Ben Andoni: Ëndrra evropiane për Tiranën s’është e largët, është thjesht sizifiane!

Ben Andoni: Ëndrra evropiane për Tiranën s’është e largët, është thjesht sizifiane!

Foto ilustruese

Prej anëtarësimit të Kroacisë në BE kanë kaluar shumë vite. Anëtarësimi i Bullgarisë dhe Rumanisë tashmë është harruar, kurse në axhendën e BE-së ose në platformën e saj për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor është tejkaluar çdo afat. Ndryshimi i rregullave të lojës dhe “harrimi” i objektivave të Samitit të Selanikut e bën ëndrrën evropiane shumë e shumë të largët për të gjithë rajonin. E theksojmë këtë sepse dy vendet Serbia dhe Mali i Zi, që e kanë nisur me kohë hapjen e kapitujve të Integrimit, mezi kanë mbyllur nga 2-3 syresh, kurse Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut me specifikat respektive, ku fqinjëve do t’u duhet dhe një votim i vështirë në parlament, duket tejet i vështirë. Ndërkohë në paradhomën evropiane “vigjilojnë” Athina dhe Sofja, që do t’ia bëjnë edhe më të vështirë udhën fqinjëve të vegjël. Kryeministri Micotaqis dhe e gjithë shpura e tij na e thanë në sy duke bërë dhe marifete qesharake si takimi informal i para pak ditëve më parë, kur shmangën Ramën, kurse Bullgaria pa ndryshmet e duhura të Maqedonisë së Veriut, do vendosë veton.

Paradoksi më i madh është se çdo qeveri e Tiranës, qoftë Majtas apo Djathtas, e ka pasur dhe e mban retorikën dhe në programin e vet integrimin, por edhe çdo veprimtari në funksion të saj. E habitshme se kjo frymë përcillet deri diku dhe në publik: Matjet e opinionit publik në vitet që do i paraprinin pandemisë 2018 dhe 2019, ku anketimet tregonin hapur një prirje pro-BE. Ishte një shumicë prej 59% pro në 2018 dhe 54% pro në 2019, kurse asokohe shqiptarët mendonin se Shqipëria ishte gati të hapte negociatat respektivisht në qershor të 2019 dhe Mars të 2020-ës.

Por i gjithë procesi, megjithëse tashmë e ka një stad, ka ecur aq ngadalë, e është aq i përfolur, saqë ka nisur të shtohet skepticizmi i aktorëve të ndryshëm. Grupimet e shoqërisë civile dhe media e përcjellin sistematikisht dhe tashmë me jo pak rezerva, por megjithatë publiku e ka të rrënjosur në kokë Shqipërinë në Evropë.

Në gjenezë të këtij qëndrimi janë vetë premtimet e BE-së. Mesazhi optimist i Brukselit në Selanik (2003) erdhi në një kohë kur Shqipëria ende kishte të hapura plagët e vitit 1997, Kosova po merrte më në fund frymë nga pogroni serb, plagët e Federatës së Bosnjë Hercegovinës ende rridhnin, kurse vetë Serbia po mblidhte veten nga katrahura e Ballkanit, që e kishte gatuar vetë. Por, ndërsa shpresa që vinte nga Brukseli ishte i madh, kriza e 2008 i ktheu gjërat në fillim. Franca dhe Holanda votuan kundër në referendumin për kushtetutën evropiane, kurse me kohë u kthyen në vendet që ua ngritën vazhdimisht stekën vendeve të Ballkanit. Jo pak herë dhe deri në kohët e fundit me shumë cinizëm.

Shqipëria një vend me një tranzicion të vështirë demokratik po e vuan si pakkush këtë shpresë dhe zhgënjim, që po i jep jetë thjesht autokratëve të saj, ndërsa shumë zhgënjim njerëzve. Më pak fjalë, kurrë më shumë se kaq në këtë përçarje politike, në këtë problematikë të madhe sociale, njerëzit nuk e shohin shpresën në vend. Ndaj, sytë mbesin te azilkërkuesit, por jo rruga evropiane e vendit që duket gati sizifiane. Darka e vonuar e Athinës me informalitetin e saj na e tregoi se gjithnjë para rrugës sonë do të ketë një pengesë, varësisht atij që do e krijojë. Nuk ka rëndësi Micotaqis, apo pasardhësi i tij. Evropa, pra, po mbetet koncept dhe është ëndërr, një e tillë që mund të krahasohet vetëm me simbolikën sizifiane.

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja