TIRANE- Surprizat që ndodhën gjatë procesit zgjedhor në Itali nuk kishin si të mos linin impakt edhe te politikanët shqiptar. Të ndodhur shumë pranë fushatës zgjedhore që i praraprinë zgjedhjeve për Parlamentin e ri, që do të mbahen në 23 qershor, duket se fryma e zgjedhjeve të homologëve të tyre duhet të jetë një shembull qoftë për opozitën, por dhe për mazhorancën nga ana tjetër. Fakti që përfaqësuesi i bllokut të qendrës së majtë në Itali, Pier Luixhi Bersani, arriti që të fitojë vetëm në dhomën e ulët, për opozitarët shqiptar duhet të merret si një shembull që nuk duhet ndjekur për të ardhur në pushtet.

Duke shfrytëzuar rrejtin social Facebook, të majtët nuk ngurrojnë që të shprehin edhe opinionet e tyre sesi duhet të jetë e përgatitur opozita në zgjedhjet e 23 qershorit. Një nga deputetët më të vjetër në PS, Marko Bello propozon që euforia e tepërt e opozitarëve për të ardhur në pushtet mund të ndodhë ashtu siç i ndodhi të majtëve në Itali. “Kur të gjithë prisnin një fitore të madhe të së majtës në Itali, ndodhi "çudia". Berluskoni, i konsideruar një kufomë politike mbijetoi, ndërsa aktori komik Bepe Grillo ishte fituesi real i këtyre zgjedhjeve. Arsyet përse e majta dhe Bersani nuk arritën të korrnin fitore janë të shumta, por mësimi që mund të nxjerrim ka rëndësi edhe për të majtën tonë. E përçarë ka 8 vjet që është në opozitë, ndërsa euforia dhe optimizmi i tepruar se fitorja është e garantuar mund të jenë fatale. Zoti pastë mëshirë për euforikët e majtë tek ne dhe inshallah i bënë esëll sa nuk është vonë”, kritikon Bello opozitën shqiptare. Ndër të tjera, deputeti i opozitës vijon se “frika ime vjen se disave u mjafton vota kundër, duke injoruar rëndësinë e votës pro. PS duhet të fitojë dhe do të fitojë nëse përqëndrohet tek njerëzit dhe komunikon me ta direkt. Këtu ndoshta gaboi Bersani. Së dyti, fitorja vjen përmes gjithëpërfshirjes dhe jo eleminimit”, përfundon Bello.

REPLIKAT BRAÇE- BUSHATI

 
Rezultatet e para në Itali, të cilat favorizonin qendrën e majtë, sollën dhe reagimet e para të deputetëve të PS, të cilat u kthyen në statuse ku replikonin me njëri-tjetrin. Nëpërmjet një statusi në Facebook, deputeti, Ditmir Bushati mbështeti një fitore të së majtit në Itali, Bersanit ashtu siç ndodhi edhe në Francë me Fransua Holland. “Një tjetër politikan 'normal' do të drejtojë Italinë, siç ndodhi vjet me Francois Hollande. Fitorja e Bersanit për një Itali më të drejtë!”, shkruan Bushati në statusin e tij. Ironia vjen nga deputeti Erjon Braçe, i cili e këshillon që të heqë këtë status, pasi kreu i partisë, sipas tij, nuk toleron. “Hiqe këtë status Ditmir, ku i dihet e sheh ai lart dhe iku dhe skuadra e re e programit!! Morinjo nuk toleron!!”, shkruan Braçe. Bushati i kundërpërgjigjet se e majta doli fituese. “Shihni lajmet në të gdhirë dhe do të konfirmoni që koalicioni i udhëhequr nga Bersani ka mazhorancën në Dhomën e Ulët. Ndërkohë që në Senat është koalicioni me numrin më të madh të vendeve. Falë votave të numëruara në Piemonte situata ndryshoi në favor të së majtës edhe në senat”,i kundërpërgjigjet Bushati Braçes.

SHEHI: TRONDITJA NË ITALI, NDIHET DHE NË SHQIPËRI
Zgjedhjet në Itali janë komentuar edhe nga kreu i LZHK, Dashamir Shehi, i cili i sheh si një tronditje. “Çdo lloj “tronditje” në Itali mund të ndihet fare lehtë në Shqipëri. “Duhet të bëhet një zgjedhje racionale që ky vend i madh të marrë veten nga kriza. Një ekonomi e madhe në evropë nëse nuk do ta marrë veten do të shfaqte një problem të madh në evropë”, tha Shehi. Ai shton se “Italianët nuk e kanë me qejf që të rikthehet sërish Berluskoni, një fytyrë që edhe vetë Evropa nuk e do pas shumë e shumë skandalesh. Unë them që koha e Berlusknit ka mbaruar, duhet të vijë një tjetër qoftë nga e djathta qoftë nga e majta”,tha ndër të tjera Shehi.

KOMENTOJNE DHE DEPUTETET PD

SHEHU: ITALISË I DUHET STABILITET POLITIK
Deputeti demokrat dhe njëkohësisht ish-ministër i Jashtëm, Tritan shehu duke komentuar procesin e zgjedhjeve në Itali theksoi se ajo që është e rëndësishme është stabiliteti politik në këtë vend, çka do të ndikonte në të mirën e marrëdhënieve me vendin tonë. “Ajo që ndodhi në Itali mund të ndahet në dy çështje, së pari ndodhi një rezultat në zgjedhje i lartë i Grilos që është një votë proteste dhe jo një votë që zgjidh problemet. E dyta ishte një ngritje e madhe e Berluskonit. Ky rezultat vë në pozitë të vështirë Italinë për të patur një qeverisje të stabilizuar. Gjithësesi marrëdhëniet mes dy vendeve nuk preken”, u shpreh deputeti demokrat.

DODA: DUHET MAZHORANCË SË DJATHTËSH NË SENATIN ITALIAN


Jo vetëm të majtët, por dhe të djathtët i kushtuan një vëmendje zgjedhjeve që ndodhën në Itali dhe rezultateve surpriz. Deputetja e Partisë Demokrate, Mesila Doda thekson se nga rezultatet mund të ekzistojë mundësia që në Itali të ketë një keqëqeverisje. “Sot në Itali shfaqet një pamje krejt e ndryshme, nëse në senat do kemi një mazhorancë të djathtësh dhe nëse në dhomën e deputetëve do të kemi një mazhorancë të së majtës, do të kemi një mosqeverisje të mirë të vendit”,- tha deputetja Mesila Dode.

Shkrimi u publikua sot nëShqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)