëlluari kur pa mundësinë të ikte jashtë. Vetëm u mbrojt”.

Në fund, Ardak G. tha se nuk kishte lidhje me shit-blerjen dhe kishte shkuar në adresën e gabuar. Pothuajse të gjithë të dyshuarit kërkuan dënim me pezullim ose dënim ku pjesa efektive ishte e kufizuar nga paraburgimi. Gjykata do japë vendimin më 2 mars. Provinciale Zeeuwse Courant