Bëmë kryetar, të të ngjaj…

Bëmë kryetar, të të ngjaj…

Sali Berisha dhe Lulzim Basha

Kjo ka ndodhur me Lulzim Bashën. Kur askush nuk e besonte, ai u bë ministër, kryetar bashkie, kryetar partie. Por ëndërra e tij ishte, është dhe mbetet të bëhet “lider”. Dhe koha po tregon se ai po arrin të bëhet paksa “lider”. Por jo duke marrë dhe duke patur shumicën e bazës (pasi kjo është në plan të dytë), por duke fshirë nga memorja e partisë, “tradhëtarët”, ata që i dolën kundër dhe u bashkuan me ish-liderin. Lulzim Basha, ka menduar dhe e ka pritur gjatë këtë ditë, kur ai të ishte “kryetari, lideri” dhe i pari  i partisë. Dhe momenti erdhi. Kryetari apo dhe “lideri”, duhet të jepin prova dhe shembullin se si “mbahet gjatë dhe fort posti” apo se si “mbahet e pastër partia”.

Për këtë qëllim, Lulzim Basha nuk ka kursyer askënd, nga ata që dikur e votuan dhe ndoqën pas në çadër, dhe në ditët e protestave të dhunshme, duke i përjashtuar nga grupi parlamentar dhe nga rradhët e partisë. Kësaj i thonë “bëmë kryetar, të të ngjaj”. Kur Sali Berisha dyshonte dhe zbulonte se i prekej fjala, vendimi, urdhëri, apo dhe i kundërshtohej verdikti, ai nuk ngurronte të flakte nga partia edhe më kontribuesin dhe mikun e tij. Ishte koha kur Berisha duhej të vendoste “veton” mbi gjithçka, ishte koha kur Berisha duhet të vendoste diktatin e tij mbi çdo gjë në Partinë Demokratike. Krizat Berisha i zgjidhte me “metoda paqësore”, dhe të gjithë e dimë si dilnin nga sallat e mbledhjeve apo kuvendeve, “desidentët” e asaj partie. Për afro 23 vjet që Berisha drejtoi atë parti, u (vetë) larguan dhe përjashtuan mbi 1300 themelues, kontribues dhe militantë të “thekur” të Partisë Demokratike.

Ata u larguan nga Shqipëria, u lanë pa punë, u arrestuan, dhunuan, denigruan, dhe u fshinë fare nga memorja e partisë. Berisha i ka harruar, por nuk i harrojnë ata që e pësuan nga diktati i tij. Por ja që “topi rrotullohet”, dhe vjen një ditë, dhe gjendesh në të njëjtën pozitë që janë gjendur ish-miqtë e tu. Edhe Lulzimi, si vazhdues i denjë i “babait politik”, ç’nuk po u bën “desidentëve”, atyre që guxuan dhe u bashkuan me Berishën. Dhe prit, se “nuk kanë parë gjë akoma”. Ky është vetëm fillimi, sepse pas shkarkimit, largimit dhe përjashtimit, nis procesi final. Nuk mbahet mënd, që në një parti politike në një vend demokratik, të ndodhin procese të tilla përjashtuese, pasi ato kanë qenë dhe janë tipare të partive komuniste, pjesë e regjimeve diktatoriale.

Në demokraci, fraksionet apo individët me qëndrime të kundërta brënda një partie politike,nuk mund të jenë objekt i proceseve përjashtuese, përkundrazi  ato nxisin  pozitivitete në  reformimin e  saj.  Krijimi i një klime mbytëse, ku nuk tolerohet kundërshtia, fraksioni apo zbatimi i statutit, e kthen partinë në kazermë.Në fakt  procesi  i “kazermimit” në Partinë Demokratike ka nisur me Berishën, dhe po vazhdon me Bashës. Ishte “lideri historik” që  e mbyti  që në “djep” lirinë  e  fjalës dhe mendimit brënda  asaj partie, dhe trajnoi edhe Lulzim Bashën me “frymën” e tij.

Edhe para 9 Shtatorit,askush nuk mendonte se “Lulzim Basha do të ishte ndryshe”, pasi kishte dhënë prova të mjaftueshme se ishte një  adhurues i zjarrtë i Berishës. Ai e ka kopjuar atë në gjithçka, madje edhe në vendime të tilla, siç ishte ai i “mbrojtjes së selisë partisë”, kur tha se “i kemi gati skenarët edhe për përballimin e dhunës nga Berisha”. Më bëj kryetar, të të ngjaj, i thonë kësaj. Gjithsesi, beteja mes dy “liderëve” ka gjasa të jetë “dava e gjatë”, dhe nuk mbyllet me kaq.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Gjermania do të ridislokojë sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot në Poloni

Gjermania do të ridislokojë sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot në Poloni